E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super "Big band"

Studentët të Akademisë së Arteve në formacionin "Big Band", dyfish më i madh se klasiku amerikan. Fatos Qerimaj: Nuk do të rrimë brenda sallës së Akademisë


Stina Koncertore e Pranverës në Akademinë e Arteve hapet me zhanrin më të ri muzikor të shkollës, "Big Band". Është viti i parë që në Akademi studentët e veglave frymore punojnë me këtë muzike, pjesë e familjes së jazz-it. Gjithë rezultatin e një semestri punë e prezantojnë në koncertin e 10 marsit.

E lindur si rrymë në Amerikën e viteve '30 "Big band" ka mbërritur në Shqipëri në fund të viteve 2000. Sipas pedagogut Fatos Qerimaj, kjo lëndë muzikore është futur tani në fakultet sepse tani ka ardhur momenti, janë krijuar kushtet e përshtatshme. "Janë kërkesat e kohës të cilat e kanë bërë të domosdoshme futjen e "Big band"-it në Akademi",- shprehet ai.


Klarinetisti Qerimaj shpjegon se nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrymë muzikore po edhe me një komunikim të veçantë me instrumentin, është një kulturë me të cilën studentët duhet të njihen.


Termi përdoret në dy raste, kur flitet për një rrymë muzikore dhe kur tregohet një formacion orkestral. E thënë ndryshe një "Big band" është një lloj ansambli muzikor që luan muzikë jazz.


Ndryshimi është thjesht teknik, një formacion jazz-i ka solistë, një "Big band" të gjitha instrumentet luajnë në harmoni me njëra-tjetrin
Ky lloj interpretimi u bë i njohur gjatë viteve 1930 -1940 në Amerikë. Me kalimin e kohës, "Big band"-i ka ndryshuar, është transformuar për të mbërritur në trajtën që ka ditëve të sotme.


Formacioni klasik numëron 15 deri në 25 instrumente frymore që përfshijnë, saksofonin, trombën, trombonin, baterinë, basin, kontrabasin por edhe kitarrën dhe pianon.


Formacioni shqiptar i "Big band"-it ka dyfishin e instrumentistëve të atij klasik, plot 60. Qerimaj shpjegon se në këtë rast është realizuar një shkrirje e orkestrës së Akademisë me formacionin klasik.

"Sigurisht që në thelb të formacionit të Akademisë së Arteve është formacioni klasik" shprehet Qerimaj i cili premton se në këtë koncert do të ketë nota moderne dhe një prezantimin modern të një "Big Band-i".


Në historinë muzikore të Shqipërisë "Big band" kanë qenë grupe të vogla muzikantësh që interpretonin kryesisht në lokale nate. Sipas Qerimajt kjo është hera e parë që një formacion i përmasave të tilla jep koncert për publikun e gjërë dhe në një skenë të vërtetë. Për repertor ka zgjedhur emra përfaqësues të kësaj muzike si Roland Cardon, Jo Brik-Pol, George German, Sammy Nestico, Leonard Bernestein, Peres Prado etj.


Këta emra kompozitorësh nuk janë shumë të njohur për publikun shqiptar i cili ka dëgjuar megjithatë artistë dhe zëra të jashtëzakonshëm që kanë dalë nga këto formacione jazz-i, si Luis Armsrtong apo Danny Goodman.


Drejtuesi i këtij koncerti, Fatos Qerimaj, shprehet se "në të ardhmen synohet që "Big band" të dalë jashtë sallës së Akademisë." Kjo për të nuk do të thotë vetëm pjesëmarrje në koncerte apo festivale por edhe shfaqje në sheshin para Akademisë, e ndoshta edhe në amfiteatrin veror.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›