E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi. Si do të ndahet qiraja e truallit të ndërmarrjeve shtetërore

Cilat subjekte përjashtohen nga pagesa e qirasë

Vendimi i qeverisë për detyrimin e subjekteve që kanë privatizuar ndërmarrjet shtetërore që të blejnë truallin e tyre ka hyrë dje në fuqi duke u botuar në Fletoren Zyrtare. Ky vendim, përveç detyrimit për blerjen e truallit, përmban dispozita ligjore për subjektet që e kanë paguar rregullisht qiranë e truallit dhe se si do të veprohet me këto subjekte. Vendimi gjithashtu parashikon dhe mënyrën e ndarjes së qirasë së truallit dhe ku do të shkojnë paratë që do të mblidhen.
Qiraja
Sipas vendimit të qeverisë, 5% e vlerës së qirasë së tokës, e arkëtuar pranë organeve të qeverisjes vendore apo organeve të tjera shtetërore, me të cilat subjektet kanë lidhur kontratë qiraje, do të shkojë për Ministrinë e Financave, 65% në buxhetin e shtetit dhe 30% në organin e qeverisjes vendore apo në organin shtetëror përkatës. Ndërsa të ardhurat e arkëtuara nga shitja e truallit do të kalojnë në masën 100% për Buxhetin e Shtetit, për efekt të fondit të kompensimit financiar për subjektet e shpronësuara. Drejtoria e Administrimit dhe e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, brenda 7 ditëve nga paraqitja e kërkesës apo nga paraqitja e dosjes së privatizimit, u kërkon organeve përkatëse të qeverisjes vendore apo çdo organi tjetër shtetëror, me të cilin subjektet kanë lidhur kontratë qiraje për truallin, vërtetimin për pagesën e qirasë së truallit, për objektin apo ndërmarrjen, nga subjekti kërkues deri në çastin e pagesës së vlerës së plotë të çmimit të truallit. Drejtoria e Administrimit dhe e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave kërkon nga qeverisja vendore edhe llogaritjen e koeficientit të bashkëpronësisë së truallit për rastet kur objekti është me dy apo më shumë kate.
Organet e qeverisjes vendore, brenda 7 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Administrimit dhe e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie vërtetimin nëse subjekti kërkues ka paguar qiranë e truallit dhe koeficientin e bashkëpronësisë për objektet me dy apo më shumë kate. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 7 ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Administrimit dhe e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie hartën treguese përkatëse, me të dhënat e nevojshme gjeografike dhe statusin e truallit.
Përjashtimi
Ky vendim nuk do të zbatohet për procedurat e vlerësimit të truallit të objekteve apo ndërmarrjeve, dokumentacioni i të cilave është në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, dhe ndodhen në fazën kur ka përfunduar pagesa për vlerën e plotë të tyre. Vendimi nuk do të zbatohet në momentin që kanë filluar procedurat e publikimit të pagesës së vlerës së plotë të çmimit të truallit, sipas vendimeve të mëparshme, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, si dhe kur është konfirmuar nga organet e qeverisjes vendore vlera përkatëse e truallit, sipas legjislacionit të periudhës përkatëse dhe nga AKKP-ja.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›