E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet në spitale, rrisin shpenzimet në antibiotikë

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Infeksionet spitalore

“Burimet kryesore të infektimit brenda spitaleve janë personeli dhe pacientët, që janë bartës të shëndoshë të stafilokokut në hundë dhe grykë, por edhe kontaminimi i objekteve aparaturave, instrumenteve biankerisë dhe ajrit”

Infeksionet spitalore janë infeksione që qarkullojnë brenda spitalit dhe që shfaqen mbas ditës së tretë të shtrimit. Ato shoqërohen me shfaqjen e temperaturës dhe shenja të tjera të infeksionit dhe që përfitohen gjatë hospitalizimit të pacientëve. Studimet epidemiologjike tregojnë se këto infeksione jo vetëm shtojnë koston ditore, por zgjasin ditëqëndrimin e pacientëve në çdo rast. Kjo gjë çon në zgjatjen e ditëqëndrimit të pacientit mesatarisht 5-8 ditë mbi ditëqëndrimin mesatar dhe shtimin e shpenzimeve spitalore për këtë arsye dhe për shkak të shpenzimit pa kriter të antibiotikëve. Sipas studimit të kryer nga institucionet e shëndetit publik në vend, burimet kryesore të infektimit brenda spitaleve janë personeli dhe pacientët që janë bartës të shëndoshë të stafilokokut në hundë dhe grykë, por edhe kontaminimi i objekteve, aparaturave, instrumenteve, biankerisë dhe ajrit. Gjëja më e dukshme është dominimi i rasteve pozitive në kirurgji dhe reanimacion. Sipas specialistëve, kjo gjë shpjegohet me procedurat invazive, prishjen e tërësisë anatomike të lëkurës dhe sëmundjet bazë të pacientit. Përqindja e lartë e infeksioneve e shton shumë koston e këtyre infeksioneve në shërbimin terciar spitalor. Megjithëse shpesh antibiotikët blihen nga familjarët dhe nuk ndikon tërësisht në koston e antibiotikëve të blerë në spital kjo kosto mbetet dhe numri i ditëqëndrimeve rritet. “Vetëm se ne nuk mund të llogaritim saktë vlerën e antibiotikëve të shpenzuar”, - argumentojnë specialistët në studim.
Studimi
Gjatë një monitorimi në pavijonet e QSUT-së u kontrolluan kartelat e pacientëve të shtruar në reanimacion dhe kirurgji. U plotësua skeda individuale me ankesat, mjekimin, egzaminimet, analizat bakterologjike të kërkuara nga mjeku kurues, kostoja e antibiotikëve të marrë dhe ditëqëndrimi i realizuar, i cili u krahasua me ditëqëndrimin mesatar për këtë vit. U nxor përqindja e infeksioneve spitalore për të gjithë pacientët e shtruar në spital(në repartet e kirurgjisë dhe reanimacionit). Kjo përqindje rezultoi 47% për rastet me mbizotërim të bakterit të stafilokokut të artë. Konkretisht, gjatë këtij monitorimi u kontrolluan kartelat e 320 pacientëve që rezultuan të shtruar në këtë periudhë dhe u krahasuan të dhënat e antibiotiko-rezistencës me antibiotikët e përdorur në spital 5 ditë përpara. Të 150 pacientëve që rezultuan pozitivë për infeksion spitalor nga numri prej 320 pacientësh iu bë antibiograma për 18 antibiotikë. U studiua antibiograma në tërësi për rezistencën ndaj antibiotikëve dhe antibiotiko-rezistenca sipas shtameve (kampioneve të baktereve).
Kostoja sipas reparteve
U analizua kostoja e ditëqëndrimit. Rezultoi se kostoja e ditëqëndrimit është e ndryshme sipas reparteve. Ajo është më e lartë në repartet me risk ku edhe përqindja e infeksioneve nozokomiale (spitalore) është mjaft e rritur. Rritja e ditëqëndrimit të këtyre rasteve në raport me ditëqëndrimin mesatar të pacientëve të tjerë është 8.5 d.q. më tepër. Në këto kushte shpenzimet për mbulimin e infeksioneve spitalore rriten shumë, pa llogaritur zgjatjen e paaftësisë për punë, vuajtjet dhe vdekjen. Pacientët me infeksione spitalore të vërtetuar bakteriologjikisht dhe të kontrolluar çdo ditë shpesh janë mjekuar me antibiotikë të ndryshëm joefektivë dhe ditëqëndrimet e tyre janë shumë të larta.
Shembull
