E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sukaj vrasësi i grekëve, rrëmben një pikë

Autori i Lajmit: red.
Shqipëria U-21 regjistroi një barazim të çmuar 1-1 me Greqinë, edhe pse pati në fund të gjitha mundësitë për ta fituar takimin e marrë revanshin e asaj humbjeje në Athinë 2-1 vitin e kaluar. Formacioni i Artan Bushatit, edhe pse me gjashtë mungesa nga ai që triumfoi 1-0 me Kroacinë po në “Ruzhdi Bizhuta”, falë edhe golit të talentit të Xhevahir Sukaj (66 ), por dhe punës së jashtëzakonshme të Gilman Likës e zëvendësuesit Brian Filipi, arriti të vendoste ekuilibrat në fushë pas golit të pjesës së parë të realizuar nga Lazaras Kristodhulopulos (25 ). Për Shqipërinë ky ishte barazimi i dytë 1-1, pas atij me Azerbajxhanin në transfertë. Takimi u zhvillua në një ambient shumë miqësor, madje në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” ishte vendosur edhe një banderolë e shkruar në gjuhën greke: “Kallos irthate sto Elbasan” - Mirë se erdhët në Elbasan. Shpresat e Greqisë luajtën topin e parë, por rasti i parë ishte i Shqipërisë, kur në minutën e 2-të lojtarët tanë pretenduan për një penallti, por gjyqtari izraelit Kena nuk e konsideroi të tillë. Në minutën e 3-të, grekët ekzekutuan një goditje të lirë nga 18 metra, por topi përfundoi drejt e në duart e portierit tonë Enea Koliqi, i cili luan në Greqi me Iraklisin e Selanikut. Emiljano Vila, një minutë më pas ndërmori një aksion në anën e djathtë të sulmit tonë, por nuk arrin të kombinojë as me Sukajn dhe as me Malindin. Kapiteni Renato Arapi, ishte i pakalueshëm në dhjetë minutat e para. Gilman Lika, mesfushori shkodran, ishte ndër më aktivët në këtë fraksion loje. Në minutën e 12-të Lika lëshoi një top të gjatë për sulmuesin Xhevahir Sukaj, i cili, edhe pse iu zbulua markimit të rreptë të mbrojtjes greke, nuk mundi dot të godiste portën e Kasimerinis. Sulmuesi Enco Malindi lëshoi një top të gjatë nga e djathta, por Malotaj nuk arriti ta ndalojë brenda vijave kufizuese. 15 minutat e para ishin në një dominim të qartë të përfaqësueses sonë, duke kontrolluar gjithë vijën e mesfushës. Në minutën e 25-të erdhi edhe goli i Greqisë, kur Lazaros Kristodulopulos “xhiroi” brenda zonës të gjithë mbrojtjen shqiptare e më pas harkoi me zgjuarsi topin atje ku dhe tejzgjatja e Koliqit, nuk mund ta ndalonte dot. Një gol i formacionit grek, kur Shpresa jonë luante më mirë. Në minutën e 32-të, Gilman Lika i dhuroi një top Vilës, mesfushori i Teutës kaloi në fundore, harkoi bukur dhe Xhevahir Sukaj goditi me kokë. Mundësi e mirë për Shqipërinë për të barazuar. Në të 38-tën minutë Shqipëria realizoi një kryevepër: Vila dha një top për Sukajn, shkodrani bëri një “trekëndësh” me durrsakun, Vila i cili doli i lirë përballë portierit, gjuajti por topi përfundoi ngjitur me shtyllën e portës greke. Sukaj u shfaq i lodhur gjatë pjesës së parë të takimit. Në të 49 Rikas goditi nga më shumë se 30 metra, por Koliqi nuk pati asnjë problem. Kronika e lojës foli ne dhjetë minutat e para të pjesës së dytë më shumë për Greqinë. Iliadis gjuajti nga 20 metra, por miqtë u ndihmuan edhe nga çorientimi i lojtarëve tanë. Në minutën e 56-të erdhi edhe ndërrimi i parë për