Sulmi ndaj ambasadorit Gonzato, PS kërkon përjashtimin e Berishës nga Kuvendi për 30 ditë

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi me 30 ditë.
Kjo kërkesë vjen pas deklaratës që Berisha bëri sot në kuvend për qëndrimin e ambasadorit Gonzato ndaj ligjit për barazinë gjinore.
“Zoti kryetar ju informoj që i jemi drejtuar Komisionit të Etikës për të kërkuar përjashtimin për 30 ditë të deputetit Sali Berisha. Bazuar në nenin 10, ndalimi i ngacmimit seksual, deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilit do, bazuar në nenin 65 fraksion 1, masa disiplinore përjashtim nga pjesëmarrja nga komisione dhe seanca plenare”, tha Taulant Balla në Kuvend.
Çfarë deklaroi Berisha në Kuvend?
“Qytetarë dhe qytetare, sillet në emër të direktivave të BE-së. Ekspertë të shquar kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE-së, në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit. I kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE-së kërkojnë një gjë të tillë. Cila direktivë u thotë shqiptarëve se janë direktiva të tilla, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE-së, pasi ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016.”
/vizionplus.tv