“Sulmi i Ramës ndaj News 24, sulm ndaj fjalës së lirë dhe protestës” – Bujar Leskaj: Televizioni ka gazetarë kurajozë, të spikatur dhe emisione që përfaqësojnë interesin publik!
Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leksaj ka reaguar pas sulmit të kryeministrit Edi Rama ndaj News24, duke e cilësuar si një sulm ndaj fjalës së lirë dhe vetë protestës studentore, që është pasqyruar nga televizioni.

Në një reagim në rrjete sociale, Leksaj thotë se kryeministri, i nxitur nga urrejtja, i ka shpallur luftë medias së lirë, duke cenuar, intimiduar dhe linçuar grupin mediatik.
Ai shton se News24 ka gazetarë kurajozë dhe të spikatur, si dhe emisione që përfaqësojnë zërin e qytetarëve.
“Në shkelje të ligjit dhe i nxitur nga urrejtja, Rama i ka shpallur luftë medias së lirë dhe asaj opozitare, duke cenuar, sulmuar, intimiduar dhe linçuar të gjithë grupin mediatik të News 24, si dhe duke sulmuar padrejtësisht edhe bizneset e pronarit të këtij grupi mediatik, përgjatë këtyre viteve.”, shprehet ai.
REAGIMI I PLOTE:
Sulmi i Ramës ndaj News 24, drejtuesve dhe gazetarëve të këtij institucioni dinjitoz mediatik është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë dhe gjithë protestës popullore.
Në shkelje të ligjit dhe i nxitur nga urrejtja, Rama i ka shpallur luftë medias së lirë dhe asaj opozitare, duke cenuar, sulmuar, intimiduar dhe linçuar të gjithë grupin mediatik të News 24, si dhe duke sulmuar padrejtësisht edhe bizneset e pronarit të këtij grupi mediatik, përgjatë këtyre viteve.
News 24 ka gazetarë kurajozë, të spikatur dhe emisione të lira që përfaqësojnë interesin publik dhe pasqyrojnë realitetin në Shqipëri, duke demaskuar gjatë gjithë këtyre viteve korrupsionin galopant të Edi Ramës dhe sektit të tij.
Gazetarët e News 24, me dinjitet dhe kurajë, janë bashkuar me gazetarët e opozitës kundër sektit të Ramës, duke denoncuar me guxim krimet dhe korrupsionin e Edi Ramës.
( për sulmet e Edi Ramës ndaj medias së lirë dhe asaj opozitare, veçanërisht ndaj grupit mediatik të News24, do shkruaj në një shkrim të veçantë )