E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukaj: Në Turqi, me mirëkuptimin e Fushajt

 

Sulmuesi Xhevahir Sukaj kthehet në stërvitje dhe ul tonet, i gatshëm për marrëveshje

Ka mbërritur të martën pasdite në Shqipëri, ndërsa dje ka dalë në stërvitje me Vllazninë. Ashtu siç e kishte deklaruar edhe më parë, Xhevahir Sukaj do t'i shërbejë skuadrës së tij deri në fund. Që do të thotë se do të luajë me kuqeblutë deri në ndeshjen e kthimit me sllovenët e NK Koperit dhe më pas mund të largohet. Gençerbirligi e pret të firmosë. Ndërkohë, presidenti i klubit shkodran, Valter Fushaj, e ka bërë të qartë publikisht se nuk do të lejojë të largohet asnjë futbollist pa lejen e tij. Edhe Sukaj në fakt duket se largimin e ka menduar vetëm, pasi i ka "kopsitur" mirë gjërat me numrin 1 të klubit. Dje paradreke, lojtari dhe presidenti i Vllaznisë janë takuar në ambientet e hotel "Colosseut" dhe kanë biseduar jo pak me njëri tjetrin. I pyetur pas këtij takimi, se cili ishte objekti i bisedës, Sukaj është përgjigjur: "Thjesht biseduam në lidhje me ofertën turke. Ia bëra të qarta presidentit të gjitha gjërat dhe e kemi lënë të flasim vetëm pas ndeshjes së kthimit të Kupës UEFA". Por sulmuesi 20-vjeçar nuk mund të largohet pa marrë lejen e presidentit të Vllaznisë. Vetë autori i dy golave në ndeshjen e zhvilluar në Slloveni, para një jave, e ka konfirmuar këtë: "Normalisht që largimi im drejt Turqisë për të biseduar me drejtuesit e Gençerbirligisë është bërë me lejen e presidentit Fushaj. Por unë kam detyrime ndaj klubit dhe, për rrjedhojë, e kemi lënë që më datë 1 gusht të ulemi e të bisedojmë sërish. Nëse gjejmë gjuhën e përbashkët me drejtuesin më të lartë të Vllaznisë, mund të largohem menjëherë, sepse klubi turk më pret më 2 gusht për të firmosur. Me ta kam mbyllur çdo gjë, sa i takon anës financiare të kontratës, por para se të firmos, mund të bisedojmë sërish." Logjika është e thjeshtë: sulmuesi i talentuar do të lejohet të largohet pasi të ketë derdhur në arkën e klubit shkodran një shumë të caktuar të hollash. Me këtë kusht duket se të dy palët kanë rënë dakord dhe ajo që mbetet është vetëm mbarimi i ndeshjes me NK Koper. Rezultati 2 1 në favor të shkodranëve në ndeshjen e parë i favorizon së tepërmi ata për ndeshjen e kthimit, që do luhet të enjten e ardhshme në "Loro Boriçi". Dy golat e shënuar nga Xhevahir Sukaj në Nova Gorica kanë qenë një garanci më tepër për kuqeblutë për të kaluar në turin tjetër. Por detyra e tij nuk ka mbaruar këtu, pasi do të duhet edhe ndonjë gol tjetër, për ta çuar Vllazninë në turin e dytë. Mëngjarashi shkodran e ka të qartë këtë gjë dhe njëkohësisht do të ishte mënyra më e mirë që Gençerbirligi të mos "qahej" për paratë që ka menduar të shpenzojë për këtë lojtar, i cili është vetëm në fillimet e karrierës së tij dhe premton shumë për të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›