Pesë ndeshjet e para, Han barazon Brigelin
Barazimi me Maltën e hidhëroi shumë tifozerinë futbolldashëse kuqezezë, kudo ku ka gjak shqiptari. Akuzat ndaj trajnerit Han e lojtarëve të përdorur prej tij kundër ishulloreve modestë janë në kulmin e tyre. Gazeta “Albania” u ofron lexuesve të saj ecurinë në pesë ndeshjet e para të tre trajnerëve të fundit të huaj që kanë drejtuar Shqipërinë, duke filluar me gjermanin Hans-Peter Brigel, kroatin Oto Bariç dhe holandezin Ari Han.
PËRBALLJET E MËDHA
Duke i parë statistikat e përballjeve, por dhe kundërshtarët me të cilët jemi përballur në pesë ndeshjet e para, spikasin fitorja nën drejtimin e Brigelit e Shqipërisë më Greqinë (2-1, në Tiranë. Greqia ishte atëherë kampione në fuqi e Europës, 2004) dhe dy barazimet e mëdha të Hanit me Suedinë (0-0, në Tiranë. Arritja më e madhe e Suedisë, nënkampione e botës në vitin 1958) e Portugalinë (0-0, në Braga. Arritja më e madh e Portugalisë, nënkampione e Europës, 2004). Bariç, në përballjen e madhe me Holandën, 2-herë nënkampione e botës (1974, 1978, humbi 2-1). Ndeshja e madhe e Bariçit është barazimi 0-0 i Shqipërisë me Bullgarinë në Sofje, që solli më pas dhe shkarkimin e trajnerit bullgar, Hristo Stojçkov.
PIKËT
Holandezi Ari Han dhe gjermani Hans-Peter Brigel kanë grumbulluar në pesë ndeshjet e para një numër të barabartë pikësh: nga 6 të tilla, respektivisht në eliminatoret e Botërorit 2010 (Hani) dhe kualifikueset e Botërorit 2006 (Brigeli). Në pesë ndeshjet e para eliminatore të Kampionatit Europian 2008, trajneri kroat i Shqipërisë, Oto Bariç, ka grumbulluar vetëm 3 pikë, pavarësisht se ecuria e mëpasshme e tij ishte deri diku e kënaqshme. Si Hani ashtu dhe Brigeli kanë grumbulluar gjashtë pikë nga 15 të mundshmet (40 për qind të pikëve), ndërkohë që Bariç me 3 pikë nga 15 të mundshmet këtë tregues e ka vetëm 20 për qind të pikëve.
BRENDA-JASHTË
Duke krahasuar ndeshjet brenda-jashtë të Shqipërisë, statistikat e përballjeve ofrojnë këtë tablo në pesë ndeshjet e para. Brigeli: në shtëpi, 1 fitore-2 humbje; në transfertë, 1 fitore, 1 humbje. Bariç: në shtëpi, 1 barazim, 1 humbje; në transfertë, 2 barazime, 1 humbje. Han: në shtëpi, 1 fitore, 1 barazim; në transfertë 2 barazime, 1 humbje.
HUMBJET
Han në pesë ndeshjet e para i ka “mundur” dy paraardhësit e tij në treguesin specifik të humbjeve. Han ka humbur 1 ndeshje; Bariç, 2 ndeshje dhe Brigel, 3 ndeshje.
GOLAT E SHËNUAR
Përsa i përket numrit të golave të shënuar në pesë ndeshjet e para, të tre formacionet e tyre kanë shënuar secili nga 3 gola.
GOLAT E PËSUAR
Shqipëria e Hanit nuk pësoi gol në katër ndeshje, ndërkohë që ajo e Bariçit e mbajti të pastër portën në vetëm dy ndeshje. Kombëtarja e Brigelit pësoi gol në katër nga pesë ndeshjet e zhvilluara (vetëm Kazakistani nuk i shënoi gol Shqipërisë në fitoren 1-0 të kuqezinjve në transfertë). Mbrojtjen më të dobët nga përfaqësueset e ka pasur ajo e Brigelit: 7 gola të pësuar në pesë ndeshje. Ajo e Bariçit ka pësuar 6 gola, ndërsa e Hanit, vetëm 2 gola.
GOLAVERAZHI
Han ka tregues pozitiv edhe golaverazhi në pesë ndeshjet e para. Për herë të parë pas katër ndeshjesh kemi një golaverazh pozitiv: +1, vetëm 2 gola të pësuar nga Hungaria, kundrejt tre golave të shënuar nga Shqipëria (të tre kundër Maltës). Pra, kemi pësuar dy gola në 450 minuta, ose më thjesht mesatarisht një gol në 225 minuta, kur kemi pasur përballë golashënuesi më të mirë të Ligës së Kampioneve të sezonit të kaluar dhe të Premier Ligës angleze, portugezin Kristiano Ronaldo dhe lojtarin më të paguar në botë, suedezin e Interit, Zlatan Ibrahimoviç. Bariç golaverazhin e ka 3-6 (-3), Brigeli e ka 3-7 (-4).
SHQIPËRIA PAS PESË NDESHJEVE
ELIMINATORET BOTËRORI 2010
Trajner Ari Han
Shqipëri–Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Bilanci: 5 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 1 humbje: 6 pikë. Golat: 3-2, +1
ELIMINATORET EURO 2008
Trajner Oto Bariç
Bjellorusi-Shqipëri 2-2
Shqipëri-Rumani 0-2
Holandë-Shqipëri 2-1
Shqipëri-Slloveni 0-0
Bullgari-Shqipëri 0-0
Bilanci: 5 ndeshje; 0 fitore, 3 barazime, 2 humbje: 3 pikë. Golat: 3-6, -3
ELIMINATORET BOTËRORI 2006
Trajner Hans Peter Brigel
Shqipëri-Greqi 2-1
Gjeorgji-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Danimarkë 0-2
Kazakistan-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Ukrainë 0-2
Bilanci: 5 ndeshje; 2 fitore, 0 barazime, 3 humbje: 6 pikë.
Golat: 3-7, -4
13 Shkurt 2009