E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhoma Amerikane: Ligji i amnistisë fiskale po zbatohet keq



Biznesi amerikan dhe shqiptar, i grupuar pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zbatimin e ligjit të amnistisë, që ka nisur të zbatohet rreth pesë muaj më parë dhe përfundon në datën 7 prill 2009. Dhoma Amerikane e Tregtisë shprehet se ligji për amnistinë fiskale është në ditët e fundit të afatit ligjor, e megjithatë duket se janë të shumta bizneset që e kanë gjetur veten jashtë privilegjit të amnistisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për interpretimin që po i bëhet së fundmi ligjit në fjalë nga qeveria shqiptare, duke krijuar premisa përjashtuese për një kategori biznesesh që kanë guxuar të çojnë pretendimet tyre para gjykatës. Nisur nga këto shqetësime, Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka nisur një letër ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku i shpreh shqetësimet e saj lidhur me implementimin e këtij ligji, si dhe kërkon ndërhyrjen e tij, që administrata tatimore dhe doganore të mos i kushtëzojë lidhur me faljen e kamatëvonesave apo gjobave. Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar qeverisë dhe institucioneve të saj një zbatim korrekt dhe jopërjashtimor të ligjit ekzistues, duke mos penalizuar kategorinë e bizneseve, që janë duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për t’iu drejtuar gjykatës. Dhoma Amerikane duke ndjekur me vëmendje këtë proces ka vënë re se ligji për amnistinë fiskale dhe mënyra se si po synohet zbatimi i tij nga organet tatimore dhe doganore, ka shkaktuar shqetësim në rrethet e biznesit. Abuziviteti në fakt nuk qëndron tek ligji që nuk shpreh në asnjë pikë të vetën se do të përjashtojë këtë kategori biznesesh, por tek mënyra se si organet tatimore dhe doganore kërkojnë të interpretojnë ligjin, duke shkelur kështu parimin e rëndësishëm të zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë. Ka qenë ky motivi që Dhoma Amerikane nëpërmjet një letre të hapur u ka kërkuar instancave më të larta qeveritare, të ndikojnë me autoritetin e tyre mbi punonjësit e doganave dhe tatimeve, në mënyrë që të mos zbatojnë ligjin me kritere përjashtimore mbi biznesin. Në letrën drejtuar ministrit Bode bëhet me dije se nga kontaktet me drejtues të Tatimeve dhe Doganave, anëtarët e Dhomës Amerikane janë vënë në dijeni nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve që ata e interpretojnë ligjin për amnistinë fiskale dhe udhëzimin nr. 33 në këtë mënyrë: Tatimpaguesit që duan të përfitojnë nga Ligji për Amnistinë Fiskale duhet të heqin dorë (nëse e kanë filluar apo duan të fillojnë) nga apelimi administrativ apo gjyqësor kundër vlerësimeve tatimore apo doganore. Në letër thuhet se nëse zbatohet në këtë mënyrë, atëherë tatimpaguesit humbasin të drejtën për të apeluar vlerën e principalit, në kurriz të përfitimit nga amnistia për gjobat dhe interesat.

Ministrit i bëhet me dije në letër se ky interpretim i Ligjit për Amnistinë Fiskale dhe udhëzimit përkatës është në kundërshtim me qëllimin e “Amnistisë Fiskale” dhe dispozitat në fjalë, dhe ne besojmë se ky nuk ishte qëllimi i hartuesve të ligjit. Në fakt, në rast se do të kishte ndonjë detyrim për të tërhequr apelimin administrativ apo gjyqësor, kjo gjë duhej të ishte e përcaktuar shprehimisht në ligj. Në letrën e tyre përfaqësuesit e Dhomës i janë referuar neneve të ligjit, ku neni 2 i ligjit parashikon se në rastin e detyrimeve tatimore/doganore të njoftuara rregullisht, kushti që duhet përmbushur për përfitimin e amnistisë mbi gjobat dhe interesat, është pagesa e principalit të detyrimit brenda një afati 6-mujor nga hyrja në fuqi e ligjit. Nga ana tjetër, paragrafi 2.1 i udhëzimit përcakton si kushte të vetme për përfitimin e faljes së gjobave dhe kamatëvonesave sa më poshtë: (i) të jetë nxjerrë akti administrativ i kërkuar nga ligji dhe të jetë regjistruar/kontabilizuar si detyrim i tatimpaguesit/debitorit dhe (ii) radha e pagesës së marrë në konsideratë, pagimin së pari të tatimit/detyrimit doganor (principali), në mënyrë që të bëhet i mundur zbatimi i Ligjit për Amnistinë Fiskale. Në letër, ministrit i bëhet e ditur se paragrafi 2.4 dhe paragrafi 2.6 i udhëzimit parashikon se do t’u falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat edhe tatimpaguesve (debitorëve në rastin e detyrimeve doganore) që janë në proces apelimi apo në proces gjyqësor, nëse është paguar apo do të paguhet shuma e detyrimit (principalit) brenda 6-muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Siç rezultat, Ligji për Amnistinë Fiskale dhe Udhëzimi i Ministrit të Financave nuk kanë parashikuar shprehimisht kushtin e heqjes dorë nga apelimi, si dhe nuk kanë lënë vend për interpretime që mund të cenojnë të drejtën e apelimit kundër vlerësimeve të administratës. Në fakt, apelimi kundër vlerësimeve të administratës publike (tatimore apo doganore) është një e drejtë themelore e tatimpaguesve ndaj vlerësimeve abuzive dhe jo të bazuara në ligj. Ne nuk besojmë se qëllimi i ligjvënësit është që nëpërmjet faljes së gjobave dhe interesave, të heqë të drejtën e ankimit kundër këtyre vlerësimeve.

“Për rrjedhojë, lutemi që të udhëzoni degët e tatimeve dhe doganave, që të mos kushtëzojnë zbatimin e Ligjit për Amnistinë Fiskale me heqjen dorë nga apelimi.

Duke konsideruar se afati ligjor për përfitimin e faljes së gjobave dhe kamatëvonesave përfundon në datën 7 prill 2009, lutemi që të veproni sa më shpejt që të jetë e mundur. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe vëmendjen e veçantë ndaj kësaj kërkese, lutemi të pranoni nderimet tona”, - thuhet në letrën drejtuar ministrit Bode.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›