Sulm vetëvrasës në Pakistan, vriten 5 ushtarë
Zyrtarët në Pakistan thonë se nga një sulm vetëvrasës me makinë-bombë, në një pikë rrugore kontrolli në qytetin perëndimor Kueta, në provincën e trazuar Baluçistan, janë vrarë pesë ushtarë.
Njësitë kufitare thanë se tre pjesëtarë të këtyre njësive janë vrarë mëngjesin e së shtunës, kur drejtuesi i një makine, që ata e kishin ndalur për kontroll të sigurisë, kishte aktivizuar eksplozivin.
Nga shpërthimi u vranë edhe dy zyrtarë ushtarakë të inteligjencës dhe vetë sulmuesi.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, që ndodhi në prag të festës myslimane të Fitër Bajramit.