Sulltanati i liderëve
Hajro Limaj
-Një nga rreziqet më të mëdha për ekzistencën dhe jetesën e demokracisë është sulltanati i liderit. Ndër fituesit e Luftës së Dytë Botërore, Churchilli e vlerësonte shumë veten. U pa se ai me fuqinë që kishte goditi kokën e tij. Në zgjedhjet e para pas luftës e hoqën nga pushteti dhe e nxorën në pension. Kryeministrja Thatcher fitoi tre zgjedhje njëra pas tjetrës. Nderi i vendit tim tha dhe i hapi luftë Argjentinës. Edhe atë e fitoi. E quajtën Zonja e Hekurt. Në vitin e 11-ë të pushtetit të saj, kur vazhdonte të ishte kryeministre, partia e saj e hoqi nga kreu, i tregoi derën. U kthye në shtëpi duke qarë. Janë të rrezikshëm liderët afatgjatë. Prandaj kohët e fundit ajo është bërë pishman që është marrë me politikë. Dubois, një nga të majtët me famë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkruan: “Shoqëritë Lindore janë ndryshe. Janë autoritare, duan liderë të përjetshëm”. Ja shikoni se çfarë po ndodh në Rusi. Shteti dhe pushteti është pushtuar nga Putin-Medvedev. Jo më kot bëra këtë panoramë krahasuese. Kujt i ngjan demokracia shqiptare? Asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që politikanët tanë në propagandë e quajnë universale, demokracive të vendeve të Europës Perëndimore, apo të shteteve shumë partiake me drejtim autoritar dhe të liderëve sulltanë? Përderisa ne vazhdojmë me të njëjtët politikanë të viteve 1990, për të mos thënë edhe të para këtyre viteve, për çfarë demokracie dhe liderësh demokratë mund të flitet? Të gjitha këto përplasje, mosmarrëveshje dhe konflikte të pambaruara politike bëhen jo për interesat kombëtare dhe të qytetarëve, por për të fituar dhe ngelur në pushtet sa më gjatë, pa asnjë kufi të përcaktuar për kryetarët e partive që fitojnë pushtetin. Kjo sëmundje është edhe për kryetarët e bashkive, të komunave, të qarqeve e deri tek prefekturat. Akoma më keq për kryetarin e Kuvendit,që shumë vende e kanë vetëm dy vjet. Apo për kryetarët e partive që jo vetëm nuk kanë në statut kohën e qëndrimit në këtë post, por edhe kur humbasin në vazhdimësi ata nuk dorëhiqen. Shikoni rreth 74 parti. Prandaj problem më i madh i vendit tonë është demokracia, nga i cili vendoset shteti ligjor, ndarja e pushteteve dhe kontrolli paralel i pavarur i tyre. Pengesa kryesore që qëndron para kësaj është oportunizmi ,dyfytyrësia dhe sulltanati. Prandaj ne kemi nevojë jo për liderë të fuqishëm, por për institucione të fuqishme, për një sistem, i cili të kontrollojë të gjitha pushtetet. Zhvillimet tregojnë se ne do të humbasim akoma shumë kohë për të mbërritur në këto parametra.