E Diel, 1 Nëntor 2026

Interneti, bum i zonës.al, shifra kalon 6200 adresa

Ulja e tarifës nga 75 dollarë në 2000 lekë për të patur në pronësi një domain. al ka trefishuar numrin e tyre nga përdoruesit.

Interneti shënon bum në adresat me al. Ka pak më shumë se një vit që tarifat për të patur një adresë në internet me fundoren al janë liberalizuar dhe tashmë ka më shumë se 6200 adresa të tilla, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike (AKEP). Ulja e tarifës nga 75 dollarë në 2000 lekë për të patur në pronësi një domain. al ka trefishuar numrin e tyre nga përdoruesit. Duke filluar nga viti 1992, me marrjen e administrimit të çtld.al e deri në mars të 2010-s janë regjistruar rreth 1900 domain-e. Ndërsa për një periudhë prej 16 muajsh numri i domain-eve .al ka arritur në 6200. Numri më i madh i aplikimeve dhe regjistrimeve i përkasin zonës .al, por vihet re që është rritur ndjeshëm edhe numri i domain-eve nën zonën .com.al, gov.al dhe edu.al. Vitin që shkoi Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare - AKEP, vendosi në prill të vitit që shkoi përfshirjen e individëve me banim në brenda dhe jashtë vendit në kategoritë e subjekteve që kanë të drejtën për të regjistruar një emër domain-i në zonën “.al” dhe nën domain-et “.com.al”, “.org.al”, “.net.al”. Ndërkohë që AKEP bëri edhe uljen e pagesës së regjistrimit vjetor të emrave të domain-eve në zonën “.al” dhe nën domain-et “.com.al”, “.org.al”, “.net.al”, nga 75 US$ për çdo dy vjet, në 2000 lekë për çdo dy vjet. Ulja e ndjeshme e nivelit të pagesës vjetore të regjistrimit të domain dhe nën domain-eve në zonën “.al” çon në renditjen e Shqipërisë në listën e vendeve me pagesa vjetore, për regjistrimin e domain-eve dhe nën domain-eve, nën mesataren europiane, e cila aktualisht është në nivelin rreth 20US$ në vit. Ndërsa heqja e kufizimit të së drejtës për regjistrimin e domain-eve dhe nën domain-eve në zonën “.al” për personat me banim në jashtë Shqipërisë zgjeroi ndjeshëm kategoritë e subjekteve që kanë të drejtën e këtij regjistrimi, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë me masa konkrete interesimit të madh në rritje të shoqërisë shqiptare për këtë shërbim. AKEP bën të ditur se në vijim të liberalizimit të plotë të procesit të regjistrimit të domain-eve dhe nën domain-eve në zonën “.al”, shumë shpejt do të ndërmarrë edhe veprime të tjera shumë të rëndësishme, si delegimin e të drejtës së regjistrimit te subjektet e tjera, sipas rregullave që do të përcaktohen për këtë qëllim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›