E Hënë, 2 Nëntor 2026

Super-Ditari i Albania-sport.com. Viti 2008 - Gushti“Albania-sport.com” paraqet për lexuesit e saj një “Super-Ditar” special me të gjitha ngjarjet futbollistike të vitit 2008. Një kronikë e hollësishme e asaj që ka ndodhur ditë pas dite m

“Albania-sport.com” paraqet për lexuesit e saj një “Super-Ditar” special me të gjitha ngjarjet futbollistike të vitit 2008. Një kronikë e hollësishme e asaj që ka ndodhur ditë pas dite me Kombëtaren, legjionarët, merkaton e të gjitha detajet e jetës sportive futbollistike.

GUSHT 2008

01.08.2008
Vllaznia u kualifikua me dinjitet në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, duke e ruajtur të pastër portën në “Loro Boriçi”, në barazimin 0-0 me sllovenët e Koperit, teksa takimin e kishin fituar dy javë më parë me rezultatin 2-1. Një kualifikim i merituar, por dhe një shpërblim i punës së përkushtuar të trajnerit Agim Canaj. Vllaznia është kështu skuadra e vetme shqiptare që do ta vazhdojë aventurën evropiane, pas eliminimit të Dinamos në Ligën e Kampioneve, Partizanit në Kupën UEFA e Besës në Kupën Intertoto.
Barazimi 0-0 i Partizanit në Bosnjë krijoi besimin se të kuqtë ishin favoritët absolutë për të fituar takimin e kthimit të turit të parë eliminator të Kupës UEFA, aq sa dhe kompanitë më të madhe të basteve kishin vendosur kuota të ulëta për fitoren e të kuqve, por rezultati 1-3 për Shiroki Brijeg në “Qemal Stafa”, prodhoi eliminimin edhe të nënkampiones së Shqipërisë, ashtu si një javë më parë dështoi edhe kampionia Dinamo, po nga një skuadër boshnjake, Modrica dhe po me diferencë prej dy golash.
BOGDANI- Sirena angleze për Erion Bogdanin. Pas Viçencës në Serinë B, shërbimet e “Er Bomber”, i kërkon edhe Ispuiç Toun. Lajmi jepet nga siti i specializuar italian calciomercato.com, që citon burime pranë klubit të Kievos. Albania-sport.com kontaktoi me njërin nga dy menaxherët e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, agjentin e FIFA-s Sokol Haxhia, i cili së bashku edhe me Alesandro Moxhin, kanë edhe të drejtat e transferimit të lojtarit.
DURO- Skuadra qipriote Omonia Nikosia e Klodian Duros fitoi edhe takimin e dytë me shqiptaro-maqëdonasit e Milano Kumanovës në Shkup me rezultatin 2-1, duke u kualifikuar në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, pasi dhe takimin e parë në Qipro e kishte fituar me rezultatin 2-0. Ajo që vlen të përmendet është fakti se mesfushori i Kombëtares shqiptare, ka humbur penalltinë e fituar në minutën e katërt. Gjuajtja e Duros u prit nga portieri i Milanos, Nuredinofski.

02.08.2008
FSHF - E shqetësuar për zërat e shfaqura në mediat shqiptare e të huaja dhe akuzat e tifozëve në tribunat e stadiumeve, për paracaktim të rezultatit të ndeshjeve në ballafaqimet në Kupat e Evropës, shpreh zyrtarisht qëndrimin e saj. Që pas sinjaleve të dhëna në media për takimin Dinamo-Modrica, Sektori i Garave, ka vënë në lëvizje dy inspektorë të Inspektoriatit të Disiplinës, për të hetuar për këtë rast. I njëjti vendim është marrë edhe për ndeshjen Partizani - Shiroki Brijeg, pas deklaratave të Presidentit të Partizanit për shitje të ndeshjes nga ana e lojtarëve.
NAPOLI- Vllaznia “peshkoi” Napolin në tyrin e dytë eliminator të Kupës UEFA, një nga tre ekipet më të forta të Grupit të Jugut, duke futur në këtë llogari edhe spanjollët e Deportivo La Korunjës e turqit e Beshiktashit, teksa këta të fundit do të përballen me Shiroki Brijeg, skuadra boshnjake që eliminoi Partizanin në turin e parë eliminator. Ky ishte verdikti i shtortit të hëdhur në selinë qëndrore të UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Ndeshja e parë do të zhvillohet “Loro Boriçi” (15.000 shikues), më 14 gusht, ndërsa ajo e kthimit në “Sao Paolo” (78.500 shikues) të Napolit dy javë më pas. Në statistikat e kundërshtarëve të Vllaznisë në 30 takimet e mëparshme skuadrat janë nga Turqia (2 ekipe), Izraeli (1), Skocia (1), Sllovenia (1), Kroacia (2), Islanda (1), Qipro (1), Greqia (1), Gjeorgjia (1), Malta (1), Finlandë (1), etj.
Ndryshe nga Vllaznia e Agim Canaj, që mbërriti në turin e dytë të Kupës UEFa pas kualifikimit me meritë kundër sllovenëve të Koperit (2-1, 0-0), Napoli i Edi Rejës mbërriti në këtë tur si një ndër 11 fituesit e Kupës Intertoto të këtij viti. Në turin e tretë eliminator të Kupës Intertoto, Napoli eliminoi skuadrën greke Panionos me dy fitore më të njëjtin rezultat: 1-0. Boljaçino shënoi në Greqi, Hamshik në ndeshjen e kthimit në Napoli.
Duro -Qipriotët e Omonias, ku aktivizohet edhe mesufushori i Kombëtares shqitpare, Klodian Duro, do të përballet në turin e dytë të Kupës UEFA me AEK-n e Athinës. Takimi i parë luhet në Qipro.
Vangjeli -Ekipi grek Aris i Selanikut, ku aktivizohet mbrojtësi i Kombëtares sonë Kristi Vangjeli do të përballet në turin e dytë të Kupës UEFA me kroaten Slaven Koprivnica.
LIGA E KAMPIONEVE
Cana -Në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, Olimpiku i Marsejës i kapitenit shqitpar Lorik Cana do të pëballet me fituesen e çifit Bran-Ventspils.
Beqaj- Anorthosis Famagusta, skuadra qipriote e Arjan Beqajt, në rast se do të eliminojë në turin e dytë Rapidin e Vjenës do të përballet në turin e tretë të Ligës së Kampioneve me Olimpiakosin.