Shqipërinë, kur Malindi i la vendin sulmuesit të ri të talentuar të Ravenës në Itali, Brian Filipit, e tre minuta më pas, Erando Karabeci i Partizanit i zë vendin mesfushorit Ilirjan Çaushaj. Në të 64 zëvendësuesi Petropulos lëshoi një silurë nga 17 metra, por Koliqi arriti ta ndalojë në dy kohë. Në minutën e 65-të, Brian Filipi fitoi një goditje të lirë për Shqipërinë. Lika mori përsipër ekzekutimin nga 30 metra, Gilmani e harkoi sferën në zonë, dhe atje Sukaj me zgjuarsi dhe me cilësitë e një futbollisti të madh e zhyti me kokë topin në portën greke. Minuta e 66 dhe 1-1. Sukaj bëhet një “vrasës” i grekëve, pasi bëhet fjalë për golin e tij të dytë kundër Greqisë, përfshirë dhe golin e shënuar në ndeshjen e parë të humbur nga Shqipëria 2-1 në Athinë. Për të shtuar edhe një statistikë, ky ishte goli i gjashtë i Sukajt në eliminatoret e Euro 2009, një rekord unikal shqiptar. Për ta bërë akoma më intriguese ndeshjen, trajneri Nioplias hodhi në fushë edhe shqiptarin e natyralizuar si grek, Elin Dhimuço(s), i cili zuri vendin e kapitenit Iliadhis në minutën e 76-të. Tifozët e fishkëllyen Dhimuçon sa herë që prekte topin, por ai arriti të fitojë një faull mbi vijën e bardhë të zonës, madje gjyqtari izraelit ndëshkoi Likmetën me të verdhë. Rasti më i mirë për Shqipërinë ishte në minutën e 83-të, kur Brian Filipi me zgjuarsi iu shmang mbulimit të rreptë të mbrojtjes greke. Sulmuesi i Ravenës në vijën fundore lëshoi një top për Karabecin, por goditja e lojtarit të Partizanit u bllokua nga portieri grek Kasmeridis, i cili edhe për fatin e tij arriti të shpëtojë portën nga goli i sigurt. Minutat e fundit mbrojtja greke kaloi momente paniku, teksa Sukaj e Karabaci e shqetësuan jo pak vijën mbrojtjes mike. Në minutën e 92-të, Petropulos me një kërcim të fuqishëm goditi shtyllën e portës sonë, duke na rrezikuar seriozisht, pavarësisht përpjekjes së Koliqit. Filipi dha një top për Likën, i cili krosoi në zonë, Karabeci gjuajti nga 18 metra, por portieri Kasmeridis arriti të shmangte golin. Një shans tjetër për gol për Shqipërinë. Gjithsesi, pas gjashtë minutash shtesë dy ekipet u ndanë në barazim 1-1, duke ruajtur diferencën e pikëve, tashmë Greqia me 14 pikë, Shqipëria 11 pikë. Shqipëria, më 6 shtator do të luajë kundër Kroacisë jashtë fushe dhe katër ditë më pas me Azerbajxhanin në Shqipëri, njëherësh edhe ndeshja e fundit në eliminatoret e Kampionatit Evropian 2009 për Shpresat.

Stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasan

SHQIPËRI U-21 – GREQI U-21 1-1

Shënues: Sukaj 66 / Kristodulopulos 25

SHQIPËRIA U-21: Koliqi, Arapi (k), Likmetaj, Ramazani, Malotaj, Lika, Çaushaj (62 Karabeci), Zeqiri, Vila (89 Thana), Sukaj, Malindi (56 Filipi). Trajner: Artan Bushati.

GREQIA U-21: Kasmeridis, Siondis, Galicios, Balafas, Ionadhis, Iliadis (76 Dhimuços), Iancis, Rikas, Mitroglu (59 Petropulos), Kristodholupulos, Papadhopulos (87 Giorgadis), Trajner: Nikos Nioplias

Ndeshjet e mbetura

06.09.2008
Kroaci-Shqipëri

10.09.2008
Shqipëri- Azerbajxhan

RENDITJA
Italia 8 22
Kroacia 8 18
Greqia 8 14
SHQIPËRIA 8 11
Ish.Faroe 8 3
Azerbajxhani 8 1
Ky lajm është publikuar: 21/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›