Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, Biden mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti amerikan Joe Biden do të mbledhë zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë pas kthimit të tij nga Rehoboth, Delaware pas nisjes së sulmeve të Iranit ndaj Izraelit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti është informuar për situatën në Lindjen e Mesme më herët nga këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe zëvendës këshilltari kryesor i sigurisë kombëtare Jon Finer.
Gjithashtu bëhet e ditur se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Charles Q. Broën do të jenë në dhomën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare së bashku me Sullivan dhe Finer.
Ndërkaq, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe shefi i stafit të Biden, Jeff Zients do të marrin pjesë përmes komunikimit me video.
Pak më parë u bë e ditur se Irani ka nisur një sulm kundër Izraelit me dhjetëra dronë. Dronët e tipit Shahed vlerësohet se kërkojnë disa orë për të kaluar një distancë të madhe mes dy vendeve.
Ata konsiderohen si vala e parë e sulmit frontal që Republika Islamike po ndërmerr në shenjë hakmarrjeje për bombardimin e konsullatës së saj në Damask. Izraeli ka njoftuar se mbrojtja e tij ajrore është funksionale dhe forcat e armatosura në gatishmëri.
/rtsh.al/