03.08.2008
KROATET - “Slishkoviç, stërvitje si Murinjo”; “Kovaçiç provon tredhëmbëshin; “Daliç vendos skuadrën në regjim kazermë”. Të duket sikur lexon titujt e gazetave sportive kroate, por në të vërtetë janë titujt e të përditshmeve sportive shqiptare.
Kjo për faktin se tre trajnerët kroatë punojnë në Shqipëri.  Bllazhe Slishkoviç te Tirana, Sllavko Kovaçiç te Flamurtari e Zllatko Daliç te Dinamo.
MENAXHERET - Tregu i futbollistëve shqiptar po fillon të funskionojë, dhe kjo përveç cilësive të futbollistëve, një vlerë të veçantë ka dhe puna e agjentëve shqiptarë të FIFA-s. Sokol Haxhia është njëri prej tyre, i cili gjatë kësaj merkatoje vere ka realizuar gjashtë transferime, katër transferime në tregun ndërkombëtar: Klodian Duro te Omonia Nikosia, Isli Hidi e Blerim Rrustemi te Alki Larnaka (që të tre në Qipro) e Jahmir Hykën te Mainc 05 (Bundesliga 2), një shumë rekord prej 3.7 milionë eurosh për tre vjet.

05.08.2008
CANA - Lorik Cana, futbollisti shqiptar më i shtrenjtë shqiptar (14 milionë euro vlera e kartonit, ose sa 18 herë më shumë sa shpenzon Tirana në një sezon, klubi i më pasur në Shqipëri) nuk e hedh poshtë mundësinë e largimit nga Olimpiku i Marjesës. Kapiteni 24-vjeçar i të vetmit klub francez, që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve, vlerësohet nga ekspertët francezë të futbollit, si një ndër lojtarët më të mirë aktualisht në Ligën 1 transalpline. Në mediat franceze të specializuara për merkato ende kujtojnë interesimin e Evertonit në Angli, Romës në Itali apo Realit të Madridit në Spanjë.
Në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, Olimpiku i Marsejës i kapitenit shqiptar Lorik Cana do të pëballet me fituesen e çifit Bran Bergen (Norvegji)-Ventspils (Letoni).
HYKA- Jahmir Hyka po shndërrohet në magjistarin e ri të Mainc 05. Këtë e pranojnë si trajneri norvegjez Andersen por dhe tifozët e i klubit gjerman të Bundesligës 2. Fitorja 4-0 në transfertën kundër Bahlingerin e Oberligës (kategoria e katërt në Gjermani) të premten e kaluar,përpara më shumë se 2 mijë tifozësh ishte një tjetër mbrëmje e bukur për “Maradonën shqiptar”. “Shënova një gol shumë të bukur nga 25 metra, pasi driblova me finesë një kundërshtar (goli 4-0), por dhashë edhe një asist (goli 3-0)”.
BOGDANI - Vllaznia-Napoli, ndeshja e turit të dytë eliminator të Kupës UEFA, përpara se të nisë aktin e saj të parë në “Loro Boriçi”, po luhet fort me deklarata, ku protagonistë në mediat italiane janë edhe lojtarët më të njohur shqiptar të Serisë. Pas Igli Tares, tashmë në rolin e drejtorit teknik të Lacios, ishte sulmuesi i Kievos, Erion Bogdani, i cili foli për sfidën e shumëpritur në ambientin futbollistik shqiptar, gjatë një ndërhyrjeje telefonike për emisionin “Radio Goal”, të radios së njohur “Kiss Kiss Napoli”. “Napoli do ta kalojë me siguri turin e parë të Kupës UEFA (të dytin në fakt), Vllaznia nuk do t’i surprizojë ‘axurrët’. 
06.08.2008
PEKIN 2008 - Kryeministri Berisha së bashku me Ministrin e Turzimit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango mbërrijnë në Pekin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, “Pekin 2008”. Në Lojërat e 29-ta Olimpike, Shqipëria do të përfaqësohet për herë të parë me 11 sportistë në 6 disiplina të ndryshme. Ministri Pango do të ndjekë thuajse të gjitha garat e sportisitëve shqiptarë në atletikë, qitje, peshëngritje, mundje, not e xhudo.
NAPOLI - Xhixhi Kafareli, vëzhguesi i Napolit ka dhënë një intervistë të gjatë për tuttonapoli.net në lidhje me gjëndjen e Vllaznisë, në prag të sfidës së parë të vlefshme për turin e dytë eliminator të Kupës UEFA. “Do të jetë sigurisht një impenjim i vështirë, para së gjithash për faktorin e ambientimit. Ky klub është shumë i dashur dhe i ndjekur në Shqipëri, kështu që Napoli do të gjejë dhe do të përballojë një formacion me stimuj të pabesueshëm, për vetë faktin se dhe organika është e përbërë me djem të rinj dhe që kanë uri për futbollin ndërkombëtar”.
Takimi Vllaznia-Napoli do të luhet, më 14 gusht në orën 20:30, ndërsa ajo e kthimit në “San Paolo”, më 28 gusht.

