Suedia në krye të Bashkimit Europian, mbështetje për Ballkanin
Blerina Olldashi
Menjëherë pas thirrjeve të presidentit serb Boris Tadiç drejtuar serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit kanë reaguar autoritetet kosovare. Sipas tyre në Kosovë ekzistojnë rrethana normale për zgjedhje të lira e demokratike dhe për këtë serbët duhet të jenë pjesë e procesit të votimit ashtu si edhe vetë kosovarët. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e cilëson deklaratën e presidentit Tadiç si vazhdimësi të politikës së vjetër serbe ndaj Kosovës dhe shembull të një politike që nuk përkon me përmirësimin e raporteve ndërfqinjësore me Kosovën. Presidenti serb më herët u bëri thirrje serbëve të qëndrojnë larg kutive të votimit në zgjedhjet lokale në Kosovë pasi nuk janë krijuar kushtet e përshtatshme. Sipas tij këto zgjedhje nuk janë të vlefshme për Serbinë sepse po zhvillohen sipas një plani ndërkombëtar, të cilin Serbia e ka hedhur poshtë.
Në dallim nga Tadiç, zëvendëskryeministri Kuçi u bën thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë aktivisht në procesin zgjedhor, të paraparë për datën 15 nëntor. “Është në vazhdën e politikës që e ka pasur edhe Millosheviçi më herët, e të cilën po e vazhdon edhe sot Qeveria aktuale e Beogradit. Po ashtu është në vazhdën e krijimit të iluzioneve dhe pengesës së minoritetit serb për t’u integruar në institucione dhe në jetën politike e shoqërore të Kosovës dhe natyrisht ndikon në raportet ndërshtetërore në rajon”,- është shprehur Kuçi. “Jam i bindur se qytetarët serbë të Kosovës do t’i binden realitetit dhe pjesëmarrja e tyre në jetën politike e institucionale është më atraktive, më e pranueshme dhe më e mirë, sesa deklaratat që i përngjajnë stilit të Millosheviçit,- tha më tej zëvendëskryeminisri i Kosovës. Ndaj deklaratës së kreut të shtetit serb ka reaguar edhe zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, i cili nuk pranon në asnjë mënyrë se në Kosovë nuk jan krijuar kushte të përshtatshme për pjesëmarrje në zgjedhje. Ai sqaroi se presidenti Fatmir Sejdiu ka zhvilluar takime me partitë politike, përfshirë edhe ato të pakicës serbe dhe pret që subjektet politike dhe qytetarët serbë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme komunale në Kosovë. “Institucionet e vendit, në koordinim edhe me ato ndërkombëtare, të pranishme në Kosovë, zotohen që do të ekzistojnë të gjitha rrethanat e nevojshme për zgjedhje të drejta, korrekte dhe të lira në Kosovë”,- u shpreh Beqiri. “Prandaj, ne u bëjmë thirrje sërish qytetarëve serbë, subjekteve politike, që t’i bashkëngjiten procesit të përgjithshëm për forcimin e demokracisë në vend dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të delegojnë të besuarit e tyre në qeverisjet lokale”,- u shpreh Beqiri.
2 Korrik 2009