Sulmohet ambasada amerikane në Jemen

Zemërimi me filmin anti-islamik, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, ka vazhduar të përhapet në gjithë botën myslimane.
Sot demonstruesit kanë sulmuar ambasadën amerikane në kryeqytetin e Jemenit, Sana.
“Zoti është më i madhi! Zoti është më i madhi!”, kanë brohoritur ata.
Ata kanë depërtuar përmes portës kryesore të kompleksit diplomatik, duke thyer dritaret dhe djegur automjetet, para se policia t`i dëbonte me topa uji dhe të shtëna paralajmëruese.
Po sot në Kajro, policia është përleshur me demonstruesit, në ditën e tretë të protestave para ambasadës amerikane.
Të mërkurën, protesta të ngjashme janë shënuar edhe në Tunizi dhe Sudan.
Si pasojë e sulmit të turmave të zemëruara me filmin që tall Profetin Muhamed, të martën ka humbur jetën ambasadori amerikan në Bengazi, Kristofer Stivens, dhe tre bashkëpunëtorë të tij.