PS-LSI nisin takimet, diskutohet për Kodin Zgjedhor
Takimi
Krerët e dy grupeve parlamentare, PS dhe LSI, u takuan dje për të diskutuar rreth mundësisë së marrëveshjes për çështjen e reformës zgjedhore. Kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj dhe kryetari i grupit parlamentar të LSI, Pëllumb Xhufi, deklaruan dje pas takimit, se gjithçka ishte përqendruar te Kodi Zgjedhor dhe problemet që kanë të bëjnë me këtë çështje. Leskaj u shpreh se PS do t’i qëndrojë asaj kornize të ndryshimeve në Kushtetutë, gjë e cila duket se bie ndesh me pretendimet e LSI për Kodin Zgjedhor. “Bëra të ditur qëndrimin e PS për Kodin Zgjedhor dhe që, sipas nesh, duhet të ruajë atë kornizë të ndryshimit të Kushtetutës dhe jemi për një Kod që demokratizon sistemin elektoral. Kemi diskutuar edhe për koalicionin dhe kemi hedhur idenë e koalicionit të përbërë dhe administrim jopolitik të zgjedhjeve”, - tha Leskaj. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LSI tha se gjithçka ishte përqendruar vetëm te Kodi Zgjedhor, duke mos e prekur aspak çështjen e bashkëpunimit në një koalicion të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2009. “Diskutuam për disa çështje që kanë të bëjnë me Kodin e ri Zgjedhor dhe ne urojmë që të rregullojë diçka për ato nene që kanë të bëjnë me ndryshimet e fundit, folëm për gjendjen alarmuese, në të cilën ndodhet Kodi Zgjedhor, dhe krijimi i regjistrave dhe kartave. Ishte takim për reformën dhe debatet janë zhvilluar vetëm për reformën”, - tha Xhufi. Takimi ndërmjet zyrtarëve të dy partive vjen pas akuzash të forta të LSI ndaj PS, dhe kryesisht kryetarit socialist, Edi Rama, për afera korruptive në bashkëpunim me kryeministrin Berisha. Takimi i djeshëm duket se ka dhënë shenjat e uljes së tensioneve ndërmjet dy partive, por pa dhënë ndonjë rezultat konkret për mundësitë e bashkëpunimit midis këtyre dy partive të majta, dikur aleatë në të njëjtin koalicion.