Gjenden trupat e dy peshkatarëve të zhdukur
LUSHNJË - Trupat e peshkatarëve të Divjakës, të cilët u zhdukën mëngjesin e së enjtes në ujërat e detit Adriatik u gjetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Trupi i Vangjel Trungut u gjet jo shumë larg vendit ku u përmbys varka, ndërsa trupi i Stavri Prenit u gjet në plazhin e Spillesë, në Kavajë. Dy peshkatarët kishin dalë për të mbledhur rrjetat e peshkimit, por moti i keq në det shkaktoi përmbysjen e varkës ku ata ndodheshin dhe mbytjen e tyre. Kërkimi i së enjtes u ndërpre për shkak të vështirësive të krijuara nga dallgët e larta dhe stuhitë në det. Të dy peshkatarët me këtë profesion ushqenin familjet e tyre. Vangjel Trungu ishte babai i 6 fëmijëve, ndërsa Preni i tre vajzave të vogla. Të afërmit e tyre, teksa hapën dyert për mort kërkuan edhe ndihmë nga shteti për të përballuar jetesën tashmë që kryefamiljarët nuk jetojnë më.