07.08.2008
U-21 - Brian Filipi dhe Elhan Galica janë dy fytyrat e reja të ekipit kombëtar Shpresa, të grumbulluar nga trajneri Artan Bushati për sfidën e prapambetur me Greqinë U-21, e vlefshme për Kampionatin Europian U-21, njëherësh edhe ndeshja e tetë e Shqipërisë, përpara se t’i japë fund eliminatoreve me takimet kundër Kroacisë (6 shtator, në transfertë) dhe Azerbajxhanit (10 shtator, në shtëpi). Ndeshja Shqipëri-Greqi do të zhvillohet ne datë 20 gusht ora 16:00 në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” Elbasan. Kjo ndeshje ishte parashikuar të zhvillohej në muajin mars por për shkak të pezullimit nga FIFA dhe UEFA të Federatës Shqiptare të Futbollit si pasojë mosmarrëveshjeve me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

08.08.2008

HAN - Trajneri i përfaqësueses shqitpare, holandezi Ari Han, po luan një rol të dorës së parë, duke ndihmuar ekipin olimpik të Holandës për të kuptuar më mirë atmosferën kineze. Hani ka qenë më parë trajner i Kinës, përpara se të merrte drejtmin e Kamerunit e më pas të Shqipërisë
CANA - Lorik Cana, kapiteni shqitpar i Marsejës, mund të luajë në Angli me Arsenalin ose Evertonin, nësë ai do të largohet nga Franca. Lajmin e jep gazeta britanike “Daily Mail”.  “Objektivi i Arsenalit, Lorik Cana, pranon se ai është duke i riparë të ardhmen e tij të gjigandët e Francës, Marseja”, - shkruan gazeta angleze.
CHAMPIONS -Portieri i Anorthosis Famagusta, Arjan Beqaj, mesfushori i Olimpikit të Marsejës, Lorik Cana dhe mesfushori i Bazelit në Zvicër, Jurgen Gjasula, janë tre lojtarët e vetëm shqiptarë që do të luajnë në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve.
GJASULA- Tiranasi Jurgen Gjasula, por që zotëron edhe pasaportë gjermane, është pjesë e Bazelit të Zvicrës, do të luajë në turin e tretë kundër portugezëve të Guimaraes.
ABILALIAJ - Arbër Abilaliaj duket se nuk i ka kënaqur drejtuesit e Tus Koblenzit, skuadrës gjermane të Bundesligës 2. Lajmi jepet nga mediat gjermane pranë klubit ku luajnë shqiparët Fatmir Vata, Ardian Gjokaj e Njazi Kuqi. Vitin e kaluar Abilialiaj u testua edhe me Erzgebirge Aue, por pa mundur të jetë shok skuadre me kavajasin Skerdilajd Curri, që luan prej disa vitesh me klubin gjerman të Bundesligës 3.
PEKIN 2008 - Me një ceremoni e jashtëzakonshme që mahniti botën me spektaklin modern që ofroi, nisën zyrtarisht Lojërat e 29-ta Olimpike Verore në kryeqytetin kinez, Pekin, fiks në orën 08.08 me orën kineze, apo në orën 14:08 me atë shqiptare. 35 mijë tyta fishekzjarrësh ndriçuan qiellin dhe mbi 15 mijë performues ishin pjesëmarrës në ceremoni magjepsëse, ndërkohë që 2008 daullexhinj dhanë sinjalin e numërimit të Lojërave. 29 kolona kolosale nga ku buronin fishekzjarrë “marshuar” në qiell, në sheshin Tiananmen, duke vallëzuar shfaqje mbresëlënëse piroteknike. Më shumë se 80 presidentë, kryeministra, mbretër, shefa shtetesh e princër ishin të pranishëm në stadiumin kombëtar të Pekinit, i njohur ndryshe si “Foleja e Zogut”, ku merrnin pjesë rreth 91 mijë shikues. Një rekord prej 204 vendesh morën pjesë në paradën tradicionale, të cilat nuk parakaluan në alfabetin tradicional anglez, pro në bazë të shenjave të alfabetit kinez. Kështu, nëse me atë anglez Shqipëria do të parakalonte e treta pas Greqisë, atdheut të Lojërave Olimpike e Afganistanit, në bazë të alfabetit kinez, vendi ynë i përfaqësuar nga 11 sportistë (7 të kualifikuar direkt e katër me ftesa) parakaloi i 105-i.

