E Diel, 1 Nëntor 2026

U vuri zjarrin kullotave, në pranga 18-vjeçarit nga Saranda



GJIROKASTËR - Një i ri është vënë në pranga në Gjirokastër pasi akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme. Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë se gjatë ditës së djeshme, në orën 10:00, specialistët kundër krimeve ndaj pronës kanë bërë ndalimin e shtetasit Ervin Sinomati, 18 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Sarandë. Burimet zyrtare thanë se ndalimi i tij është bërë për arsye pasi dy ditë më parë, rreth orës 17:00, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se poshtë fshatit Suhë të rrethit Gjirokastër ka rënë zjarr. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër, grupi hetimor dhe është njoftuar reparti zjarrfikës. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar dy automjete zjarrfikëse.
Flakët
Zjarri kishte rënë në vendin e quajtur Ura e Suhës, poshtë fshatit Suhë të rrethit Gjirokastër. Sipas të dhënave, rreth orës 17:00 të ditës së djeshme është shfaqur një vatër zjarri, ku është konstatuar nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar menjëherë Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër. Si pasojë e erës zjarri ka marrë përmasa të mëdha duke rrezikuar një park me bletë, por falë ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe forcave të rendit parku i bletëve ka shpëtuar pa u përfshirë nga zjarri. Zjarri është shfaqur në disa drejtime, ku njëri drejtim rrezikonte edhe disa banesa të fshatit Suhë. Pas disa orësh ndërhyrjeje nga ana e zjarrfikësve dhe forcave të policisë u bë i mundur lokalizimi i zjarrit dhe më pas shuarja e tij plotësisht.
Hetimet
Menjëherë policia ka nisur hetimet dhe ka zbuluar autorët e vënies së zjarrit. Pasi janë marrë deklarimet nga disa dëshmitarë, është bërë i mundur identifikimi i autorit të zjarrvënies dhe konkretisht 18-vjeçari Sinomati, i cili është kapur në Sarandë nga policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me policinë e Sarandës. Ky person kishte shkuar në fshatin Suhë me një shokun e vet me furgon, për të çuar disa orendi shtëpiake te një banor i fshatit. Pasi kanë lënë orenditë dhe kanë marrë rrugën për t’u kthyer, kanë ndaluar poshtë fshatit Suhë dhe ky shtetas u ka vënë zjarrin disa shkurreve në anë të rrugës. Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 3 hektarë kullotë, bar dhe shkurre që përdorej nga banorët e fshatit për të kullotur gjënë e gjallë. Burimet zyrtare nga policia thanë se dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale “shkatërrim i pronës me zjarr”.

Box
Vatër zjarri në lagjen "Kala", aksion për shuarjen
BERAT - Një vatër zjarri është shfaqur mesditën e djeshme në një kodër të mbjellë me pisha në lagjen "Kala" të qytetit të Beratit. Flakët e zjarrit janë parë nga banorë të rastit, të cilët kanë njoftuar repartin zjarrfikës në këtë qytet për ndihmë. Mjeti zjarrfikës ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe punoi për fikjen e zjarrit, flakët e të cilit kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, ndërkohë që punonjësit zjarrfikës punuan për të shpëtuar nga djegia pishat mesdhetare të kodrës.

Tragjedi në rrugët e Greqisë, vdesin katër shqiptarë, 3 të plagosur
ATHINË - Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e katër shqiptarëve u regjistrua sot në rrugët e Greqisë. Sipas informacioneve të para, aksidenti është shënuar në aksin Konicë-Kalpaq, 10 kilometra larg kufirit me Shqipërinë, ku dy makina me emigrantë u përplasën me njëra-tjetrën. Për pasojë humbën jetën Drita dhe Vasil Bezati, përkatësisht nga 51 e 58 vjeç, Vasil Bezhiti, si dhe drejtuesi i njërit prej mjeteve, ende i paidentifikuar. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, Apostol Hima, Indrit dhe Romina Bezhiti, që të tre shqiptarë. Nuk dihen ende shkaqet që kanë sjellë aksidentin. Paraprakisht bëhet e ditur se viktimat kanë qenë duke udhëtuar me një makinë tip “Toyota”, e cila është përplasur me një makinë tjetër model “Peugeot”. Aksidenti ka ndodhur në orën 07:15, në vendin e quajtur Kroi i Pashait, pranë lokalitetit Kalpaki. Veç tri viktimave që kanë humbur jetën, nga aksidenti kanë mbetur dhe tre persona të plagosur. Dy fëmijë që udhëtonin në makinën “Peugeot” dhe Valentina Bezati, gjendeshin në makinën që është dëmtuar më shumë nga aksidenti. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Janinës, ku mjekët thanë se gjendja e njërit prej tyre mbetet kritike.

