Super-Ditari i Albania-sport.com. Viti 2008 - Korriku“Albania-sport.com” paraqet për lexuesit e saj një “Super-Ditar” special me të gjitha ngjarjet futbollistike të vitit 2008. Një kronikë e hollësishme e asaj që ka ndodhur ditë pas dite

“Albania-sport.com” paraqet për lexuesit e saj një “Super-Ditar” special me të gjitha ngjarjet futbollistike të vitit 2008. Një kronikë e hollësishme e asaj që ka ndodhur ditë pas dite me Kombëtaren, legjionarët, merkaton e të gjitha detajet e jetës sportive futbollistike.
KORRIK 2008
04.07.2008
Futbollisti shkodran Admir Teli është lojtari i dytë shqiptar që nënshkruan për skuadrën qipriote Alki Larnaka, pas ish-portierit të Tiranës, Isli Hidi. “Teli nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Alkin”, - tha menaxheri shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhiaj. “Lojtari do të përfitojë 200 mijë euro neto, si dhe do të ketë një makinë në përdorim nga klubi”. Teli më parë ka lujtur me Vllazninë, si dhe ka qenë thirrur në disa grumbullime të Kombëtares shqiptare.
KOLONI SHQIPTARE
Teli është futbollisti i pestë shqiptar që do të luajë këtë sezon në Superligën qipriote. Te kampionia e Qipros, Anorthosis Famaguasta, aktivizohet prej disa vitesh portieri i Kombëtares shqiptare, kosovari Arjan Beqaj. Mesfushori i majtë Altin Haxhi mbron qysh nga viti i kaluar ngjyrat e Ael Limasolit, ndërkohë që në merkaton e kësaj vere (po me ndihmën e menaxherit Haxhiaj), nënshkruan dy futbollistët e tjerë të Kombëtares, mesfushori Klodian Duro (Omonia) e portieri Isli Hidi (Alki).
FLUKS TRANSFERIMESH
Sokol Haxhiaj është një menaxher i suksesshëm në transferimin e futbollistëve shqiptare në kampionatet e huaja. Katër janë transferimet e tij gjatë kësaj merkatoje, ku pa dyshim kulmin e shënon fantazisti Jahmir Hyka, i cili u transferua në Bundesligën 2 te Mainc 05 në shumën prej 3.7 milionë eurosh. Më ndihmën e Haxhiajt, Duro, Hidi e Teli u transferuan në Qipro.
MERKATO NDËRKOMBËTARE
Agjenti i njohur Rudi Vata, i cila ka krijaur edhe agjencinë e tij “Vata Vision Football Management” kreu dy transferime në Bullgari në muajin shkurt të këtij viti: Klodian Semina u ble nga Belasica Petriç dhe Enco Malindi nga Slavia e Sofjes. Para pak ditësh edhe Ditmar Bicaj është në provë te Belasica, ndërkohë që sulmuesi i talentuar Xhevair Sukaj mund të provohet shumë shpejt te TSV Koblenz (Bundesliga 2) në Gjermani
HARTA E TRANSFERIMEVE
Nëse në fillimet e viteve 1990, futbollistët e njohur shqiptarë kishin mundësi të luanin vetëm në vendet fqinjë si në: Greqi, Rumani, Slloveni e Kroaci e me pas e ne Bullgari, Gjermani e Itali, tani harta e transferimeve shqiptare ka prekur edhe Çeçeninë e largët, ku te Terek Grozni aktivizohet Ilion Lika, ndërsa në Kinën akoma dhe më të largët agjenti Florian Riza çoi një nga simbolet e futbollit shqiptar, mbrojtësin Nevil Dede. Menaxheri Alfred Bode realizoi transferimin e mbrojtësit Renato Arapi te Silkenborg në Danimarkë, ndërsa Gëzim Mançe të sulmuesit Sabino Plaku te Hamkam në Norvegji. Në Suedi luan sulmuesi Migen Memelli.
05.08.2008
KOSOVA - Futbolli shqiptar po orientohet gjerësisht nga Kosova e te talentet e saj, edhe pse në një vështrim sipërfaqësor niveli i kampionatit kosovar është dukshëm më i ulët se ai i Shqipërisë.
