90% e familjeve shpenzojnë 16 mijë lekë në muaj, të tjerat, 3 herë më shumë
Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve në Shqipëri është thelluar shumë dhe tashmë më pak se 10% e familjeve zënë rreth 30% të konsumit total të vendit. Të dhëna të Institutit të Statistikave bëjnë me dije se thellimi i hendekut shoqëror në vend bëhet edhe më i dukshëm te sasia e parave që shpenzojnë familjet shqiptare në një muaj, ku rreth 90% e familjeve shpenzojnë mesatarisht rreth 16 mijë lekë në muaj, ndërsa pjesa tjetër prej 10 % shpenzojnë nga 52 mijë lekë në muaj ose 3 herë më shumë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në vitet e fundit disniveli shoqëror ka përjetuar thellimin më të madh, ndonëse që prej vitit 2002 hendeku ka nisur të ketë shenja të tilla. Edhe niveli dhe struktura e shpenzimeve për konsum ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe përbërjes familjare, të cilët ndikojnë në mënyrën e shpërndarjes së parave që shpenzon një familje. Kësisoj, sipas të dhënave të INSTAT, familjet e përbëra nga disa persona dhe çiftet me fëmijë shpenzojnë më shumë për ushqim, veshje, transport etj., krahasuar me llojet e tjera të familjeve. Ndërsa familjet me një person të vetëm dhe çiftet pa fëmijë shpenzojnë më shumë se llojet e tjera të familjeve për kujdesin shëndetësor dhe për banesën. Tirana paraqet konsumin më të lartë në vlerë, krahasuar me të gjitha prefekturat e tjera, ku në fakt vihet re edhe hendeku më i thellë mes të pasurve dhe të varfërve. Në Tiranë, sipas të dhënave, familjet e varfëra shpenzojnë 5 herë më pak sesa një familje e pasur. Ndryshime vihen re në konsumin e shpenzimeve sipas grupimeve të ndryshme, midis fshatit dhe qytetit. Kështu, kuota më e lartë e buxhetit total të familjeve shpenzohet për ushqimet, që arrijnë në 49.5 % në zonën rurale, kundrejt 45.8% në zonën urbane. Këtë përqindje të lartë të shpenzimeve për ushqime nuk e ka asnjë vend në rajon dhe në Evropë dhe kjo për shkak se atje të ardhurat janë të larta dhe ushqimet përballohen në Evropë me rreth 25% të shpenzimeve dhe në rajon me rreth 37-38% të shpenzimeve. Shpenzimet për ushqime kapin vlera të tilla prej 50% si në Shqipëri vetëm në vendet e Afrikës dhe disa syresh në kontinente të tjera. Fakti që në Shqipëri 90 për qind e familjeve shpenzojnë konsumojnë secila një sasi parash tri herë më të vogël sesa 10% të tjera, ka bërë që vendi ynë të renditet në këtë tregues te vendet afrikane. Instituti i Statistikave saktëson me anë të të dhënave të tij edhe detaje të jetës shoqërore në vend. Kështu, në fshatra shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan janë më të larta se në zonën urbane, 4.9%, kundrejt vetëm 3.8% çka do të thotë se në fshat, duke qenë se të ardhurat janë edhe më të ulëta se në qytet, dhe shpenzimet që një familje atje kryen për veshmbathje, arsimim, argëtim etj., janë më të ulëta sesa në qytetet, atëherë pesha e shpenzimeve pije alkoolike dhe duhan kundrejt këtyre shpenzimeve është më e madhe sesa pesha e tyre në shpenzimet në qytet. Veç kësaj duket se kafeneja e fshatit ka rolin e vet. Të dhënat tregojnë një mori zërash të shpenzimeve, por më domethënësja e tyre dhe ajo që është e pranishme në të gjithë këta zëra, është fakti që familjet shqiptare janë në masën 90% të varfëra dhe se 50 për qind e shpenzimeve e tyre shkojnë për ushqime.