E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Giffoni Shqipëria”, në vëmendje të të rinjve



Pas çeljes së edicionit të pestë në Shkodër, qindra fëmijë kanë ndjekur filmat më të mirë të dy viteve. Salla e kinema “Millenium” në Shkodër ka pasur një publik të veçantë gjatë festivalit. Fëmijë dhe të rinj kanë mbushur sallën, për të ndjekur filmat e edicionit të pestë të “Giffoni Filmfestival Shqipëria”. Diskutime mbi filmat dhe tematikat kanë shoqëruar seancat e projeksionit. Në këtë vit jubilar, festivali e ka nisur rrugëtimin e tij nga qyteti i Shkodrës, i cili edhe pesë vjet më parë, në nëntor të 2005-s ishte i vetmi qytet pas Tiranës që priste “Giffoni Shqipëria”. Postera në rrugët e qytetit njoftojnë çeljen e festivalit, ndërsa fëmijë dhe të rinj, gjatë tri seancave, kanë mundur të ndjekin filmat e përzgjedhur për këtë edicion. Janë tema interesante që i adresohen pikërisht moshës që i adresohet ky festival, 12-19-vjeçarëve. Programi përfshin prodhime të studiove të mëdha amerikane, kanadeze, dy gjermane dhe një holandeze. Në tërësi janë 10 filma të metrazhit të gjatë dhe 8 të shkurtër. Në çeljen e edicionit të pestë, presidenti i këtij festivali, Namik Ajazi, është shprehur se ky aktivitet i ka përmbushur disa nga qëllimet e tij kryesore. “Bilanci është pozitiv. Unë bashkë me stafin ndihemi entuziastë, sepse kemi sjellë formatin më të madh të filmit për fëmijë dhe të rinj në botë falë dashamirësisë së Claudio Gubitosit. “Giffoni Filmfestival” ka qenë që në vitin 1984 i predispozuar ndaj kinemasë shqiptare dhe ne mundëm ta vazhdojmë këtë traditë. Ne kemi mundur të bëjmë pjesë të këtij eventi gati 30 mijë fëmijë nga të gjitha qytetet kryesore, kemi dhënë 15 çmime dhe kemi mundësuar që nga fëmijët pjesëmarrës në këto pesë edicione të çojmë një juri ndërkombëtare në “Giffoni-n” mëmë që zhvillohet çdo korrik në Itali. Një pjesë e tyre kanë pasur mundësinë të shohin magjinë e madhe të Holliudit sepse prej pesë vjetësh “Giffoni” zhvillon ditët e filmit në Hollivud”, - thekson Ajazi. Jurisë ndërkombëtare të të rinjve e ndarë në dy kategori (mosha 12-15 vjeçe dhe 15-19 vjeçe) që vijnë nga Italia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, për herë të parë sivjet i shtohen edhe fëmijë e të rinj nga Kosova. Ajazi shprehet se vitin e ardhshëm po punohet që “Giffoni” të bëjë një tur në gjashtë qytete të Kosovës. Ndërkohë që sipas tij, në këta pesë vjet, “Giffoni” ka arritur të tërheqë vëmendjen e brezit të ri ndaj kinemasë. “Fëmijët dhe të rinjtë e kanë mirëpritur si format. Kjo tregon se në kinematë tona, të cilat sot frekuentohen pak ose aspak, në të nesërmen, kur ky brez të jetë frekuentues i rregullt i këtyre institucioneve të rëndësishme, do të jenë plot”, - thekson ai. Ndërkohë që aprovimi nga bordi artistik i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë të një filmi për fëmijë, një bashkëprodhim me “Giffoni Production Film Festival” për të është një tjetër hap në sensibilizimin për domosdoshmërinë e këtij zhanri në kinemanë tonë. “Është një film me skenar të Ruzhdi Pulahës që rrok temën e gjakmarrjes dhe jetës në raport me fëmijët dhe të rinjtë që e provojnë atë. Kasti do të zgjidhet në fillim të pranverës kur pritet të fillojnë edhe xhirimet. Jam i kënaqur që një ndër objektivat e “Giffoni-t” është përmbushur”, - thekson Ajazi. Pas Shkodrës, festivali do të shkojë në Elbasan, Durrës, Korçë për të pasur finalen e madhe në 28 tetor në Teatrin e Operas në Tiranë. Në këtë mbrëmje do të ndahen tri çmime për filmin më të mirë, që do të vendosen nga dy kategoritë e jurisë (12-15-vjeçarët dhe 15-19-vjeçarët) si dhe çmimi i karrierës që për të dytin vit mban emrin e regjisores së ndjerë për fëmijë, Xhanfize Kekos.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›