Sukaj, vjen debutimi në Egjipt: Mezi po e prisja këtë moment
Pas shumë peripecish për sa i përket dokumentacionit që do të vinte nga Orduspori (ish-ekipi i tij), Xhevahir Sukaj më në fund arriti të debutonte në Premier Ligën egjiptiane. Në ndeshjen El Gaish-Al Ismaili 1-1, bomberi shkodran hyri si zëvendësues në vend të sulmuesit tunizian, Seliti, në minutën e 60. "Më në fund arrita të debutoj, u shpreh sulmuesi për ‘albaniasoccer.com’. Fusha më ka munguar shumë dhe mezi po e prisja këtë moment. Mund të them që ishte një debutim mjaft pozitiv për mua, madje pata edhe një rast shënimi, por u tregua shumë i zoti mbrojtësi, që shpëtoi portën”. Ekipi i shkodranit renditet në vendin e tretë dhe javën tjetër do të luajnë kundër Al Ahly, një ekip me shumë emër në Egjipt. “Në kampionat nuk kemi shumë shpresa për titull, por në Champions League të Afrikës jemi në 16-she dhe kemi ndeshjen e kthimit kundër sudanezëve të El Hilal. Në ndeshjen e parë në Sudan kemi fituar 1-0. Gjithashtu edhe në kupën e Egjiptit jemi në 8-she". Duket se edhe trajneri ka qenë i kënaqur me paraqitjen e shkodranit, i cili ka dhënë mendimin e tij rreth aktivizimit të sulmuesit shqiptar: "Trajneri më tha që mbeti i kënaqur dhe pohon se jam lojtar shumë i nevojshëm për ekipin në këtë moment delikat të sezonit. Po luajmë çdo 4 ditë dhe kemi nevojë për lojtarë të freskët. Normalisht që nuk i kam 90 minutat në këmbë, por tashmë besoj se do të aktivizohem rregullisht dhe do të arrij formën time optimale”, nënvizoi Sukaj. Sulmuesi e ka nisur karrierën e tij kur ishte vetëm 16 vjeç me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë. Pas një sezoni te ky klub, ai u transferua tek Elbasani, nga ku më pas u rikthye sërish te Vllaznia, por këtë herë për t’u integruar në skuadrën e parë të kuqebluve. Në janar të 2008-s u shit te Gençlerbiligi, që e huazoi te skuadra tjetër turke Haxhetepe. Një vit më vonë u rikthye sërish në vendlindje, për të luajtur me Vllazninë gjysmë sezoni. Në 2009-2010 u transferua tek ekipi i kategorisë së dytë turke, 0rduspor, me të cilin luajti 11 ndeshje dhe shënoi 4 gola. Ishte ky ekip, ai që e ka dhënë vetëm pak kohë më parë në formë huazimi tek egjiptianët e Al Ismaili, me të cilën do të militojë për pjesën e mbetur të sezonit.
#