Zbulohen 3 parcela me Cannabis në Lazarat, një në pranga, dy në kërkim
GJIROKASTËR - Operacioni “Lindja e diellit” ka zbuluar tri parcela, secila me 200 rrënjë Cannabis, në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Një person ka rënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Policia e qarkut Gjirokastër sqaron se parcelat janë zbuluar afërsi të vendit të quajtur Bregu i Spilos. “Parcelat janë mbajtur nën vëzhgimin e vazhdueshëm nga ana e specialistëve dhe agjentëve të Sektorit Kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, me qëllim identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale”, - sqaron komunikata për shtyp. Pas një pune të mirëfilltë hetimore për identifikimin e pronarëve të parcelave, policia është vënë në veprim vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Rreth orës 05:00, në kuadër të operacionit “Lindja e diellit”, forcat e Sektorit Kundër Narkotikeve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të njërit prej autorëve të këtyre parcelave, Bersand Rabaj, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, ndërsa dy autorë të tjerë kanë mundur të largohen me shpejtësi me “një automjet, i cili është identifikuar”, - thanë burimet zyrtare të policisë lokale. Policia ka asgjësuar 600 rrënjë Cannabis si dhe ka sekuestruar një sasi municioni luftarak. Dy personat e shpallur në kërkim janë identifikuar dhe po punohet për arrestimin e tyre. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale “kultivim të bimëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, vepra këto të parashikuara nga nenet 284 dhe 278 të Kodit Penal.

Parcelë me Cannabis sativa, tre persona në pranga
SHKODËR - Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Shkodrës nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Policia ka arrestuar 36-vjeçarin Ndoc Prendi, banues në fshatin Dardhaj. Në pranga janë vënë edhe Hulë dhe Paulin Ndoja, banues në lagjen “Partizani”. Policia e Shkodrës tha se dy ditë më parë, në orën 20:00, u vunë në pranga: Ndoc Prendi, 36 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, rrethi Shkodër, Hile Z. Ndoja, 53 vjeç dhe Paulin K. Ndoja, 26 vjeç. Ndalimi i tyre është bërë pasi nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta persona janë autorë të kultivimit të bimëve narkotike Cannabis sativa, në lagjen “Gecaj” të fshatit Mazrek, komuna Guri i zi, Shkodër. Nga policia janë kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale, duke bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të rastit në fjale dhe materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”.

Gjendet i vetëvarur 35-vjeçari pranë Amfiteatrit
TIRANË - Një person është gjetur i vetëvarur një ditë më parë në mëngjes në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë. Sipas policisë, viktima është identifikuar si Florian Spahiu, 35 vjeç, nga qyteti i Pogradecit, por me banim në lagjen Shkozë. Trupi i pajetë është gjetur nga kalimtarë të rastësishëm, në zonën e Amfiteatrit, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nga deklarimet e të afërmve mësohet se i riu ishte larguar mbrëmjen e së premtes nga banesa. Ai vuante nga depresioni në kushtet e një papunësie gati 10-vjeçare dhe mbrëmja e dy ditëve më parë nuk ishte hera e parë që ishte larguar nga banesa. Por ajo ka qenë e fundit, pasi ai i ka dhënë fund jetës. Viktima 35-vjeçare jetonte me të dy prindërit, të cilët ishin shpërngulur nga Pogradeci drejt Tiranës me shpresën për t’u punësuar, por jetonin në gjendje të rënduar ekonomike.

Betonierja përplas kalimtaren, vdes e moshuara
TIRANË - Një e moshuar është aksidentuar për vdekje nga një betoniere paraditen e djeshme, në bulevardin “Zhan D’Ark” në Tiranë. Burimet të policisë thanë se rreth orës 10:00 gruaja ka qenë duke kaluar nga njëra anë në anën tjetër të rrugës në bulevardin “Zhan D’Ark”, në afërsi të Urës së Tabakëve, kur është përplasur nga automjeti i rëndë. Gruaja, e cila me vonë u identifikua si Frosina Baboçi, 72 vjeçe, ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit me targë TR 9810 J, Laurent Doko, dhe është marrë në pyetje për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Aksidenti shkaktoi trafik të rënduar në bulevardin "Zhan D'Ark", kur makinat e policisë dhe ambulancat bllokuan për disa minuta kalimin e automjeteve.

22 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›