10.08.2008
HYKA- Jahmir Hyka ka debutuar zyrtarisht me fanellën e Mainc 05. Ish-lojtari i Tiranës u aktivizua në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë në fitoren e ngushtë 2-1 kundër Babelsberg 03, një skuadër e ligës së tretë gjermane. Mesfushori i Kombëtares shqiptare – i thirrur edhe për miqësoren e 20 gushtit kundër Lihteshtejnit – hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 65-të në vend të Pekoviç, por luajti në mënyrë të kënaqshme për 55 minuta, pasi ndeshja pas rezultatit në kohë të rregullt 0-0, u vendos në shtesa.
TARE – Igli Tares duket si i ri shumë mirë kostumi i zyrtarit, edhe pse më shumë shfaqet sërish me këpucët sportive, pavarësisht se ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, prej më shumë se një muaji është në rolin e drejtorit teknik të klubit lacial.  “Lacio ka gjithçka për t’u bërë si Juventusi e Milani. Duhet ta rinisim kampionatin me entuziazëm për të arritur objektivat tona, ku ajo e para është të kthehemi në Europë’, - tha ish-sulmuesi i Lacios.
CANA - Disa orë përpara se të nisë zyrtarisht sezoni i ri në Francë, Lorik Cana, është shndërruar sërish në personazhin mediatik të faqes më të madhe sportive në kontinent, eurosport.com por në versionin francez. Kapiteni i Olimpikut është i paduruar për të rinisur kompeticionin, edhe pse e di se konkurrenca është shumë e madhe. Por shqiptari këmbëngul. Ai dëshiron të dijë nëse Marseja e tij është një ekip i mirë apo një skuadër shumë e mirë. Testi i parë është të shtunën kundër Renesë.

13.08.2008
KOMBETARJA – Miqësore e re, strategji e re, surpriza të reja.  Trajneri i Kombëtares shqiptare, holandezi Ari Han, zbardhi 18 lojtarët të thirrur për miqësoren kundër Lihteshtejnit, e dyta në rang përfaqësuesesh e “epokës Han”, pas asaj të humbur me Poloninë (0-1) në maj dhe e katërta duke përfshirë edhe dy skuadrat, zviceranët e Shafhauzenin (3-1) dhe kazakistanezen Kazaskyn (2-2). Lista ka vetëm një detaj të ri, madje shumë të guximshëm. Erjon Bogdani golashënuesi më i mirë aktual i përfaqësues (8 gola) nuk është në listën e të besuarve të Ari Hanit.
PEKIN 2008 - Ditë ters e marta për olimpistët shqiptarë. Madje, pa lënë aspak shenjë, ose më saktë vetëm zhgënjim. Peshëngritësi Gerti Trasha, nuk arriti të gjente frymëzimin e nevojshëm 24 orë pas suksesit të jashtëzakonshëm të Romela Begajt, vendi i gjashtë në Olimpiadë në peshën 58 kg për femra. Elbasanasi, i konsideruar edhe si “Luan Shabani i ri”, dhe që garonte në peshën 69 kg, nuk arriti të realizonte asnjë nga tre provat që pati në dispozicion të tij në stilin e shkëputjes, duke u skualifikuar për të vazhduar garën për stilin e shtytjes.
Rezultatet e deritanishme të Shqipërisë
QITJE:
Lindita Kodra
10 m pistoletë me ajër: 10 gusht, vendi i 40 nga 44 pjesëmarrës
PESHËNGRITJE:
Romela Begaj, 58 kg: 11 gusht, vendi i gjashtë
Gerti Trasha, 69 kg: 12 gusht, i skualifikuar, nuk ngriti asnjë provë në stilin e shkëputjes
XHUDO:
Edmond Topalli, 81 kg, i eliminuar në turin e dytë. Në turin e parë u kualifikua me short

14.08.2008
PEKIN 2008 - Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj bëri një paraqitje mbresëlënëse në Lojërat Olimpike të Kinës, duke qenë më i miri i grupit B në peshën 77 kg, në garën midis 14 sportistëve, por pa mundur të jetë një prej garuesve të grupit A, ku merrnin pjesë edhe pretendentët kryesorë për medalje. Shkodrani “kokëtullë’, i cili festoi para tri ditësh 20-vjetorin e tij në fshatin olimpik, ngriti në dygarësh 341 kg, duke zënë përfundimisht vendin e 13-të në Lojërat Olimpike, përfshirë dhe ata sportistët që morrën pjesë në grupin A.
KODRA - Lindita Kodra zhgënjeu përsëri, edhe në garën e saj më të preferuar, atë me pistoletë 30x30, apo 25 metra silhuetë. Kampionia e Europës në Granada të Spanjës (2007) dhe vendin i katër në Kupën e Botës së zhvilluar në Pekin (2008), zuri vendin e 35-të nga 41 qitëse që morën pjesë. Kodra, e cila zuri vendin e 40 nga 44 pjesëmarrëse në disiplinë e 10 metrave ajër, grumbulloi në garën e 25 metrave me pistoletë vetëm 283 pikë.
Duket se kërcënimet e sportistëve elitarë janë kthyer në modë. BEGAJ - Romela Begaj, peshëngritësja shqiptare, e cila ka arritur edhe suksesin më të madh të vendit tonë në Lojërat e Pekinit, vendi i gjashtë në peshën 58 kg, kërcënoi me largimin e saj nga Shqipëria, për të garuar në të ardhmen për flamurin e një shteti tjetër.
KUPA UEFA- Atmosfera në Shkodër është ndezur, si atëherë kur Shqipëria luajti e fitoi 3-1 kundër Rusisë në eliminatoret e Euro 2004. Edhe pse në dukje, Vllaznia-Napoli, është një sfidë e një kompeticioni më të lehtë evropian të klubeve, Kupën UEFA, futbolldashësit shkodranë mezi presin sa të nisë takimi i ditës së enjte, në orën 20:45. Vllaznia është kështu skuadra e vetme shqiptare që do ta vazhdojë aventurën evropiane, pas eliminimit të Dinamos në Ligën e Kampioneve, Partizanit në Kupën UEFA e Besës në Kupën Intertoto. Vllaznisë i janë rikthyer tre futbollistët e saj më tre të rëndësishëm. Sulmuesi Xhevair Sukaj, mbrojtësi Admir Teli e mesfushori Gilman Lika, të cilët janë pjesë e turqve të Haxhetepes u stërvitën të martën e të mërkurën skuadrën dhe janë të gatshëm për të qenë në formacionin startues nga minuta e parë, për të dhënë kontributin e tyre të fundit për Vllazninë. Sulmuesi i Kombëtares U-21, Sukaj, ishte edhe autori i dy golave të Vllaznisë në fitoren 2-1 kundër sllovenëve të Koperit në ndeshjen e parë të zhvilluar në transfertë, teksa e ajo e kthimit në Shkodër u mbyll me rrjeta të paprekura.

