Sulmi terrorist, Durmishi: Brenda javës përfundojmë bypass-in në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit

PRISHTINË, 1 dhjetor/ATSH/ – Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi deklaroi se brenda javës do të përfundohet bypass-i në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ku sipas tij do të ketë rrjedhje të pandërprerë të ujit.
Ai nuk ka dhënë afat kohor se kur do të bëhet riparimi i plotë, veçse tregoi se fillimisht duhet të bëhen testet e gjendjes atje për tu vlerësuar dëmet.
Kështu u shpreh Durmishi pas vizitës në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku pas një sulmi terrorist u shpërthye kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Zëvendësministri Hysen Durmishi tha se riparimi emergjent ka ndodhur me sukses.
Durmishi nuk ka dhënë afat kohor se kur do të bëhet riparimi i plotë, veçse shtoi se do të vlerësohet dëmi i shkaktuar.Kanali i ujit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, u dëmtua si pasojë e një shpërthimi terrorist mbrëmjen e 29 nëntorit. Institucionet e Kosovës kanë thënë se sulmi terrorist e kriminal vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia.
/Kosvapress/