Jakup Krasniqi priti ministrin e brendshëm të Shqipërisë, Bujar Nishani
Duke e çmuar lart këtë bashkëpunim, ministri Nishani veçoi një varg masash që janë ndërmarrë për lehtësimin e kalimit kufitar ndërmjet dy vendeve, si dhe eliminimit të pengesave të qarkullimit rrugor në Shqipëri, për qytetarët e Kosovës.
Kalimi kufitar nëpërmjet vetëm një kontrolli, gjatë verës, sipas ministrit të brendshëm shqiptar, ka krijuar lehtësi të madhe për qytetarët dhe ka mundësuar identifikimin e një sërë të kërkuarve nga të dy vendet, për vepra të ndryshme penale.
Ministri Nishani e falënderoi në mënyrë të veçantë kryetarin Krasniqi dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës për mbështetjen që i kanë dhënë rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në të gjithë lëmenjtë.
Kryetari Krasniqi, duke shfaqur kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet sektorëve të veçantë të të dyja shteteve, përfshirë edhe atë të sigurisë, garantoi mbështetjen e plotë të Kuvendit në hapat e mëtejmë dhe ndërmarrjen e veprimeve legjislative, konform nevojave që dalin para tij. Kryetari i Kuvendit e vlerësoi si shumë të mirë bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve, me ç'rast përmendi vizitat e ndërsjella, pjesëmarrjen nëpër aktivitete të parlamenteve respektive, njohjen me praktikat parlamentare në të gjitha fushat etj.
Kryetari Krasniqi u ndal edhe në sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës aktualisht, duke veçuar mosnjohjen nga pesë vende të BE-së si një nga pengesat kryesore në rrugën e saj të integrimit.
Nga ana e tij, ministri Nishani tha se qeveria shqiptare ndjek me interes dhe ndjeshmëri të veçantë të gjitha zhvillimet në Kosovë.