15.08.2008
GURI - Emocione kuqezi në “Pekin 2008”. Mundësi shqiptar Elis Guri u rendit me meritë midis tetë më të mirëve të planetit në peshën deri 96 kg në mundjen greko-romake, edhe pse i pati të gjitha mundësitë të futej edhe në zonën e medaljeve nëse shorti i goglave nuk do të ishte kundër tij. Falë shortit të hedhur shkodrani 25-vjeçar - vendi i shtatë në Kampionatin Botëror për të rritur të zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit – hyri direkt në 16 më të mirët e kësaj peshe ku morën pjesë 20 sportistë. Guri la pas mundës nga Kina, Turqia, Italia, Bullgaria, Greqia, Japonia, Hungaria, etj
HOXHA - Olimpisti shqiptar më i ri në moshë në Lojërat Olimpike, notari 16-vjeçar Sidni Hoxha u rendit i dyti nga tetë garuesit e baterinë e pestë eliminatore dhe i 63-ti nga 97 pjesëmarrës (të ndarë në fazën kualifikuese në 13 bateri). Ajo që vlen më shumë është fakti se Hoxha vendosi një rekord të ri kombëtar në garën e 50 metrave stil i lirë për pishina të mbyllura, duke përmirësuar me gati 1 sekonda rekordin e mbajtur nga Gogushka 25”64 dhe i vendosur në korrik 2008.
KUPA UEFA - Vllaznia humbi 3-0 Napolit. Minuta e 28-të dhe Napoli kaloi në avantazh. Kundërsulm nga e djathta, Maxho kroson, topi devijohet dhe braziliani Inacio Pia gjuan i pambuluar dhe shënon, duke përfituar edhe nga një hezitim i Telit. Hesht gjiganti “Loro Boriçi”. Teksa pritej një impenjim i menjëhershëm i Vllaznisë, braziliani Pia realizoi një tjetër magji të tij, vetëm një minutë nga fillimi i pjesës së dytë. Denis shenoi golin e trete ne minutën e 74-t.
RRUDHO - Pasi kaloi momentin më të vështirë pas eliminimit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA dhe gjeti një sponsor të ri, qipriotin “Cyprys Building Construction”, Partizani është futur tërësisht në merkato, duke kërkuar të rekrurtojë së pari ish-sulmuesin e Kievos, shqiptarin Xhulian Rrudho, i cili së fundi ishte në provë në Poloni të Lodz.
DINAMO – Përfundimisht nga Dinamo janë larguar dy argjentinasit e fundit: Gonzales e Kampozano, të ardhur në kohën e trajnerit argjentinas Zuleta, por që nuk bëjnë më pjesë në planet e kroatit Daliç. Dinamo ende nuk ka vendosur në lidhje me të ardhmen e lojtarit shqiptar nga Maqedonia, Agim Ibrahimi.
TIRANA – Sulmuesi venezualian Horge Kazanova, 24 vjeç, pritet të jetë përforcimi i radhës te Tirana. Kazanova i ofruar nga menaxheri Florian Riza ka luajtur më parë me Karakas në Venezuelë.
FLAMURTARI – Pas përfundimit të aventurës përgatitore në Bosnjë, skuadra vlonjate përgatitet për të fituar trofeun “Birra Norga”, ku marrin pjesë Partizani, Apolonia e Tirana. 15 mijë dollarë ka vendosur si shpërblim Agron Haxhiraj, pronari i “Birra Norga”. Ky trofe do të zhvillohet këtë vit për herë ta katërt. Në vitin 2005 e fitoi  Besa, në vitin 2006 e fitoi Dinamo, në vitin 2007 e fitoi Partizani.
ELBASANI –Presidenti i verdhebluve, Arben Laze premton edhe dy goditje të reja. Ish-kapiteni i Partizanit, Ardit Beqiri, është zyrtarisht lojtari i Elbasanit. 

