E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohen bazat e Al Qaedës në Jemen

Të paktën 10 militantë të Al Qaedës, përfshirë disa liderë, janë vrarë në një sulm ajror në jug të Jemenit, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Anëtarët e organizatës terroriste janë goditur në afërsi të qytetit të Bajdës, rreth 130 kilometra në jug të kryeqytetit Sana.

Policia dhe forcat e sigurisë deklaruan për agjencinë e lajmeve “AFP” se sulmi ka vrarë gjithsej 23 persona. Autoritetet deklaruan se sulmet janë kryer nga aeroplanë luftarakë jemenas, ndonëse disa banorë thonë se ata ishin amerikanë.

Amerikanët dihet që kanë përdorur aeroplanë të telekomanduar, për të kryer sulme ajrore në Jemen, të cilat më pas ato janë marrë përsipër nga zyrtarët vendas.

Militantët, që dyshoheshin për lidhje me Al Qaedën, kishin shfrytëzuar vakuumin e forcave të sigurisë në rajon, pas muajsh të tëra protestash anti-qeveritare.

Më 21 shkurt në Jemen u mbajtën zgjedhjet presidenciale, nga të cilat doli fitues Abd Rabbu Mansour Hadi, i cili ishte edhe kandidati i vetëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›