E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subjektet detyrohen ta blejnë truallin e ndërmarrjes



Subjektet që kanë blerë ndërmarrjet shtetërore duhet që brenda datës 31 maj 2009 të blejnë truallin e tyre. Ndryshe, trualli do t’i kalojë në administrim Agjencisë së Pronave, për t’u përdorur në procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Ky vendim i Këshillit të Ministrave ka hyrë dje në fuqi dhe pritet të zbatohet së shpejti. “Të gjitha subjektet, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas genplanit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31.5.2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë”, - shkruhet në pikën 3 të vendimit të qeverisë. “Pas afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu, në rastet kur nuk është paguar qiraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin e subjekteve të shpronësuara dhe, në rastet kur trualli ka pronarë, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, trualli i kalon këtij pronari”, - sqarohet në pikën katër të vendimit. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës së mësipërme, për rastet kur privatizimet janë kryer nga ish-AKP-ja dhe degët e saj në rrethe, nëse dosja e privatizimit gjendet e rregullt, dhe brenda 7 ditëve nga mbërritja e dokumentacionit të privatizimit, i kërkon zyrës rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që të konfirmojnë statusin e truallit, çmimin përkatës të shitjes. Agjencia, pasi kryen verifikimet, i kthen përgjigje Ministrisë brenda 15 ditëve. Në rastet kur konfirmohet se trualli i objekteve apo ndërmarrjeve të shitura ka pronarë, atëherë Drejtoria e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave kryen kthimin e truallit pronarit të ligjshëm. Në rast se vërtetohet se pronar është shteti, kryhet lidhja e kontratës me pronarin e ndërmarrjes, i cili do të paguajë për truallin në bazë të vlerës së tregut në zonën ku ndodhet trualli.

Dokumentet për blerjen e truallit

Kërkesë me shkrim për blerje të truallit.
Vërtetimi hipotekor, certifikatë pronësie, të noterizuar, nëse ka, kartelë të pasurisë etj., për objektin, të lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe hartë treguese të pasurive të paluajtshme në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës.

Fotokopje e noterizuar e kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes, lëshuar nga ish-AKP-ja, ish-AQRNB-ja, Ministria e Financave, DASHPP-ja dhe nga ndërmarrjet përkatëse, përpara krijimit të agjencive, fotokopje të noterizuar të genplanit apo planimetrisë së objektit (në çastin e privatizimit).

Deklaratë noteriale origjinale, në dy kopje, që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›