Loja e mirë dhe kualitetet e futbollistëve kosovarë të tillë si Ilir Nallbani (Vllaznia), Liridon Leci (Besa) apo Driton Krasniqi (Besa), ka bërë që “sytë e merkatos” së Superligës të drejtohen nga Kosova. Madje Besa e Kavajës është konsideruar si “atdheu” i futbollistëve kosovarë e shqiptaro-maqedonas. Aktualisht, në skuadrën durrsake po testohen aktualisht mesfushori Bardhyl Kaçiu e sulmuesi Shqipron Skeraj. Një vendim përfundimtar rreth së ardhmes së tyre do të jepet javën e ardhshme nga trajneri Sulejman Starova. Kampioni në fuqi i Kategorisë së Parë, Bylisi, që synon mbijetesën pas rikthimit në Superligë është duke testuar tre lojtarë kosovarë: portierin 23-vjeçar Ushtrim Mushica (Prishtina), sulmuesin 26-vjeçar Fitim Halitin (Besa e Pejës) dhe mbrojtësin 22-vjeçar Erdin Hashani, i cili është aktivizuar me Besëlidhjen e Lezhës sezonin e kaluar.
06.07.2008
Besa e Kavajës humbi 2-1 takimin e parë të turit të dytë të Kupës Intetototo me Grasshopers të zhvilluar në Zvicër, një rezultat që jep shpresa për kualifikim.
07.07.2008
Bledar Devolli, mesfushori shkatërrues i cili e feston shënimin e golit me një nderim ushtarak në rolin e një oficeri, është blerja e fundit e Tiranës. Ish-mesfushori gjirokastrit i Partizanit nënshkroi të enjten kontratën me presidentin e 23-herë kampionëve të Shqipërisë, Refik Halili, dhe nga dita e premte do të jetë nën urdhrat e trajnerit Bllazhe Slishkoviç. Ish-futbollisti i Teutës është një emër i njohur në ambientin bardheblu, pasi la luajtur për Tiranën në sezonin 2000-2001, ku fitoi Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Gjatë karrierës së tij, qysh nga debutimi i tij me Luftëarin, më 27 prill 1996 (kur ishte vetëm 18-vjeç), 30-vjeçari Devolli ka luajtur për fanellat e Luftëtarit (2 herë), Bylisit (2 herë), Tiranës, Vllaznisë, Lushnjës, Elbasanit, Teutës e sezonin e fundit me Partizanin.
08.07.2008
DINAMO - Pasi i dha fund nëntë ditëve maqedonase, ku zhvilloi dy ndeshje miqësore me Gostivarit e Kumanovës, Dinamo nis dje stërvitjet në kompleksin e saj, kur kanë mbetur më pak se një javë nga ndeshja e parë në Ligën e Kampioneve kundër boshnjakëve të Modricës. Takimi do të luhet të martën e ardhshme në “Qemal Stafa”, më 15 korrik, ora 20:00 dhe do të gjykohet nga një treshe franceze me kryesor Said Enjemi. Ndihmës të tij do të jenë Frederik Kano dhe Hyg Berli. 17-herë kampionët e Shqipërisë zhvilluan një merkato tërësisht argjentinase, përfshirë edhe trajnerin Marselo Zuleta, por nga lojtarët i vetmi që ka bindur është sulmuesi Kampozano, ndërsa hije dyshimi është hedhur mbi portierin Borto, ndërsa të pakënaqur anëtarët e stafit presidencial janë për mesfushorin dhe mbrojtësin. Zuleta është përpara një prove të vështirë pasi argjentinasit i kërkohet patjetër kualifikimi me një kundërshtar modest si Modrica, përndryshe do të ketë fatin e Ramon Kabreros, argjentinasit tjetër që dështoi para dy sezonesh në Kupën Intertoto. Ballafaqimi i fundit i Dinamos në Ligën e Kampioneve ka qenë ai në sezonin 2002-2003, ku blutë arritën edhe të kalonin turin e parë. Dinamo fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55’, Pisha 56’, Qorri 76’ )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondby e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4).
19.07.2008
Kampionia e Shqipërisë, Dinamo, që merr pjesë në Ligën e Kampioneve; fituesja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia, që merr pjesë në Kupën UEFA dhe nënkampioni i sezonit të kaluar, Partizani, që gjithashtu merr pjesë në Kupën UEFA, i dhanë fund “arratisë’ në kampingjet e Mavrovës në Maqedoni, Nikshiqit në Malin e Zi dhe Pogradecit, duke u kthyer përfundimisht në bazë për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve përpara se se të nisin aventurën në kompeticionet evropiane.
