Rikthehet treni në Shkodër, nga 15 marsi deri me 13 qershor, çdo të martë në linjën Shkodër- Laç

Nga 15 marsi e deri me 13 qershor, për 13 javë, çdo të martë me qindra-mijëra besimtarë udhëtojnë drejt kishës së Laçit, për të kryer pelegrinazhin e 13 të martave. Rajoni i Shkodrës është i njohur për kryerjen e këtij riti, ndaj dhe hekurudha shqiptare ka vendosur t’ua lehtësojë atë. Rikthen trenin për pasagjerë në linjës Shkodër- Laç- Shkodër.
Treni do funksionojë një herë në javë, të martave. Ka një kapacitet prej 84 vendesh. Nisja nga stacioni në Shkodër do të jetë në orën 6 të mëngjesit ndërsa kthimi nga Laçi në orën 12:45 minuta.
Shefi i stacionit Astrit Pashaj thotë se pavarësisht çmimit të naftës, çmimi është mjaft i favorshëm, 95 lekë për të shkuar në Laç, ndërsa nëse pritet vajtje-ardhje vetëm 150 lekë.
Para tërmetit të 2019-ës, funksiononte vetëm treni i pasagjerëve Shkodër-Vorë. Për shkak të dëmtimit të urave edhe kjo linjë u ndërpre. I vetmi tren që hyn e del nga stacioni në Shkodër, është ai i mallrave, një herë në ditë, Bajzë- Laç.