E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi në Mitrovicë, VV: Qeveria të mbajë përgjegjësi, ‘STOP’ negociatave me Serbinë

PRISHTINË- "Sulme terroriste mbi shqiptarët për negociata tjera me Serbinë", e konsoderoi sot Lëvizja "Vetëvendosje" ngjarjen në orët e mesnatës ku u vra Selver Haradinaj, 38 vjeç në banesën e tij në zonën e Tre rrokaqiejve në pjesën veriore të Mitrovicës në një sulm të përgatitur me eksploziv dhe ku mbetën të plagosur edhe katër fëmijët e tij, dy në gjendje të rëndë shëndetësore. 

"Ky sulm i përgatitur kaq me kujdes, duke vendosur eksploziv pranë dritares së banesës së familjes Haradinaj dhe duke e detonuar atë, tregon se kemi të bëjmë me një sulm terrorist dhe veprimtari të organizuar të strukturave kriminale të Beogradit kundër shqiptarëve në veri", thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes. 

Kjo Lëvizje e konsideron ngjarjen si "sulm të pafalshëm të kriminelëve të Beogradit" dhe se "duhet të mbahet përgjegjësi edhe Qeveria e Republikës së Kosovës". 

"Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e tolerimit të strukturave të armatosura të Serbisë në Kosovë. Kjo politikë e mbrapshtë po e dërgon në Bruksel një Serbi, e cila në Kosovë po vazhdon të prodhojë jetima shqiptarë. Strukturat e Serbisë në veri nuk janë aty vetëm për t'a kontrolluar atë pjesë të vendit tonë por edhe për t'i vrarë e dëbuar shqiptarët prej andej", thuhet më tej në deklaratën e Vetëvendosjes.

Vetëvendosja kërkon si "domosdoshmëri të padiskutueshme" ndalimin e negociatave me Serbinë dhe zhbërjen e institucioneve paralele sërbe të armatosura brenda Republikës së Kosovës.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›