16.03.2008
DURO - Omonia Nikosia fiton 1-0 ndaj AEK-ut të Athinës në kryeqytetin grek, shqiptari Klodian Duro mund brazilianin Rivaldo. Dy surprizat më të bukura që ofroi takimi midis ekipit qipriot dhe atij grek në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Kupës UEFA. Mesfushori i Kommbëtares shqiptare dëshmoi se është në superformë dhe një nga lojtarët më të mirë të Omonias, duke u shndërruar në një lider të padiskutueshëm në lojën e qipritotëve, teksa ka fituar edhe një “sfidë” ndaj një kampioni të madh siç është Rivaldo, i cili ka luajtur për fanellat e ekipeve më të mëdha të botës siç janë ato të Barcelonës, Milanit.
COLLAKU - Atleti Dorian Çollaku i “dhuroi” Shqipërisë zhgënjimin e radhës. Hedhësi i çekiçit, i cili mban edhe rekordin kombëtar me 76.96 metra, rezultat i arritur në Finlandë, e hodhi çekiçin në “Pekin 2008” në largësinë 70.98 metra duke zënë edhe vendin e 15-të në Grupin B nga 16 pjesëmarrës në këtë grup, duke lënë pas vetëm argjentinasin Inacio Huan Sera me 70.16.
MARKU - Notarja shqiptare Rovena Marku nuk arriti të kualifikohej për në fazën gjysmëfinale të garës 50 metra stil i lirë, por megjithatë ajo theu rekordin kombëtar me gati 0.60 sekonda, çka ishte edhe objektivi i saj në Olimpiadën kineze. 23-vjeçarja, e cila mori pjesë më ftesë në “Pekin 2008”, me kohën 28”15 u rendit e pesta nga tetë pjesëmarrës në baterinë e pestë dhe e 58-ta në botë. Në planin personal ky rezultat mund të quhet shumë i suksesshëm pasi ajo theu rekordin kombëtar, kur në Kampionatin Botëror të Melburnit ajo arriti kohën 28”76.

17.08.2008
SUPERKUPA - Dinamo, kampione e vendit për sezonin 2007-2008 dhe Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë për vitin e kaluar, do të diskutojnë të dielën në “Qemal Stafa” (ora 18:00), finalen e Superkupës. Nis kështu sezoni futbollistik 2008-2009 me finalen e 15-të të Superkupës, teksa Dinamo është edhe fituesja e parë historike e saj, kur mposhti në vitin 1989 Tiranën (2-0), njëherësh edhe fituesja e fundit e këtij trofeu, me atë fitore 4-2 ndaj Besës një vit më parë.
SHALA- Klodiana Shala vazhdoi serialin e dobët të paraqitjeve të Shqipërisë në Olimpiadën e Pekinit. Atletja shqiptare, e cila pas pesë ditësh do të mbushë 29-vjeç, dha një rezultat të dobët në garën e 400 metrave me kohën 54 sekonda e 58 të qindtat, duke mos pasur mundësi të kualifikohej në gjysmëfinalet e kësaj disipline.

18.08.2008

SUPERKUPA -  Dinamo fitoi për herë të dytë Superkupën e Shqipërisë pasi mundi në finale Vllazninë me rezultatin e pastër 2-0. Golat për skuadrën e Zlkatko Daliçit mbajnë firmat e kroatit Frane Petriçeviç (17’) dhe kroato-shqiptarit Pëllumb Jusufi (78’), të cilat shënuan edhe golat e parë të tyre me 17-herë kampionët e Shqipërisë. Për Dinamon debutoi për rreth 30 minuta edhe sulmuesi Sabino Plaku, ndërkohë që për Vllazninë, Sinani luajti gati 20 minuta. Për Xhevair Sukaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq (76’), kjo ishte ndeshja e fundit me fanellën e Vllaznisë, ashti si Gilman Lika. Ky është trofeu i parë i Daliçit me Dinamon ndërsa për blutë Superkupa e dytë pas asaj të vitit 1989, kur dhe atëherë kishte fituar me Tiranën po me rezultatin 2-0.

19.08.2008
KOMBËTARJA - “Do të përpiqemi që kundër Lihteshtejnit të zhvillojmë një lojë shumë sulmuese dhe të bazuar nga krosimet në krahë. Ju do të shikoni pak a shumë një vendosje të lojtarëve që do të aplikohet edhe kundër Suedisë. Kjo është fryma që dëshiron t’i japë kombëtares trajneri holandez Ari Han në premierën e tij para publikut shqiptar. Hyka: “Lihteshtejni, porta për Suedinë”. Agolli: “Jam gati për të dhënë kontributin tim”.  Duro: “Lihteshtejni, kualidim kundër Suedisë”. Kapllani: “Dukemi si Arsenali, por duhet festuar me gol”. Salihi: “Jam në formë, shpresoj te goli”

20.08.2008
Shqipëria fitoi 2-0 testin miqësor kundër Lihteshtejnit – gola të Hykës e Kapllanit -në ndeshjen e parë historike midis tyre, por dhe në premierën e trajnerit holandez Ari Han në kryeqytetin shqiptar. Një pjesë e parë shumë më e mirë, ndërsa në fraksionin e dytë, portreti i Hanit nuk u pa dhe aq shumë entuziast. Jahmir Hyka shënoi golin më të shpejtë në historinë ndërkombëtare të futbollit shqiptar, kur mesfushori i Mainc 05 në Bundesliga 2 realizoi pa kaluar ende minuta e parë, në sekondën e 46-të, në miqësoren kundër Lihteshtejnit. Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, lëshoi një top në drejtim të Edmond Kapllanit, golashënuesi më i mirë i eliminatoreve Euro 2008, veproi me zgjuarsi duke harkuar te Hyka i pamarkuar, i cili brenda zonës lihteshtejnase goditi fuqishëm duke shënuar jo vetëm golin e parë të takimit, por dhe të parin e tij me fanellën e përfaqësues. Shqipëria dominoi plotësisht takimin dhe në të 18’, Armend Dallku, mbrojtësi që luan në Ukrainë me Krivbasin, i ndodhur brenda zonës harkoi saktësisht në zonën e vogël, atje ku Edomond Kapllani nuk fali me kokë, duke dyfishuar rezultatin. Goli i 6-të i sulmuesit të Karlsruhes.

