E Diel, 1 Nëntor 2026

Sula: 372 të vrarë ose të zhdukur në qarkun e Shkodrës gjatë regjimit komunist

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ “Shteti u ka ende borxh familjeve një përgjigje”, deklaroi kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Gentiana Sula, gjatë përurimit në Shkodër të ekspozitës së përhershme informuese “Rrmaji – Vend Kujtese dhe Kërkimi”, kushtuar personave të zhdukur gjatë regjimit komunist.

Ekspozita u përurua pranë Varrezave të Rrmajit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur dhe synon të shërbejë jo vetëm si një hapësirë kujtese, por edhe si pikë referimi për kërkimin e personave të zhdukur dhe identifikimin e vendvarrimeve të tyre.

Në aktivitet, Sula theksoi se Rrmaji mbetet një vend ku historia vijon të jetë e pranishme për shkak të mungesës së mijëra njerëzve që nuk u kthyen te familjet e tyre.

Ajo bëri të ditur se nga verifikimi i thelluar i nisur në vitin 2023 janë evidentuar 372 persona të vrarë ose të zhdukur në qarkun e Shkodrës, ndërsa për 13 prej tyre të dhënat e mbledhura e lidhin vendvarrimin e mundshëm me territorin pranë Rrmajit.

Sipas saj, 30 Gushti, Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, duhet të jetë jo vetëm ditë kujtese, por edhe thirrje për veprim për kërkimin, identifikimin dhe, kur është e mundur, kthimin e të zhdukurve familjeve të tyre.

Gjatë aktivitetit, anëtari i AIDSSH-së dhe kryetari i grupit të punës, Gjergj Marku, u ndal te puna për gjurmimin e personave të zhdukur përmes dëshmive të familjarëve, verifikimit të dokumentacionit, identifikimit të vendvarrimeve të dyshuara dhe kërkimeve në terren me teknologji të avancuar, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe ICMP-në.

Ai shpjegoi se ekspozita është konceptuar në tri pjesë: Rrmaji si vend ekzekutimesh; përmasat e shtypjes së disidencës dhe lirisë; si dhe ngjarjet kryesore të rezistencës antikomuniste në Shkodër.

“Çdo dokument, çdo dëshmi, çdo emër që rikthehet në kujtesë dhe çdo vendvarrim i identifikuar është një hap drejt së vërtetës”, tha Marku.

Në aktivitet u përcollën edhe dëshmi të familjarëve të personave të zhdukur dhe të përndjekurve politikë, të cilët kërkuan vijimin e kërkimeve dhe ndërhyrjen konkrete të institucioneve përgjegjëse.

Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër–Pultit, vlerësoi rëndësinë e kujtesës dhe të drejtën e familjeve për të ditur të vërtetën.

“Sot jemi këtu jo për të ushqyer urrejtjen dhe as për të hapur plagët e së kaluarës, por për të mos lejuar që ato të mbulohen nga harresa. Kujtesa e vërtetë nuk kërkon hakmarrje; ajo kërkon të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin”, u shpreh ai.

Në kuadër të hetimit administrativ për qarkun e Shkodrës, AIDSSH ka vendosur edhe dy tabela shenjuese në vendvarrime të dyshuara, ndërsa më 9 maj 2026 i ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorive përkatëse, Policisë së Shtetit, bashkive dhe institucioneve të tjera dokumentacionin për pesë vendvarrime të dyshuara.

Autoriteti ka kërkuar shqyrtimin juridik të rasteve, autorizimin e gërmimeve dhe zhvarrimeve të kontrolluara, si dhe koordinimin ndërinstitucional për kërkimin, rikuperimin dhe identifikimin e mbetjeve mortore.

“Kërkimi i së vërtetës do të vazhdojë, sepse emrat e tyre janë pjesë e kujtesës së Shkodrës, fati i tyre është pjesë e historisë së Shqipërisë, ndërsa gjetja e tyre është detyrim i shtetit dhe i ndërgjegjes sonë shoqërore”, përfundoi Sula.

1 nga 5

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›