10.07.2008
PARTIZANI – Skuadra e Hasan Likës i dha fund përgatitjeve në Pogradec, ku qëndroi gati dy javë dhe dje u kthye në Tiranë, ku sot do të nisë përgatitjet për ballafaqimet e dyfishta në ndeshjet e Kupës UEFA kundër boshnjakëve të Shiroki Brijeg, ndeshje që do të luhen më 17 dhe 31 korrik 2008. Portieri i Tiranës, Blendi Nallbani dhe sulmuesi i Elbasanit, Skerdi Bejzade, do të jenë pjesë e Partizanit Partizani i bën kështu një “mbulim” të fortë katërkëndëshit të kuq të lënë bosh nga largimi i Orges Shehit (ende pa një ekip).
11.07.2008
VLLAZNIA – Skuadra shkodrane fitoi miqësoren e dytë në kuadër të përgatitjeve për Kupën UEFA. Skuadra e Agim Canaj fitoi 3-2 me ekipin malazias Zeta. Në formacionin fillestar në portë për Vllazninë luajti Olti Bishani, mbrojtja u përbë nga Beqiri, Belisha, Doçi, Bashiç, mesfusha me katërshen Osja, Nallbani, Smajli, Lika, ndërsa vijën sulmuese e përbënë Albert Kaçi e Xhevair Sukaj. Dy golat e parë u shënuan nga kundërshtarët e shkodranëve, por kuqeblutë gjetën forca të përmbysnin dizavantazhin me anë të Gilman Likës, Xhevair Sukajt e brazilianit Kleber De Lima. Në miqësoren e parë Vllaznia fitoi 1-0 kundër Deçiçit. Ende në provë janë braziliani Kleber De Lima dhe një sulmues çek, Mirosllav Millosh. Vllaznia u rikthye në Shkodër pas përgatitjeve në Malin e Zi dhe më 17 korrik do të përballet në turin e parë eliminator të Kupës UEFA kundër ekipit slloven Koper.
12.07.2008
KAPLLANI - Tetë gola në tri ndeshje miqësore përbëjnë një bilanc “vrasës” për sulmuesin shqiptar të Karlsruhes, Edmond Kapllani, i cili pati një sezon me problemë në debutimin e tij të parë në Bundesligën 1. Edhe pse flitet për “lumë golash” – Kapllani realizoi 5 gola brenda 20 minutash kundër VFB Bulh – në teste kundër ekipeve lokale, rajonale apo dhe të kategorisë së katërt, trajneri Edmund Beker, pohon se ka parë te sulmuesi i Kombëtares shqiptare, një lojtar me një mentalitet agresiv, të etur për të lënë pas zhgënjimin dhe të gatshëm për të bërë një sezon të madh në vitin e dytë të tij në Bundesligë dhe për t’i siguruar mbijetesën Karlsruhes
13.07.2008
Besa e Kavajës humbi 3-0 takimin e dytë të turit të dytë të Kupës Intetototo me Grasshopers të zhvilluar në Zvicër, një rezultat që e coi rezultatin e përgithshëm në 1-5 dhe solli edhe eliminimin përfundimtar të Besës nga Kupa Intertoto. Sidoqoftë, Besa pati meritën që kaloi një tur në këtë kompeticion.
14.07.2008
FATI - Jahmir Hykës i mjaftuan 45 minuta, për të lënë një përshtypje që të merr mendjen, dhe tashmë ndodhet me Mainz 05 në fazën përgatitore në Herzlake duke u djersitur e bërë gati për të treguar cilësitë e tij në Ligën e dytë gjermane. “Falë Zotit gjatë kësaj kohe ka ndodhur gjithçka për mua”, - thotë shqiptari 20-vjeçar. “Driblime, pasa perfekt. Po, ishte një debutim i mirë për mua”,- kujton mesfushori trupvogël, vetëm 1.68 metra.
Hyka tregoi aftësi të mrekullueshme në ndeshjen. Nga klubi i Maincit ishte i pranishëm trajneri i portierëve, Stefan Kuhnert. “Ai më bëri përshtypje mua para së gjithash, ato që ia bëri me mbrojtësin më të mirë të djathtë polak”, - citohet Kuhnert nga gazeta gjermane “Allgemeine Zeitung”.
