E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulka; Informatizim i zyrave të punësimit



Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka deklaruar dje se ka nisur procesi i informatizimit të zyrave të punës në gjithë vendin. Zëvendësministri ka kërkuar mbështetjen e donatorëve për realizimin e disa projekteve në punësim, mbrojtje sociale, emigracion etj. Në një takim të organizuar dje, me përfaqësues të KE-së, BE-së, OKB-së, UNICEF-it, UNFPA-së, British Consil, Austria Corporation etj., të cilët kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin me asistencë teknike dhe financiare qeverinë shqiptare, zv.ministri i Punës, Kastriot Sulka, prezantoi strategjitë afatmesme në disa fusha, duke u përqendruar në objektivat e përcaktuar dhe rrugët e parashikuara për realizmin e tyre. Ai vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në vazhdimësi me donatorët, por u shpreh: “Është e rëndësishme që mbështetja e donatorëve të jetë e koordinuar dhe të mos ketë përplasje apo mbivendosje projektesh”. Përfaqësuesit e dikasterit të punës prezantuan nisma për hartimin e një ligji integral për paaftësinë, duke kërkuar mbështetjen me asistencë teknike nga donatorët. Ata kërkuan dhe mbështetje për fazën e dytë të projektit të shërbimit të kujdestarisë, një shërbim i ri alternativ që mbështet fëmijët në vështirësi dhe nevojë dhe që aktualisht po pilotohet në qarkun e Tiranës dhe Shkodrës. Zv.ministri Sulka kërkoi mbështetjen e donatorëve edhe për politikat e punësimit në Shqipëri. Ai informoi se për herë të parë dikasteri i punës po realizon një proces vlerësimi të programeve të nxitjes së punësimit, për të përcaktuar efektivitetin e tyre dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme për ta përmirësuar atë. Donatorët shprehën interes për njohjen më të mirë të politikave dhe strategjive të zbatuara nga Ministria e Punës në fushën e punësimit, mbrojtjes sociale dhe emigracionit, duke drejtuar pyetje dhe kërkuar informacion më të detajuar. Ata shprehën gatishmërinë për mbështetje në fushat parësore, duke vazhduar takimet dhe kontaktet në nivel teknik.

Studimi

Dieta mesdhetare ndihmon trurin

Ndjekja e një diete të llojit mesdhetar mund të ndihmojë mbrojtjen e trurit nga plakja. Shkencëtarët morën në shqyrtim një grup të moshuarish me funksion normal mendor dhe një grup tjetër të moshuarish që kishin probleme. Ekspertët vunë re se personat që përdornin më shpesh dietë me shumë perime e me pak yndyrna kishin më pak gjasa të prekeshin nga dobësimi i funksioneve mendore, përfshi pakësimin e mundësisë për t’u prekur nga alcajmeri.

Dihet se njerëzit që ndjekin dietë mesdhetare, e cila përfshin perime, nënprodukte drithërash, peshk dhe yndyrna të shëndetshme si vaji i ulliri, preken më pak nga sëmundje të zemrës dhe diabeti. Studimi i ri lë të kuptohet se ky lloj diete mund të ndihmojë edhe trurin.

Mjekë nga Universiteti “Kolumbia” morën në shqyrtim mbi 1 mijë e 800 persona mbi moshën 65-vjeçare, shumë prej të cilëve në fillim të studimit kishin një funksion normal mendor. Rreth 25 për qind e pjesëmarrësve kishin probleme me kujtesën në një shkallë të moderuar. Gjatë 5 vjetëve, personat që ndoqën më shpesh dietën mesdhetare, kishin më pak gjasa për t’u prekur nga dobësimi i funksioneve mendore. Ata, që në fillim të studimit nuk kishin probleme me kujtesën dhe ndoqën dietë mesdhetare, pakësuan 28 për qind rrezikun e humbjes së moderuar të kujtesës. Ndërsa ata që ndoqën këtë dietë dhe në fillim të studimit kishin probleme me kujtesën në një shkallë të moderuar, në përfundim të këtij studimi ishin 48 për qind më pak në rrezik që gjendja e tyre të shndërrohej në alcajmer.

Shkencëtarët thonë se dieta mesdhetare ka të mira të shumëfishta: ndihmon mbrojtjen e trurit, ndikon në uljen e nivelit të sheqerit dhe kolesterinës në gjak dhe pakëson rastet e pezmatimeve në organizëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›