UT: "Ylli Pango, nuk do jetë më pedagog"
Universiteti i Tiranës, do refuzojë çdo kërkesë të ish-ministrit Pango për t'u kthyer si pedagog
Dhe telashet nuk kanë të sosur për ish-ministrin e Kulturës Ylli Pango. Pas shkarkimit nga posti ministror, dhe trysnisë për lëshimin e mandatit, ministri që u kap në flagrancë duke i kërkuar një vajze favore seksuale në këmbim të vendit të punës, tani duhet të harrojë edhe punësimin si pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale.
Burime nga Rektorati i Universitetit të Tiranës i thanë dje gazetës "Shekulli", se do të refuzojnë (nëse do të ketë një të tillë), çdo kërkesë për punësim si pedagog që z.Pango do të sjellë në këtë institucion. Arsyeja e këtij vendimi lidhet me videon skandaloze të shfaqur tri netë më parë në një nga mediat vizive dhe uljen e besimit të figurës morale të Z.Pango në sytë e opinionit publik.
"Ylli Pango nuk gëzon statusin e pedagogut, as të brendshëm as të jashtëm, dhe për këtë arsye ne nuk kemi si ta shkarkojmë nga puna. E vetmja gjë që mund të bëjmë nëse ai kërkon një gjë të tillë, është të refuzojmë kërkesën e tij për punësim si pedagog. Një nga arsyet që na shtyn në këtë vendim ekstrem është edhe fakti se studentët nuk e duan më z. Pango si pedagog", cituan burime pranë UT-së.
Më herët kërkesën për heqjen e statusit të pedagogut, të ish-ministrit të Kulturës, e kërkoi edhe kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgo Kacani. "Një pedagog i tillë nuk mund të jetë anëtar i stafit akademik.
Cilido të ishte ai prind do ta kishte të pamundur t'ia besonte fëmijët një edukatori, të cilit i është shembur baza e moralit", tha Kacani. Kreu i rektorëve shtoi më tej, se pas pas kësaj ngjarjeje rektori i universitetit të Tiranës, por edhe dekani i Shkencave Sociale duhet të zbatojnë ligjin e Arsimit të Lartë, që zhvesh zotin Pango nga petku i pedagogut.
"Kreu i Konferencës së Rektorëve nuk gëzon asnjë tagër ligjor për të urdhëruar shkarkimin ose jo të pedagogëve, në Universitetin e Tiranës. Theksojmë edhe njëherë që Ylli Pango nuk gëzon statusin e pedagogut, por edhe nëse do kishte një status të tillë i vetmi që ka të drejtë ta shkarkojë nga puna është Rektori i Universitetit të Tiranës. i cili është edhe punëdhënësi i tij", sqaruan në UT.