21.03.2008
BOGDANI – Erjon Bogdani një hap larg Lacios. Presidenti Lotito ka zgjedhur shqiptarin për sulmin, ndërkohë që dhe Kievo është bindur për ta lënë lojtarin. Bogdani është zgjedhur si alternativa më e mirë për të zëvendësuar Tomaso Rokin e dëmtuar.
U-21 - Shqipëria U-21 regjistroi një barazim të çmuar 1-1 me Greqinë edhe pse pati në fund të gjitha mundësitë për ta fituar takimin e marrë revanshin e asaj humbje në Athinë 2-1 vitin e kaluar. Gjithsesi formacioni i Artan Bushatit, edhe pse me gjashtë mungesa nga ai që triumfoi  1-0 me Kroacinë po në “Ruzhdi Bizhuta”, falë edhe golit të talentit të Xhevair Sukaj (66’), por dhe punës së jashtëzakonshme të Gilman Likës e zëvendësuesit Brian Filipi arriti të vendoste ekuilibrat në fushë pas golit të pjesës së parë të realizuar nga Lazaras Kristodholupulos (25’).

22.08.2008
REZULTATET E SHQIPËRISË NË “PEKIN 2008”
ATLETIKË
* Dorian Çollaku
Disiplina: Hedhje çekiçi
Rezultati: 70.89 m
Klasifikimi: i 28-ti nga 29 garues gjithsej

* Klodiana Shala
Disiplina: 400 m
Rezultati: 54”86
Klasifikimi: e 46-ta nga 50 garues gjithsej

PESHËNGRITJE
* Romela Begaj:
Pesha: 58 kg
Shkëputje: 98 kg, vendi i 4-t
Shtytje: 118 kg, vendi i 7-të
Dygarësh: 216 kg
Klasifikimi: e 6-ta nga 12 garues gjithsej

* Erkand Qerimaj
Pesha: 77 kg
Shkëputje: 154 kg, vendi i 11-të
Shtytje: 187 kg, vendi i 13-të
Dygarësh: 341 kg
Klasifikimi: i 13-ti nga 30 garues gjithsej

* Gerti Trasha:
Pesha: 69 kg
Klasifikimi: I skualifikuar, dështoi në stilin e shkëputjes, nuk hyri në stilin e shtytjes dhe nuk u klasifikua në dygarësh

XHUDO
Edmond Topalli:
Pesha: 81 kg
Klasifikimi: i eliminuar që në raundin e parë

NOT
* Sindi Hoxha:
Disiplina: 50m stil i lirë
Rezultati: 24”56 (rekord kombëtar)
Klasifikimi: i 63-ti nga 97 garues gjithsej

* Rovena Marku:
Disiplina: 50m stil i lirë
Rezultati: 28”15 (rekord kombëtar)
Klasifikimi: e 58-a nga 60 garuese gjithsej

QITJE
Lindita Kodra
Disiplina: 10m pistoletë ajri
Pikë: 370
Klasifikimi: e 40-ta nga 44 garuese gjithsej

Lindita Kodra
Disiplina: 25m pistoletë zjarri
Pikë: 570
Klasifikimi: e 35-ta nga 41 garuese gjithsej

MUNDJE KLASIKE
Elis Guri
Pesha: 96 kg
Rezultati: 1 fitore, 2 humbje
Klasifikimi: i 8-ti nga 20 garues

MUNDJE E LIRË
Said Prizreni
Pesha: 60 kg
Rezultati: 1 humbje
Klasifikimi: i 16-ti nga 19 garues gjithsej

24.08.2008
SUPERLIGA - Tani fjalën e ka topi. Futbolli shqiptar sot rinis për herë të 70-të. Një kampionat jubilar. Me Dinamon që nis mbrojtjen e titullit kundër Teutës në “Selman Stërmasi”, atje ku dhe fitoi trofeun e 17-të e te Vllaznia, që pasi është ndeshur me Napolin e Serisë A në “Loro Boriçi” pret rekordmenët shqiptarë, Tiranën. Një sezon i ri me ambicie dhe objektiva të rinj, si për dy trofetë, titullin kampion e fitimin e Kupës së Shqipërisë (edicioni i 57-të i saj), por dhe për të mbijetuar në elitën e 12 më të mirëve. Partizani e Flamurtari me fitoren në transfertë, të dy më të njëjtin rezultat (1-0), të arritur respektivisht kundër Lushnjës e Besës, e nisën në mënyrën më të mirë sezonin 2008-2009. Gjithsesi, rezultatin më të bujshëm në javën e I-rë e arriti Shkumbini, që mposhti 4-1 Bylisin në Peqin. Tre takimet e tjera u mbyllën pa gola: Dinamo kundër Teutës, Elbasani kundër Apolonisë dhe në mbrëmje Vllaznia kundër Tiranës. SEZONI 2008-2009 Java I E diel, 24.08.2008 DINAMO-TEUTA 0-0 SHKUMBINI-BYLIS 4-1 Golat: Nora (SH) 50’, Shenaj (SH) 70’, Ramazani (Sh) 78’ Mustafaj (SH) 90’ / Nenaj (B) 91’ BESA-FLAMURTARI 0-1 Golat: Caushaj (F) 80’ ELBASANI-APOLONIA 0-0 LUSHNJA-PARTIZANI 0-1 Golat: Karapici (P) 63’ VLLAZNIA-TIRANA 0-025.08.2008
BOGDANI - Pas Lacios është Bari që shfaq interes mediatik për Erjon Bogdanin. Lajmi jepet nga “Gazzeta dello Sport”, që shton se skuadra italiane e Serisë B interesohet edhe për Abruskaton.

