Grekët ndërrojnë mendje për Vrapin dhe Fagun
Drejtuesit e Thrasivoulisit janë gati të bëjnë një rritje financiare që dy mbrojtësit të mos largohen
Endri Vrapi dhe Erbim Fagu vazhdojnë të jenë ende pjesë e ekipit grek të Thrasivoulisit. Dy mbrojtësit kryeqytetas ndodhen në Greqi prej dy javësh, ku po shihen me imtësi nga drejtuesit e ekipit të porsangjitur në superligë, Thrasivoulis Fisas. Kur dukej se marrëveshja financiare mes lojtarëve dhe grekëve nuk po arrihej, ndërkohë që Vrapi me Fagun po bënin valixhet për t'u kthyer në Shqipëri, ka ndodhur edhe kthesa e madhe. Stafi teknik i Thrasivoulist kanë këmbëngulur pranë sponsorëve që të rishikohet kontrata e propozuar, në mënyrë që futbollistët nga kryeqyteti të mund të qëndrojnë në ekip për sezonin e ri. Kaq ka mjaftuar që të rihapen edhe një herë tjetër bisedat në terma financiare, ndërkohë që Vrapi me Fagun vazhdojnë ende të stërviten me grupin e lojtarëve. Të dy lojtarët, që e mbyllën sezonin në radhët e Tiranës, në deklarimin e tyre për gazetën, shprehen: "Nuk jemi nisur ende për në Shqipëri, sepse drejtuesit grekë kanë kërkuar që të rihapim bisedat për sa i takon anës financiare. Kontratat e para që ata na propozuan, ishin të nivelit të kampionatit shqiptar dhe rrjedhimisht ne nuk pranuam, duke u bërë gati për të ardhur në Tiranë. Por gjërat ndryshuan pak orë më vonë, kur drejtuesit grekë na kërkuan që të vazhdonim stërvitjen, sepse mund të bisedonim sërish për anën financiare. Ndoshta sot ose nesër do të marrim një tjetër ofertë, të cilën pasi ta shqyrtojmë, mund të vendosim përfundimisht se çfarë do të bëjmë,"- shprehen futbollistët, të cilët, me sa duket, kanë kërkuar të qëndrojnë të dy tek ekipi i Thrasivoulisit, për shkak të shoqërisë që kanë me njëri-tjetrin. Duke parë këtë lëvizje të drejtuesve grekë, të krijohet përshtypja se ata kanë mbetur të kënaqur nga paraqitja e lojtarëve kryeqytetas, por kërkojnë t'i mbajnë me çmimin më të ulët të mundshëm, për faktin se janë shqiptarë dhe jo brazilianë apo argjentinas. Por, Vrapi dhe Fagu, duken të vendosur në kërkesat e tyre financiare, pasi përndryshe ata kthehen në Shqipëri, ku i pret Tirana dhe Elbasani, me parametra thuajse të njejtë. Një gjë është e sigurt, se brenda kësaj jave do të mësohet përfundimisht fati i dy futbollistëve të talentuar të kampionatit shqiptar. Ndërkohë, sikurse dihet pranë këtij ekipi, janë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë që vazhdojnë stërvitjen. Ata janë që të dy portierë, i njohur Ervin Llani, që është aktivizuar me Shkumbinin dhe i riu Xhino Sejdo nga Olimpiku i Tiranës.