E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dy marrëveshje me KE për mjedisin, Kumbaro: Menaxhimi i mbetjeve dhe zonave të mbrojtura me rëndësi për vendin

Dy marrëveshje me Komisionin Europian për mjedisin janë diskutuar në Kuvend nga ministra e Turizmit, Mirela Kumbaro. Marrëveshja që lidhet me menaxhimin e integruar të mbetjeve që do i jap fund landfilleve në vend dhe ajo për zonat e mbrojtura , ministrja Kumbaro tha se janë madhore për vendin dhe do të sjellin një përmirësim jo vetëm në mjedis por edhe në zhvillimin e ekonomisë.

Projekti për menaxhimin e integruar të mbetjeve , Kumbaro tha se ka një vlerë financimi prej 35 milionë euro dhe do të shtihet në trajtimin e mbetjeve në Kukës, Gjirokastër dhe rajonin e Vlorës Jugore.

“Programi do të zbatojë modele për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta bashkiake dhe mbylljen e landfilleve që nuk janë në përputhje me rregullat mjedisore. Në këtë projekt përfshijmë riciklimin dhe ripërdorimin për Kukësin dhe Gjirokastrën-Vlorën Jugore. Këto modele do të bazohen në studimin e fizibilitetit për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta të zhvilluar për të dyja zonat”, tha Kumbaro.

Gjithashtu projekti tjetër që lidhet me menaxhimin e zonave të mbrojtura do të kap një vlerë prej 6 milionë euro, ku pritet që deri në fund të 2030 zonat e mbrojtura në Shqipëri të zënë 30 % të territorit.

“Parashikon 6 milion euro dhe përqendrohet në hartimin e planeve të menaxhimit të gjashtë zonave, si edhe në krijimin e zonave të reja të mbrojtura. Kjo është pjesë e përgatitjes për rrjetin Natura 2000. Objektivi minimal i Programit është të mbrojë dhe të ruajë 25 për qind të territorit shqiptar në tokë dhe në det, deri në vitin 2030, kurse ai maksimal, të arrijë në 30% të territorit të Zonave të Mbrojtura”, tha Kumbaro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›