28.08.2008
KUPA UEFA - Vllaznia zhgënjeu me Napolin në “Sapo Paolo”, duke humbur thellësisht 5-0 e mbyllur në mënyrën më të shëmtuar aventurën e mëtejshme në Kupën UEFA. Duke parë edhe humbjen 0-3 në “Loro Boriçi”, napolitanët e Edi Rejës realizuan plot tetë gola në dy takime pa pësuar asnjë të tillë. Vllaznia rezistoi deri në minutën e 41-të, kur Rinaudo (dy gola në këtë takim) realizoi golin e parë, që mbylli edhe pjesën e parë 1-0. Në të dytën napolitanët shpërthyen, teksa brenda dy minutash shënuan golin e dytë (Pia 51’) e të tretin (Rinaudo 53’). Fundi i takimit pati kohë edhe për dy gola të tjerë “axurr”: zëvendësuesi Laveci realizoi në të 79’ dhe Hamshik mbylli llogaritë në të 86’. Në fakt, duhet thënë se për trajnerin e Vllaznisë, Agim Canaj, u ndjenë shumë mungesat e Sukajt, Likës e Telit, teksa dhe Vioresin Sinani pak prodhoi i vetëm në sulm. Gjithsesi, për Vllazninë Napoli do të mbetet një kujtim i bukur historik, pasi do të hyjë pa dyshim në historinë e klubit përballja me një ekip të Serisë A, i treti në statistikat e klubeve shqiptarë, parë faktin se Partizani është ndeshur me Torinon e Teuta është përballur me Parmën.
KOMBËTARJA- Në ndryshim nga lista e 18 lojtarëve të thirrur për ndeshjen miqësore kundër Lihteshtejnit, ajo që spikat në listën e “madhe” prej 21 lojtarësh kundër Suedisë së fortë e Maltës modeste, është prania emrave të Erion Bogdanit (krijoi shumë polemika mungesa e tij në miqësoren me Lihteshtejnin), rikthimi pas një viti mungesë i Besart Berishës (për shkak të dëmtimit në miqësoren me Maltën, gusht 2007) dhe rithirrja e Ilion Likës (i thirrur për herë të fundit nga Oto Bariç për ndeshjet me Bjellorusinë e Rumaninë në eliminatoret e Euro 2008).

30.08.2008
KUPA UEFA -Nuk kanë të mbaruara ndeshjet ndërkombëtare të Klodian Duros. Pas dy ballafaqimeve me shqiptaro-maqedonasit e Milano Kumanovës e eliminimit të grekëve të AEK-ut të Athinës në dy tyret e para eliminatore, Omonia Nikosia e Qipros do të përballet me anglezët e Mançester Sitit. Një ballafaqim shumë më i vështirë për Duron me shokë, por njëherësh një tjetër mundësi e autorit të dy golave në barazimin 2-2 me AEK-un e Athinës, që prodhoi edhe kualifikimin historik të klubit nga Nikosia e Qipros në turin e parë të Kupës UEFA. Kështu në harkun e 75 ditëve ish-mesfushori i Tiranës do të luajë – përfshirë edhe tri ndeshjet e kombëtares- 9 ndeshje ndërkombëtare. E reja e fundit nga Omonia: presidenti i klubit, Mitiadhis Neofitu dha 200 mijë euro për lojtarët pas kualifikimit me AEK-un.

31.08.2008
Zllakto Daliç me buzëqeshje të rikthyer. Trajneri kroat i Dinamos arriti fitoren e parë në Superligë. 3-1. Migen Memelli me golin e tij kundër Teutës (1-0) tri minuta para përfundimit të pjesës së parë i dhuroi Tiranës fitoren e parë në sezonin e ri e të parën për trajnerin kroat Bllazhe Slishkoviç. Besa realizoi një përmbysje epike në vetëm 20 minuta lojë teksa përmbysi deficitin 2-0 në fitoren 2-3 kundër Bylisit në “Adush Muça”. Partizani nuk arriti të rikuperojë dizavantazhin e dyfishtë të Vllaznisë (1-2), duke shijuar një humbje të hidhur në “Qemal Stafa”. Flamurtari humbi në Vlorë me Elbasanin (0-1), në një ndeshje ku pati 3 kartonë të kuq (2 Flamurtari: Alvizh e Gega; Bejzade për Elbasanin) e 10 kartonë të verdhë (7 Flamurtari, 3 Elbasani). Golin e vetëm të takimit e shënoi Merxha në minutën e 91-të. Apolonia fitoi derbin myzeqar me Lushnjën në Fier me rezultatin e pastër 2-0. Golat u shenuan nga Asllani 13’ ne pjesen e pare dhe Dhrami ne te dyten (67’).

E Diele, 04 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›