Policia rrugore, masa shtesë për festat e fundvitit
Elbasan-Policia e qarkullimit rrugor në qarkun e Elbasanit ka marrë masa për të garantuar trafik normal dhe siguri në qarkullim për mjete e këmbësorë gjatë festave të fundvitit dhe në ditët e para të vitit 2012. Burime nga sektori i qarkullimit rrugor në Elbasan bëjnë të njohur se situata aktuale e trafikut të rënduar është e ndikuar edhe kthimi i emigrantëve. Për të stabilizuar këtë situatë dhe për të shmangur incidentet e mundshme, shefi i policisë rrugore të Qarkut Elbasan, Selman Pema, tha se janë hartuar një sërë masash të veçanta kryesisht për natën e ndërrimit të viteve. Gjithashtu, do të shtohet numri i efektivave rrugorë dhe orët e turnit të shërbimit. Ndërsa patrulla të policisë do të jenë gjithnjë në lëvizje për të monitoruar akset nacionale dhe trafikun në qytete. Titullari Pema theksoi faktin se, nëse do të konstatohet përdorim alkooli nga drejtuesit e automjeteve, ata do të gjobiten me shuma maksimale.
Nga eksperienca e viteve të kaluara rezulton se në festat e fundvitit ndodhin më shumë aksidente e pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga përdorimi i alkoolit dhe shkaktohen veçanërisht nga mjetet me targa të huaja. F.S