E Shtunë, 31 Tetor 2026

310 policë serbë kthehen në vendet e punës



Pjesa më e madhe e pjesëtarëve serbë të Policisë në Kosovë janë kthyer në vendet e tyre të punës, duke injoruar kështu Qeverinë e Serbisë. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarët e policisë në vend, të cilët saktësuan se kthimi ndodhi në ditën e fundit të afatit për kthim, më 30 qershor. Sipas njoftimeve vetëm 15 nga 325 policët serbë, që u larguan nga vendet e tyre të punës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit të kaluar, nuk i janë përgjigjur afatit përfundimtar. Por, zyrtarë serbë në Beograd i kanë cilësuar si spekulime pohimet e autoriteteve në Prishtinë për kthimin masiv të pjesëtarëve serbë në policinë e Kosovës.
Sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç u shpreh se qeveria e Serbisë kërkon një marrëveshje me EULEX-in edhe për policët serbë por edhe për një numër çështjesh të tjera. Pjesëtarët serbë të policisë së Kosovës i lanë vendet e punës pas shpalljes së pavarësisë së saj në shkurtin e vitit të kaluar dhe u pezulluan me pagesë nga autoritetet e Kosovës.

2 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›