E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohen dy policë në Shëmri të Kukësit



Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hila kanë mbetur të vdekur në vend në një lokal të fshatit fill pasi janë qëlluar me breshëri automatiku nga Afrim Hasani, një banor i Shëmrisë

Dy policë u vranë mbrëmë në Shëmri të Kukësit ndërsa vazhdonin shërbimin e tyre të përnatshëm. Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hila kanë mbetur të vdekur në vend në një lokal të fshatit fill pasi janë qëlluar me breshëri automatiku nga Afrim Hasani një banor i Shëmrisë. Vrasja mendohet se është për shkak të detyrës së dy uniformave, ndërkaq burime të policisë i thanë gazetës se Afrim Hasani është me precedentë penalë.

Zanafilla e krimit duhet të jetë një grindje që ka ndodhur pak ditë më parë mes dy policëve tashmë të vdekur dhe autorit të vrasjes për shkak të kontrollit që ata kanë bërë në shtëpinë e Hasanit.

Policia është vënë menjëherë në kërkim të vrasësit ndërkohë që në orët e vona të mbrëmjes, forcat e policisë së Kukësit janë përforcuar edhe nga forca të tjera speciale të ardhura nga Tirana, por edhe policë nga Shkodra dhe Puka. Forcat speciale nga Tirana, janë vonuar për shkak të dëborës që ka bllokuar rrugët për të shkuar në Kukës.

Lajmi i rëndë për vrasjen e dy policëve u bë i ditur gjatë një interviste në transmetim të drejtpërdrejtë që po jepte ministri i Brendshëm Bujar Nishani në tv Klan. Pak minuta para orës 23 ai mori një mesazh të cilin e bëri publik menjëherë e ku jepej lajmi tronditës për vrasjen e dy policëve.

Shëmria është rreth 25 km nga Kukësi dhe ndodhet në breg të rrugës nacionale. Ai nuk ka qenë ndonjëherë në vëmendje të Policisë për shkaqe kriminale ndërsa thuhet se dy policët e vrarë kanë qenë në krye të detyrës.

Vrasja e policëve ka alarmuar autoritetet e Policisë në Tiranë. Vetë ministri i Brendshëm la përgjysmë intervistën dhe u drejtua për tek zyra e tij ndërsa zëvendësministri Gent Strazimiri, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi e drejtues të tjerë policie u nisën me urgjencë për në Kukës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›