E Diel, 1 Nëntor 2026

Subashi: Rrezikohet numërimi elektronik në 2013

Numërimi elektronik i votave, mund të mos bindë të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta fusin në zbatim që në 2013, sipas nënkryetares së këtij institucioni Dëshira Subashi. Verdikti final i përket pikërisht KQZ- së me votë të cilësuar për të lejuar ose jo numërimin apo dhe identifikimi elekronik i zgjedhësve.

"Do të uroj të ketë vullnet politik për ta zbatuar këtë dispozitë. Mund të ndodhë edhe ndryshe në mënyrën se si do të aplikohet dhe në mënyrën se si do të vihet në funksionim ky sistem elektronik. Bazuar në aktet e KQZ-së mund të bëjë kundërshti në aspekte të të funksionuarit, çka do të thotë që ekziston një mundësi që të mos bihet dakord për mënyrat se si do të funksionojë ky sistem elektronik", tha Subashi.

Një shqetësim tjetër i nënkryetares së KQZ- së është dhe fakti që institucionit ku bën pjesë i lihet dorë e lire të kontraktojë pa tender firmat që do të ofrojnë këto 23 lloj teknologjish. "Uroj që kjo përgjegjësi të ushtrohet në mënyrë të përgjegjshme sipas ligjit, jo ashtu siç po ndodh sot në KQZ. Një përgjegjësi madhore për fatet e institucionit është e vogël se sa për një ecuri të procesit i cili është me pasoja për gjithë vendin. Kërkon përgjegjshmëri në zgjedhjen e kompanisë, monitorimin e kompanisë", tha Subashi për “AS”.

Por ku shqetësim duket i pavend sipas anëtarit tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmani, në një kohë kur politika e ka dhënë verdiktin. "Nuk ka arsye mos ta japin një votë cilësore. Ne përcaktojmë termat e referencës sipas Kodit Zgjedhor dhe kompania që e merr përsipër, nuk kemi ne, si anëtarë të KQZ, pse të kemi dyshime. Aktorët dhe faktorët kryesorë në hartimin e miratimin e Kodit kanë qenë forcat politike, kanë pasur një vullnet politik bashkëpunimi dhe besoj se kjo frymë do të jetë gjithandej", tha Osmani.

Komisioni i Reformës Zgjedhore miratoi me konsensus futjen e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme, por nuk arriti ta gjente të njëjtin konsensus për menaxhimin e kutive, konkretisht për rastet kur kutitë e materialeve zgjedhore duhet të hapen./Start/

                                                                                             2012-05-07 08:35
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›