Policia në kërkim të shoferit që aksidentoi 9-vjeçarin
DURRËS - Një 9-vjeçar nga Durrësi është ende në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë pasi u aksidentua nga një automjet. Policia prej tre ditësh është në kërkim të drejtuesit të automjetit që u largua pa i dhënë ndihmë vogëlushit. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në orën 21:00 të së hënës në rrugën automobilistike që kalon pranë fshatit Shkallnuer të rrethit të Durrësit. Nga veprimet e para hetimore, rezulton se 9-vjeçari A. G. ka qenë duke ecur përgjatë rrugës automobilistike dhe në momentin kur ka tentuar të kalojë nga njëri krah në anën tjetër të saj, është aksidentuar nga një automjet i pa identifikuar që po lëvizte me shpejtësi. Pas aksidentit drejtuesi është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Fëmija është ndihmuar nga kalimtarët e rastit, të cilët e kanë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit, ku pasi i është dhënë ndihma e parë, është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
2 Korrik 2009