Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, Borrel bisedon me Ramën: Këto kërcënime janë të papranueshme

Pas sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, si dhe kreut të NATO-s, Stoltenberg, edhe shefi për politikën e jashtëm të BE-së, Josep Borrell, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama, lidhur me sulmet masive kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë. Në një postim të tij në rrjetet sociale, Borrel shkruan se “kërcënime ndaj integritetit dhe sigurisë së Shqipërisë, si dhe përpjekjet për të minuar institucionet dhe shoqëritë demokratike janë të papranueshme”.
“Bisedova me kryeministrin Edi Rama sot, për sulmet e fundit kibernetike që kanë goditur Shqipërinë. Këto kërcënime ndaj integritetit dhe sigurisë së Shqipërisë, si dhe përpjekjet për të minuar institucionet dhe shoqëritë demokratike, janë të papranueshme. BE do të qëndrojë në krah të Shqipërisë në rritjen e mbrojtjes kibernetike”, shkruan Borrell.
/rtsh.al/