DINAMO - Dinamo do të përballet të martën në “Qemal Stafa” kundër serbo-boshnjakëve të Modricës, në sfidën e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampioneve, me synimin për të fituar në shtëpi e shpresuar në kualifikim. 17-herë kampionia e Shqipërisë, skuadra e tretë shqiptare me më shumë ndeshje në Europë, 34 të tilla (Tirana e Partizani kanë respektivisht nga 58 e 41), vjen në ballafaqimin kundër Modricës (4 ndeshje ndërkombëtare në Kupën UEFA: 2 fitore, 2 humbje)
me një ekip thuajse të ri, në raport me atë që i siguroi asaj titullin.
BOGDANI - Sulmuesi i kombëtares shqiptare Erjon Bogdani ka bërë prezantimin zyrtar si lojtar i ekipit të Kievos. Shqiptari ishte tepër i emocionuar dhe premtoi se në këtë sezon do të përpiqet që të tregojë të gjitha vlerat e tij
CANI - Edgar Cani është gjithmonë e më afër ekipit të Askolit. Tek Palermo duket se nuk më vend për lojtarin, të cilit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të largohet për disa kohë. Dhe ndaj sulmuesit shtalartë shqiptar ka shumë skuadra të interesuara. Askoli është e para në garë për të marrë shërbimet e lojtarit.
15.07.2008
KUPA UEFA - Vllaznia zhvilloi dje seancën e fundit stërvitore, përpara se të niset në drejtim të Sllovenisë, ku do të përballet me Koperin në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Kupës UEFA, më 17 korrik. Presidenti Fushaj nënshkroi kontratën sulmuesin çek Miklosh, i cili bëhet kështu lojtari i dytë i huaj që ka nënshkruar me Vllazninë, pas kroatit Marko Bashiç, dhe blerja e pestë sezonale për këtë sezon pas Smajlit, Shtubinës e Belishës. Në dyshim e sipër është e ardhmja e sulmuesit brazilian Da Lima, i cili ende nuk e ka kënaqur plotësisht trajnerin Agim Canaj.
PARTIZANI - Pas kryerjes së fazës përgatitore në Pogradec gjendja e skuadrës së Partizanit duket më se optimale për të përballuar sfidën e parë ndërkombëtare, pas një mungese njëvjeçare, në kuadër të takimit të parë të të turit të parë eliminator të Kupës UEFA kundër Shirokit Brijeg
16.07.2008
Pas kundërshtarëve mediatikë: Turqi, Slloveni, Armeni, më në fund Federata Shqiptare e Futbollit ka mundur të gjejë kundërshtarin real për datën e lirë të 20 gushtit. Lihteshtejni modest ka pranuar të vijë të luajë në Tiranë, për të festuar ndeshjen e 100-të tyre ndërkombëtare (6 fitore, 10 barazime, 83 humbje).
DINAMO - Aventura e trajnerit argjentinas Marselo Havier Zuleta te Dinamo ka zgjatur vetëm një ndeshje. Humbja 2-0 me Modricën në ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve në “Qemal Stafa”, rezultoi fatale për të. Zuleta përfundimisht është i shkarkuar, dhe në vend të tij presidenti Besnik Sulaj emëroi kroatin Zllatko Daliç, i cili ishte dje në stadium për të parë në aksion Dinamon.
17.07.2008
BAKAJ - Elis Bakaj është një nga lojtarët më të spikatur të Partizanit, tek i cili shpreson jo pak trajneri Hasan Lika në një rezultat pozitiv në Bosnjë. Elis Bakaj është edhe mbajtësi i një rekordi shqiptar, atij të futbollistit më të ri në moshë të aktivizuar në një ndeshje ndërkombëtare. Bakaj është aktivizuar në ndeshjen Dacia Kisinau-Partizani (2-0), të zhvilluar më 5 korrik 2003, në Kisinau në moshën 16 vjeç e 10 ditë.
ÇANI - Sulmuesi shqiptar Edgar Çani është përfundimisht një lojtar i Aksolit, që aktivizohet në Serinë B. 19-vjeçari është i huazuar nga Palermo. Ish-lojtari i Peskarës (Seria C) është bashkuar me grupin e drejtuar nga tekniku Nello Di Kostanco.
