Sulmohen ambasadat në Tripoli
Objektet e OKB-së dhe disa misione ndërkombëtare janë sulmuar nga turma të zemëruara libiane pas lajmit se nga një bombardim i NATO-s është vrarë një nga djemtë e Muamer Gadafit.
Një zyrtar i OKB-së i ka thënë BBC-së se stafi i tij do të tërhiqet nga Libia. Britania e Madhe e ka përjashtuar Ambasadorin e Libisë pasi objektet e saj në Libi u sulmuan.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Italisë e ka dënuar “aktin e vandalizmit” në Ambasadën e saj. Italia është një nga shtetet e fundit që iu eshte bashkuar sulmeve të NATO-s kundër regjimit të Gadafit.
Raportohet se po protestohet edhe para misionit diplomatik amerikan në Tripoli.
Mediat e Libisë raportuan më herët se Gadafi i ka shpëtuar një sulmi ajror të NATO-s në një shtëpi në Tripoli. Të njejtat raportime të pakonfirmuara thonë se djali 29 vjeçar dhe tre nipërit e Gadafit janë vrarë nga i njëjti sulm.
NATO, përmes një deklarate, e ka mohuar se Gadafi ka qenë “caku i sulmit duke thënë se ata nuk i sulmojnë individët”.