Subvencionimi i paneleve diellore për 2,000 familje, Balluku: Aplikimi hapet më 24 shkurt

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Qeveria mbështet me 70% subvencionim 2,000 familje për vendosjen e paneleve diellore për ngrohen e ujit, që synon të ulë me 20% koston e faturës mujore të energjisë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një video mesazhi në rrjete sociale njoftoi se është hapur thirrja e dytë për mbështetjen e 2000 familjeve për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit.
Sipas saj, ky proces është ndarë në dy faza aplikimi; në datën 4 shkurt është hapur thirrja për aplikimin për subjektet që ofrojnë këto shërbime dhe në datën 24 shkurt do të hapen aplikimet për konsumatorët familjarë.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia për Eficencën e Energjisë (AEE) kanë vendosur të lançojnë paketën e dytë në 2 mijë njësi, që do të jenë të disponueshme për të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të vendosin panele diellore për ngrohjen e ujit. Këto panele do të ulin faturën e energjisë mujore me të paktën 20 %. Ky proces, do të ndahet në dy faza. Në datën 4 shkurt të këtij viti, të gjitha ato subjekte që dëshirojnë të ofrojnë shërbime, instalimin dhe panele diellore për të gjithë familjarët që do të aplikojnë, duhet të aplikojnë në faqen zyrtare të Agjencisë për Eficencën e Energjisë. Në datën 24 shkurt nis faza e dytë dhe thirrja është e hapur për të gjitha ata familjar që kanë dëshirë të pajisen me këto panele diellore të cilat subvencionohen me 70% nga fondet e krijuara nga AEE”, u shpreh ministrja, teksa ndau linkun: eficenca.gov.al .për më shumë detaje.
Balluku bëri të ditur se janë në dispozicion të qytetarëve 2,000 mjete për tu përdorur në këtë paketë që incentivon uljen e kostove për energjinë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.
Falë thirrjes së parë 1,981 familje në të gjithë vendin kanë të instaluara sot në banesat e tyre panelet diellore për ngrohjen e ujit, të subvencionuara në masën 70% nga buxheti i shtetit.
/a.f/