Suedi, zhvillohet festivali i krijuesve nga diaspora shqiptare

Malmë, 18 tetor - Poezia më e mirë u shpall ajo e Shukrije Pllashnikut Rama, kurse nga krijuesit muzikor, u shpërblyen Zeqirja Ballata dhe Ahmet Bella
Nga Ramadan Reshitaj
Malmë Suedi, 18 tetor NOA - Në qytetin jugor të Suedisë, në Malmë, u mbajt Festivali i Tetë i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë.
Mbi 35 krijues letrar shqiptarë nga Suedia, Norvegjia, Gjermania e Franca dhe krijues muzikorë shqiptarë nga Suedia e Sllovenia, prezantuan punimet e tyre.
Juria e Festivalit, e udhëhequr dr Sali Bashota, ndau të gjitha shpërblimet e Festivalit. Vendin e parë për krijimet letrare e zuri poezia Ishulli i dashurisë autore e së cilës ishte Shukrije Pllashniku Rama.
Vendin e dytë e mori poezia Flakë dëshirash e Bqir Hatashit dhe vendin e tretë e ndanë Afërdita Xani me poezinë Në luftë me vetveten dhe Zyrafete Kryeziu Manaj me poezinë Vasha e valëve.
Çmimin letrar të Festivalit Kosovë Rexhë Bala juria ia ndau poezisë së Muhamed Krasniqit Me vargun e dritës, kurse vepra artistike e piktorit akademik Shyqri Gjurkaj iu dha Riza Sheqirit për poezinë Për atdheun.
Sa i përket krijimtarisë muzikore, Juria e Festivalit shpërbleu kompozitorin nga Maribori i Sllovenisë, Zeqirija Ballata për veprën Ndarja dhe kompozitorin nga Malmë, Suedi, Ahmet Bella për veprën Yllin e pashë shumë të madh.
Në kuadër të veprimtarive përcjellëse të këtij manifestimi që organizohet nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi dhe që mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, u bë edhe promovimi i librave të Fetah Bahtirit, Hamit Gurgurit e të Beqir Hatshit që jetojnë dhe krijojnë në Suedi.
r.r/f.sh/NOA