E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulm kamikaz në Irak, 47 të vdekur në një restorant

Të paktën 47 persona janë vrarë gjatë në një restorant në qytetin e Kirkukut në Irak në një shpërthim që dyshohet se ishte sulm vetëvrasës. Rreth 102 persona njoftohet se janë plagosur gjatë shpërthimit që ndodhi në një restorant rreth 5 km në veri të qytetit.

Shkaku i sulmit nuk është ende i qartë, por Kirkuku është një qytet me popullsi të përzierë kurde, arabe dhe turke. Shpërthimi ndodhi në një ditë pushimesh kur myslimanët festojnë Bajramin.

Policia tha se kur ndodhi sulmi, disa familje po drekonin në restorantin Abdullah, që ndodhet në rrugën kryesore që lidh qytetin me Irbilin. Zyrtarët thanë se më shumë se një dëshmitar kishte deklaruar se një sulmues vetëvrasës kishte aktivizuar lëndët shpërthyese që i kishte vendosur në trup, në mes të restorantit.

Ka dhe njoftime të pakonfirmuara se në restorant në kohën e sulmit ndodheshin dhe zyrtarë kurdë duke ngrënë drekë me udhëheqës fisnorë arabë. Një restorant i së njëjtës firmë në Kirkuk u sulmua vitin e shkuar me një auto-bombë. Gjatë sulmit humbën jetën 25 persona.

Zonë e rrezikshme

Një korrespondent i BBC-së në Bagdad thotë se edhe pse niveli i dhunës në Irak këtë vit ka shënuar rënie dramatike, zona rreth qyteteve veriore të Kirkukut dhe Mosulit mbetet e rrezikshme. Mosuli është bërë fortesë e kryengritësve të frymëzuar nga Al-Kaida, të cilët janë dëbuar nga zonat e tjera të vendit.

Në Kirkuk, situata është kaq e tensionuar, thotë korrespondenti ynë, sa atje nuk do të mbahen zgjedhjet rajonale, të planifikuara të mbahen në pjesën më të madhe të vendit vitin e ardhshëm.

Irakianët arabë, kurdët dhe turkmenët etnikë kërkojnë të marrin në dorë administrimin e qytetit të pasur me naftë. Qyteti ka popullsi me shumicë kurde dhe për këtë arsye kurdët besojnë se qytetin duhet ta kontrollojnë ata, edhe pse ai shtrihet jashtë enklavës gyjsëm autonome kurde të veriut. Arabët dhe turkmenët thonë se qyteti duhet të jetë nën kontrollin e qeverisë së Bagdadit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›