Sulmi i Berishës për Topin dhe Spahiun
Vetëm katër ditë më parë, kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke folur nga tryeza e Këshillit të Ministrave do të përsëriste fjalët e ashpra kundër presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiun, si njerëz që me anë të “lojës” me Aleancën Kuq e Zi po kërkonin të mbijetonin në politikë. Duke iu referuar rastit të kundërshtimit të Censusit nga ana e Aleancës Kuq e Zi, Berisha do të shprehej: Sharlatanë të vërtetë, mjeranë politikë, haxhiqamilër me njëqind flamuj duan t’i trembin shqiptarët me identitetin e tyre, sepse për shkak të mandateve që u bien, besojnë se në këtë mënyrë do të mund të kacavirren në kurriz të tyre. E vetmja gjë që qëndron se ky grup apatridësh - sepse këta që vishen faqezi janë apatridë - nuk kanë asnjë preokupim tjetër, vetëm mandatkëputjet e tyre, çka tregon se i kanë pasur tërësisht të pamerituara, të turpshme dhe nxjerrin nga labirintet e skëterrës psikologjike të njeriut formulime e dokrra, për të intimiduar pakicat”.