Gjithsej gjatë një shembulli të një pacienti prej 101 ditëqëndrimi në reanimacion dhe 56 ditëqëndrimi në pavijon, kostoja e ditëqëndrimit llogaritet me 319.760 lekë për ditët në pavijon (me 5710 lekë ditëqëndrimi) dhe në reanimacion llogaritet në shumën e 32.935.280 lekë. Pra gjithsej në të dy pavijonet kostoja spitalore e një pacienti të vetëm llogaritet me 33.255.040 lekë. Sipas këtij studimi, kostoja e I.N (infeksioneve në spitale) prek thellësisht ekonominë nacionale. Efekti i saj nuk përcaktohet sistematikisht. Paguesit e dorës së tretë e shpërndajnë këtë kosto mes përfituesve duke mos bërë dallimin midis pacientëve me dhe pa infeksione spitalore.
Bakteret infektuese
Sikurse del nga të dhenat e studmit, stafilokoku aureus mbizotëron etiologjinë e infeksioneve spitalore duke u ndjekur nga bakteriet Gram Negative që gjithashtu zënë vend të rëndësishëm si shkaktarë të infeksioneve spitalore duke marrë
parasysh origjinën e tyre. Pseudomonas aeruginoza është një nga shtamet (kampion bakteri) më të gjetur në repartet e djegies. Kjo për shkak të plagëve, mjedisit të lagësht dhe ushqyes që ekziston, kohëzgjatjes së qëndrimit,etj. Infeksionet e gjetura këtu nuk janë tërësisht spitalore (nozokomiale) por të kombinuara me florën e ambientit ku ka ndodhur djegia. Gjithsesi, rezistenca e këtyre infeksioneve ndaj antibiotikëve të zakonshëm është e lartë dhe mjekimi shpesh i vështirë. “Kostoja e këtyre të sëmurëve është shumë e lartë, po ashtu edhe mortaliteti. Niveli i ulët i higjienës krijon stafilokokët multirezistentë që krijojnë probleme të mëdha në spitale”, - theksohet në studim.
Rezistenca e baktereve
Shtamet (kampionet) më të përhapura në reparte janë stafilokoku i artë mbi 50% dhe me pak(30%) bakteret gramn-negativ. Antibiotiko-rezistenca e bakterit të stafilokokut të artë të izoluara në QSUT është shumë e lartë ndaj Penicilinës në masën 97.2 %, Ampicilines 94.4 %, Gentamicines 63.9 % dhe Baktrines 94.4 %. Kjo rezistencë është në shifra disi më të ulëta për Chloramphenikolin 61.1 % dhe Tetraciklinës 66.7 %. Rezistenca e izolateve ndaj Meticilines rezulton 57.1 % pra në nivel shumë të lartë.(60 % është niveli maksimal). Rezistenca e tyre është e ulët ndaj Pefloksacines Cefotoksines 5.6 %, Norfloksacin dhe Ciprofloksacin me 27.8 %, Piperaciline 38.9 %, Amikacine dhe Cefuroksine 47.2 % dhe Oksacilines 58.3 %, Eritromicines 66.7 %. Pra Penicilina, Ampicilina, Baktrima janë praktikisht të papërdorshme për profilaksinë dhe mjekimin e infeksioneve nozokomiale duke pasur parasysh nivelin mjaft të lartë të antibiotiko-rezistencës të këtyre shtameve që në vitet 90 e deri më sot.
Klinikat
Të dhënat e shërbimit kirurgjikal për llogaritjen e kostos spitalore tregojnë se klinika e parë ka kosto ditore më të lartë se klinika II, kirurgjia infantile, klinika III, reanimacioni i përgjithshëm, plastika, kardiokirurgji + angiologji. Totali i përgjithshëm rezulton 211.448.518.8 lekë me 8 ditë qëndrim shtesë ( me 47% niveli i infeksioneve spitalore). Me futjen në eficensë të kontrollit të infeksioneve teorikisht ulet me 1/3 e vlerave harxhimi për infeksionet spitalore, në 211.448.518.8 lekë kursehen 70.482.839.6 lekë. Buxheti i QSUT për vitin që u bë studimi ishte 882.625.000 lekë. Vlerat e shpenzuara përbëjnë respektivisht 23.95% të buxhetit të QSUT. Në rast organizimi dhe funksionimi i kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve vlerat e kursimit të harxhimit për infeksionet spitalore variojnë 7.9 % ( për 47% I.N )
të vlerës të buxhetit të QSUT.
Kostot direkte
Kostoja direkte përcaktohet si kosto specifike e trajtimit të sëmundjes (shpenzimet e shtrimit, medikamenteve, pagesa e personelit mjekësor, ujë, dritat). Kostoja indirekte përmbledh uljen e produktivitetit nga paaftësia për punë, kostoja e dhimbjes, vuajtjes dhe vdekja. Kostoja direkte shpesh përmbledh shpenzimet spitalore nuk është kostoja reale e cila është e vështirë të përcaktohet. Kostoja indirekte përfshin humbjen personale të të ardhurave, si pasojë e trajtimit të sëmundjeve. Ndryshimet e terapisë me antibiotikë të rinj të kushtueshëm me efektivitet të lartë ulin koston indirekte dhe shtojnë atë direkte. “Eshtë e vështirë të llogariten me para dhimbja, vuajtja, paaftësia për punë. Stafilokokët janë shkaktarët kryesorë të infeksioneve nozokomiale në klinikat tona”, - theksohet në studim.