18.07.2008
KAPLLANI - Karlsuhe dhe Kapllani janë për rekord. 51 gola të shënuar dhe vetëm 1 i pësuar në gjashtë ndeshje miqësore. Dhjetë prej 51 golave të skuadrës gjermane të Bundesligës I mbajnë firmën e sulmuesit shqiptar Edmond Kapllani.
KALENDARI - Sezoni i ri 2008-2009 nisi udhën e tij me hedhjen e shortit të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Në bazë të skemës së përcaktuar më parë, java e parë paraqet këto çifte, ku spikat para së gjithash Vllaznia-Tirana (në Shkodër), dy finalistet e fundit të Kupës së Shqipërisë. Dinamo, kampionia në fuqi e Shqipërisë do ta nisë mbrojtjen e titullit kundër Teutës, ndërkohë që nënkampioni Partizani do të udhëtojë në Lushnjë. Shkumbini pret Bylisin në shtëpi, dhe po kështu Besa me Flamurtarin e Elbasani me Apoloninë. Nisin me një përballje luksi midis Tiranës e Partizanit në javën e 3-të. Java e 7-të ofron derbin Tirana-Dinamo, ndërkohë që kampionia në fuqi, Dinamo, një javë më pas do të përballet me Partizanin në javën e 8-të. Në fazën e dytë, Partizani përballet me Tiranën në javën e 14-të dhe me Dinamon në javën e 19-të. Dinamo pret Tiranën në javën e 18-të.
19.07.2008
SUKAJ - Me fitoren 2-1 në transfertën kundër skuadrës sllovene Koper në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA, Vllaznia regjistroi fitoren e parë nga 7 ndeshje të zhvilluara në këtë kompeticion evropian. Kjo falë dy golave të talentit Xhevair Sukaj, i cili vendosi edhe një rekord personal, duke u bërë i pari lojtar i Vllaznisë që realizon dy gola brenda një ndeshje ndërkombëtare dhe për më tepër në transfertë.
Sukaj është njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në Kupën UEFA, pasi skuadra shkodrane ka shënuar vetëm 3 gola. Autori i golit tjetër është Vioresin Sinani, i cili realizoi në ndeshjen Vllaznia-Spartak Trnava (Sllovaki) 1-1, e vlefshme për turin e parë të sezonit 1999-2000.
KATALINIC - Pas barazimit pa gola të arritur të enjten në mbremje në stadiumin “Pecara” në Shiroki Brijeg përballë skuadrës vendase me të njëjtin emër, futbollistët e Partizanit kanë festuar si të kishin fituar ndeshjen duke besuar kështu se kualifikimi për në turin e dytë të Kupës UEFA tashmë është një punë e kryer. Por me këtë gjë nuk pajtohet trajneri i Shiroki Brijeg, Ivan Kataliniç, që e sheh skuadrën e tij akoma në lojë për t’u kualifikuar për në turin e dytë edhe pas këtij rezultati jo shume te favorshëm.
RUSTEMI - Blerim Rrustemi është zyrtarisht lojtar i skuadrës qipriote Alki Larnaka. Mbrojtësi kosovar i Kombëtares shqiptare do të bashkohet kështu me portierin e kuqezinjve, Isli Hidi, i cili nënshkroi me skuadrën ishullore një kontratë dyvjeçare pak javë më parë.
RRUDHO - Sulmuesi Xhulian Rrudho mund të jetë një nga lojtarët e rinj të Lodz në kampionatin polak të futbollit. Tratativat janë ende në fazën e kontakteve, ndërkohë që për ish-sulmuesin e Kievos, klubi polak ka gati ofertën financiare.
20.07.2008
SUKAJ - Sulmuesi i talentuar shkodran Xhevair Sukaj, autori i dy golave në fitoren 2-1 të Vllaznisë kundër Koperit në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA, ka refuzuar së fundi një ofertë në shumën e 500 mijë dollarëve amerikanë të bërë nga skuadra e Azerbajxhanit, Inter Baku.
21.07.2008
Dinamo do të luajë në Bosnjë ndaj Modricës me synimin e qartë për të bërë një autokritikë pas humbjes poshtëruese në Tiranë (0-2), çka solli edhe shkarkimin e trajnerit argjentinas, Marselo Havier Zuleta. Dinamo në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve kundër Modricës (22 korrik) do të drejtohet nga zëvendëstrajneri Artan Mërgjyshi e jo nga kroati Zlatko Daliç.
