E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekordmenë mashtrimesh, 53 dosje në gjykatë

Në 6 muaj janë dërguar në Gjykatën e Tiranës me qindra qytetarë, të cilët akuzohen se kanë mashtruar individë të ndryshëm ose zyrat shtetërore. Histori pikante mashtruesish sy më sy

TIRANË – Dosjet e mashtrimeve në Gjykatën e Shkallës së Parë të kryeqytetit përforcojnë arrestimet e ditëve të fundit për skandalet e pensioneve dhe të mashtrimeve me kredi. Që nga 1 janari i këtij viti e deri në fillim të korrikut numërohen 53 dosje mashtrimesh, kryesisht me pensionet dhe 3 dosje për mashtrimet me kredi. 28 prej tyre janë tashmë të përfunduara dhe kryesisht të gjykuarit janë dënuar me gjobë, 2 raste rezultojnë të jenë të kthyer për rihetimim dhe 23 prej tyre janë akoma në shqyrtim gjyqësor. Ndërkohë që një numër më i vogël regjistrohet në rrethet e tjera të mëdha të vendit. Kështu, Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit të Fierit shënon rreth 40 raste mashtrimi, ajo e Shkodrës 6 dosje, e Vlorës 3 dhe e Kavajës vetëm 1 rast mashtrimi. Edhe pse dosjet penale nuk janë të një numri të vogël, burime të besueshme policore dhe hetimore thonë se në “punë e sipër” janë me qindra raste, pas denoncimeve të vetë banorëve.

Mashtruesit kryeqytetas

Gjykata e Tiranës mban numrin të më madh të rasteve që ka në shqyrtim gjyqësor. 12 prej rasteve të mashtrimit janë femra. Në vendimet e këtyre proceseve gjyqësore, ku në rolin e të paditurit janë femra, pjesa dërrmuese e tyre janë nëna me shumë fëmijë, në gjendje të vështirë ekonomike dhe në zona rurale. Ato kanë mashtruar me dosjet e pensioneve, për të mbijetuar, e më pas kanë kërkuar mëshirë nga trupi gjykues për hatër të fëmijëve. Duke parë dhe gjendjen e vështirë shoqërore dhe ekonomike të tyre, gratë u kanë shpëtuar qelive me një gjobë, kryesisht të vogël. Por mes tyre ka edhe femra që kanë kryer raste tipike mashtrimi klasik, duke marrë shuma të mëdha parash nga persona në nevojë, e më pas duke u “zhdukur nga qarkullimi”. Ariana K. është një ndër rastet e dënuara me 200 000 lekë të reja gjobë, pasi ka mashtruar një prind se “do t’i fuste vajzën në fakultet”, edhe pse kjo e fundit nuk kishte marrë pikët e mjaftueshme. Pasi ka qenë krejt rastësisht në një lokal me të atin e vajzës, Ramazan B., ajo ka dëgjuar atë teksa fliste me një kushëri e po i qante hallin e vajzës që s’do të mund të regjistrohej në fakultet. Ariana K. ka qenë vetëm një tavolinë larg tij, e pasi ka dëgjuar me përpikëri bisedën, i është afruar burrit e pasi është prezantuar si një e njohur e dekanit, i ka premtuar se kundrejt 500 000 lekëve të reja do t’ia regjistronte vajzën atij në fakultetin që kishte dëshirë. Por pasi i dëmtuari ka parë se “sekseria” nuk po i bënte asnjë nder, e ka gjetur atë pas shumë mundimesh dhe i ka kërkuar që t’i kthente lekët mbrapsht. Por Ariana K. ka pretenduar se lekët e marra nga burri i kishte shpenzuar, duke u bërë dhurata njerëzve që do ta ndihmonin për vajzën e tij që të pranohej në fakultet. Më pas, Ramazan B. u është drejtuar dyerve të policisë dhe Zyrës së Antikrimit, të cilët kanë nisur hetimet për gruan, që pas gjashtë muajsh shqyrtimi gjyqësor ia hodhi paq vetëm me një gjobë.

Mashtrojnë me kredi

Pjesë e këtyre dosjeve që janë në shqyrtim janë edhe tre raste mashtrimi me kredi, një ndër të cilat ka lidhje me mashtrimin e shumës së 5 milionë lekëve të reja, kredi e marrë nga Dritan T., i cili ka bërë dokumente të falsifikuara në emër të një personi tjetër. I pandehuri ka falsifikuar gjithashtu regjistrimin tatimor dhe një mori dokumentesh të tjera të nevojshme për marrjen e një kredie. Procedimi penal ka filluar në momentin që këstet mujore të kredisë nuk po paguheshin, dhe pas verifikimeve është rënë në gjurmët e falsifikatorit, i cili u dënua me një vit burg dhe 400 000 lekë të reja gjobë.

Në rrethet e tjera

Ndërsa dosjet e rretheve të tjera kanë të bëjnë kryesisht me mashtrime me dosjet e pensioneve, që kohët e fundit pati edhe një bum arrestimesh nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e cila zhvilloi hetimet. 250 dosje abuzimesh me pensionet e parakohshme nisën skandalin, i cili është akoma nën hetim e sipër dhe ka si objekt kontrollin një për një të dosjeve të sigurimeve shoqërore nga viti 1993. 

Si plasi skandali i pensioneve

Për herë parë policia e Tiranës bëri publike në 4 prill të këtij viti, se 200 dosje pensionesh false ishin dokumentuar e zbuluar pas disa muajsh hetime. Atëherë u tha se vetëm me 50 000 mijë lekë të reja 11 persona merrnin pension pleqërie në mënyrë të padrejtë që nga viti 2000. Dokumentet i përgatisnin me certifikata false, duke u ndihmuar nga punonjës të sigurimeve shoqërore. Të 11-të personat paraqiteshin si ish-punonjës të minierës së Kërrabës.

“Qelia e hapur” që s’po mbyllet

Katër janë të arrestuarit e deritanishëm të abuzimeve me pensionet. Qazim Laçi, ish-drejtor i minierës së Priskës dhe ish-deputet, Fatmir Sula, ish-shef i degës së kuadrit në minierën e Priskës, si dhe Rabije Pupla, ish-përgjegjëse e zyrës së verifikimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, u vunë nën pranga gjatë operacionit të koduar “Qelia e hapur”. Veprimtaria e paligjshme e tyre kryhej për 200 mijë lekë të reja për çdo person që do të përfitonte pension. Tri ditë më pas, në vazhdim të këtij operacioni arrestohet ish-punonjësi i Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore, 41-vjeçari Qemal Caka. Atij iu dokumentuan abuzimet me 10 dosje, vlera e të cilëve kapte në total 9 milionë lekë të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›