Sulmi me armë drejt Top Channel, Presidenti inkurajon zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes kriminale

Presidenti Bajram Begaj e quan ngjarje të rëndë sulmin me armë drejt ambienteve të Top Channel pak pas mesnatës së të dielës (ora 01:00 e 27 marsit 2023) ku mbeti i vrarë dhe roja e sigurisë.
Përmes një postimi në facebook presidenti inkurajon autoritetet të zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.
“Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”.
Presidenti i shpreh ngushëllime dhe familjes së 60 vjeçarit i cili punonte si roje sigurie dhe humbi jetën nga të shtënat me armë drejt ambienteve të televizionit kombëtar. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:00 të 27 marsit 2023 në Mëzes ku ndodhen dhe godinat e Top -Channel.
/rtsh.al/