Curri zhvishet në festën e ngjitjes së Aues në Liga II
Skerdilajd Curri feston si “i çmendur” ngjitjen e skuadrës së tij Erzgebirge Aue. Pas një sezoni në Ligën III gjermane, ekipi i Aues ka mundur të fitojë të drejtën për t’u ringjitur një kategori më lart dhe ndaj gëzimi i futbollistit nga Kavaja ka qenë i papërmbajtshëm. Një gjë e tillë është vënë re nga të gjithë të pranishmit në stadiumin e Erzgebirges në ndeshjen e 30 prillit kundër Anjtracht Branunshvain, e cila u mbyll me fitoren 2-1 të mesfushorit shqiptar, që ishte protagonist edhe me një asist. Në përfundim të takimit Curri ka vrapuar të festojë me tifozët, para të cilëve nuk ka ngurruar të heqë rrobat, duke dalë thuajse krejtësisht i zhveshur. Bluzën dhe mbathjet me numrin e tij, ai ua ka dhuruar fansave. Të pranishëm në shkallët e stadiumit kanë qenë edhe prindërit e Skerdit, babai dhe mamaja. Madje mediat gjermane kanë vënë theksin edhe te një detaj interesant: babai i mesfushorit gjatë gjithë kohës ka mbajtur në kokë një kësulë tipike shqiptare. Erzgebirge për momentin pozicionohet e para në tabelën e klasifikimit të Ligës se Tretë gjermane dhe pas triumfit në ndeshjen e fundit ka garantuar promovimin e saj në Bundesligën 2 gjermane për sezonin e ardhshëm. Ndërsa i duhet edhe 1 pikë për të siguruar titullin e Ligës III.
#