Sulmohet automjeti i Igli Totozanit dhe këshilltares së tij
Automjeti i Avokatit të Popullit Igli Totozani dhe automjeti i një prej anëtareve të kabinetit të tij janë sulmuar këtë fundjavë gjatë natës bën me dije komisariati numër 2 në Tiranë.
Burime nga ky komisariat thanë sot se automjeti i z.Totozani dhe automjeti i këshilltares për media dhe zëdhënëses së institucionit Elona Demollari janë gjendur në mëngjes të thyer në pjesën e përparme dhe të hapur me mjete të dhunshme, raporton “Dita”.
Policia tha se nuk është rast vjedhje pasi në brendësi të automjeteve nuk është prekur asgjë. Mbetet interesante se rrethanat e dy sulmeve dhe mënyrat si janë dëmtuar automjetet janë thuajse identike megjithëse kanë ndodhur në zona të ndryshme të Tiranës ; sulmi ndaj Totozanit poshtë shtëpisë së tij në rrugën Komuna e Parisit në Tiranë, sulmi ndaj Demollarit në zonën pranë unazës së re në periferi të Tiranës.
Në automjetin e Totozanit vec xhamave të thyer janë konstatuar edhe dëmtime në pjesën e timonit, pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje ende të paqartësuara në këtë pjesë të mjetit.
Komisariati 2 i Tiranës, bën me dije që janë marrë denoncimet përkatëse dhe po punohet me të dhënat e para hetimore.