E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështuan të gjitha repartet, por Kuzhe ua faturon lojtarëve

SHKRUAN: Jeton Selimi 09-06-2011 12:27

Rreshtimi taktik në fillim të ndeshjes ishte studiuar prej ditësh nga Kuzhe, që vendosi ta përballonte Bosnjen me armë të barabarta. Nuk kishte skema-kurth apo gjëra të tilla. Ishte thjesht një 4-4-2 i pastër që duhej të zbatohej në fushë me po atë përpikmëri si kundër Bjellorusisë. Por Bosnja ka më shumë cilësi se Bjellorusia, ndaj mbase Kuzhe mund të ishte thelluar diçka më shumë në mënyrën sesi të ndeshej pa shkaktuar shumë dhimbje kundër skuadrës së Susiçit.

Por ajo që shqetësoi më shumë ishin vendimet krejtësisht të gabuara të trajnerit, që ndikuan jo pak në rezultat. Pjesa më e madhe e tifozëve janë befasuar jo pak kur kanë parë Duron të futet në vend të Bogdanit. Mbase Kuzhe ka dashur të popullojë mesfushën, e cila u vu seriozisht në vështirësi gjatë 45 minutave të para, por kështu u hoqi mundësinë kuqezinjve që të dilnin para. Pasi, Salihi nuk e bën dot Bogdanin, e anasjellas. “Ishte një ndeshje për të ardhur keq për mënyrën se si u humb. Në pjesën e dytë isha më izoluar, por trajneri vendosi që të largonte Bogdanin duke menduar që do të ndodhte më e mira. A gaboi? Është e lehtë ta thuash tani këtë, por kur u zëvendësua askush nuk mendoi se ky ndryshmim do të ndikonte tek humbja. Më vjen keq që edhe pse luajtëm mirë, rezultati ishte zhgënjyes dhe jo ai që shpresonim,” do të deklaronte Salihi dhe në fjalët e tij e tregojnë fare qartë atë që Kuzhe do ta pranonte kokulur: Gabova me Bogdanin”.

Por 24 orë më pas, kur nervat ishin qetësuar, trajneri Kuzhe ka lëshuar një deklaratë tjetër, e cila është paksa e çuditshme nëse kihet parasysh se çfarë ndodhi në Zenicë. Pavarësisht se lojtarët kishin pjesën e tyre të fajit, kroati nuk mund ta justifikojë kaq lehtë humbjen. “Lojtarët ishin dobët individualisht, - do të shprehej Kuzhe për mediat që e shoqëruan kombëtaren në Zenicë -. Personalisht, nuk mendoj se kam gabuar në koncept, por u pa qartë se lojtarët nuk ishin në formën e tyre më të mirë. Shumë lojtarë e kanë mbyllur prej kohësh sezonin dhe nuk ishin në formën e tyre më të mirë. Sot (dje) është mjaft e lehtë të gjesh gabimet e ndeshjes kundër Bosnjes, por tani nuk duhet ta mbajmë më mendjen aty. Duhet të fokusohemi për të ardhmen,” është shprehur Kuzhe një ditë pas humbjes kundër Bosnjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›