Infeksionet spitalore

Infeksionet nozokomiale janë infeksione që qarkullojnë brenda
spitalit dhe që shfaqen klinikisht mbas ditës së tretë të shtrimit me shfaqjen e temperaturës dhe shenja të tjera të infeksionit dhe që përfitohen gjatë hospitalizimit të pacientëve. Sipas të dhënave të CDC infeksionet nozokomiale janë një ndër dhjetë shkaqet kryesore të mortalitetit në SHBA. Studimet epidemiologjike për infeksionet nozokomiale kanë rëndësi për të sensibilizuar opinionin mjekësor, por edhe atë publik për gravitetin e këtij problemi, gjë për të cilën duhen nxjerrë shifra konkrete dhe të sakta të cilat tek ne janë mjaft të larta. Studimet epidemiologjike përcaktojnë faktorët që duhen përmirësuar në ndjekjen dhe kontrollin e Infeksioneve Spitalore. I.N.jo vetëm shtojnë koston ditore por zgjasin ditëqëndrimin në çdo rast. Kjo gjë çon në zgjatjen e këtij ditëqëndrimi mesatarisht 5-8 ditë mbi ditëqëndrimin mesatar dhe shtimin e shpenzimeve spitalore për këtë arsye dhe për shkak të shpenzimit pa kriter të antibiotikëve. Shtamet nozokomiale shfaqin rezistencë të lartë që ndryshon vazhdimisht.

Objektivat e OBSH
OBSH-ja ka ndërmarrë iniciativë në fushën e kontrollit të infeksioneve spitalore ku ndër problemet kryesore të I.N. janë përcaktimi i:
1. Problemeve të infeksioneve të fituara në spital.
2.Tendenca e rritjes së rezistencës të patogeneve ndaj antibiotikeve(
3-Kosto-efektiviteti i kontrollit të infeksioneve
Organizimi i shërbimit të kontrollit të infeksioneve spitalore kërkon disa kushte
1.Prania e një mjeku të interesuar për Kontrollin e Infeksioneve.
2.Një personel shëndetësor të kontrollit të I.N. për çdo 250 shtretër.
3.Survejancë aktive e përhereshme.
4. Hartimi i një data-base për ontrollin infeksioneve për repartet kirurgjikale

Studimi
Përcaktimi i vlerave të kostos së ditëqëndrimeve në rastet me infeksione në QSUT si pasojë e ndryshimeve të antibiotiko-rezistencës të shtameve të infeksioneve nozokomiale.
1.Kosto efektiviteti i ngritjes te sherbimit të kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve në QSUT
2.Përcaktimi i shkaktarit kryesor të infeksioneve nozokomiale dhe studimi i antibiotikorezistencës bakterore aktuale në QSUT
3.Ndryshimet që kanë ndodhur në antibiotikorezistencën e shtameve
spitalore në dy dekadat e fundit.
4.Përcaktimi i kostos së shpenzimeve për infeksionet nozokomiale. Efektiviteti i antibiotikeve të rinj antibakteriale në profilaksinë dhe kontrollin e infeksioneve nozokomiale kirurgjikale.
5.Kostoja e infeksioneve nozokomiale të QSUT-së dhe përcaktimi i cilësisë së shërbimit në repartet e ndryshme.

Përfundime të studmit
1-Kostoja e infeksioneve nozokomiale është shumë e lartë dhe duke marrë parasysh përqindjen e lartë të infeksioneve spitalore kjo kosto atakon gjithë ekonominë nacionale.
2-Antibiotiko-rezistenca nozokomiale jo vetëm është e lartë, por edhe në ndryshim të vazhdueshëm.
3-Studimet për antibiotiko-rezistencën nozokomiale janë të domosdoshme për të orientuar mjekimin me antibiotikë.
4-Hartimi dhe zbatimi i protokolleve terapeutikë është domosdoshmëri për të kontrolluar rezistencën nozokomiale.
5-Zbatimi i rregullave të higjienës dhe epidemiologjisë është i
pazëvendësueshëm në uljen e përqindjes së I.N.
6-Shkurtimi i ditëqëndrimit në pavijon(sidomos në ato me risk të lartë) shoqërohet me uljen e përqindjes së infeksioneve.
7-Antibiotiku më i efektshëm për profilaksinë e infeksioneve nozokomiale mbetet vankomicina, por që nuk përdoret praktikisht në QSUT, për shkak të kostos së lartë të saj.
Ky lajm është publikuar: 21/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›