LILA - Edhe pse u fol për një prishje të marrëveshjes midis futbollistit Andi Lila dhe presidentit të Tiranës, Refik Halili, përfundimisht ish-mbrojtësi i Besës hodhi të zezën (firmën) mbi të bardhë (kontratën), duke u bërë kështu blerja më e re e 23-herë kampioneve.
Dorian Bylykbashi e Ervin Bulku e nisën shumë mirë kampionatin ukrainas me Krivbasin në fitoren 1-0 kundër Metalurg Zaporozhje (gol i Bartiloviç në minutën e 82). Pas ndeshjes trajneri i tij tha. “Bylykbashi nuk është një lider në natyrën e tij, por shiriti i kapitenit, është një stimul për të dhe ai bërë një ndeshje shumë të mirë. Ne në skuadër nuk kemi grupe, kështu që kombësia e Bylykbashit, në këtë rast nuk është thelbësore”.
Të premten Vorksla e Poltavës ku aktivizohen Armend Dallku, Debatik Curri fitoi 1-0 në transfertë kundër Harkov me golin e kosovarin Jonuzi, i cili hyri si zëvendësues në minutën e 68-të dhe shënoi golin e vetëm të takimit katër minuta më pas.
XHIHANI – Sulmuesi kavajas Parid Xhihani bëri debutimin e tij të parë me fanellën e Zarja në Ukrainë. Ish-sulmuesi i Besës, i cili më parë ka luajtur edhe Shkumbinin, Teutën e Dinamon (181 ndeshej, 43 gola në Superligë), u fut si zëvendësues në takimin Zarja-Metalist (1-1) në minutën e 68-të, në vend të Ermak. Ish-lojtari i përfaqësueses U-21, i cili nuk luajti as në ndeshjet e Kupës Intertoto me Besën e Kavajës, e festoi 25-vjetorin e tij (i mbushi më 18 korrik) me debutimin në të parin kampionat të huaj që ai luan.
LIKA - Portieri i Kombëtares shqiptare, Ilion Lika, i cili aktivizohet në kampionatin rus me skuadrën çeçene Terek Grozni bëri një paraqitje fantastike në barazimin në shtëpi kundër Rubin Kazan (0-0). Për 28-vjeçarin Lika, i cili më parë ka luajtur edhe me Dinamon (199 ndeshje) dhe Elbasanin (17), takimi kundër Rubin Kazan ishte i 12-i me fanellën e Terek. Një javë më parë, Lika ia doli ta mbante të pastër portën e Terekut në barazimin 0-0 kundër FK Moskva të luajtur në kryeqytetin rus.
MITRAJ - Aldo Mitraj nënshkroi për skuadrën greke Skoda Ksanthi, që u rendit në vendin e tetë sezonin e kaluar në Superligën greke. Mitraj, u pëlqye shumë nga trajneri Manxurakis dhe nënshkroi një kontrata trevjeçare. Të martën, më 23 korrik Skoda Ksanthi do të zhvillojë një ndeshje miqësore me bullgarët e Sliven, ku pritet të luajë disa minuta edhe Mitraj.
22.07.2008
Dinamo në mision të pamundur në Zenica të Sllovenisë. 17-herë kampionët e Shqipërisë do të mundohen të përmbysin rezultatin negativ të ndeshjes së parë në turin e parë të turit të parë të Ligës së Kampioneve kundër Modricës, të humbur 2-0 (gola të Miljkoviç në të 65’ dhe Stokiç në të 80’). Gjithsesi, të gjithë në shtëpinë blu besojnë të përmbysja rezultatit negativ, madje guxojnë edhe te kualifikimi, pavarësisht se Dinamos i duhet të fitojë të paktën me një diferencë prej dy golash. Dinamo ka mundur të kalojë në turin e dytë të një kompeticioni evropian vetëm tre herë. Në sezonin 1985-1986, Dinamo eliminoi në turin e parë eliminator të Kupës UEFA, Hamrun Spartans (1-0, 0-0), ndërkohë që u eliminua nga Sportingu në turin e dytë (0-0, 0-1). Kualifikimi i dytë i Dinamos është ai sezonit 1989-1990 në Ligën e Kampioneve. Dinamo eliminoi në turin e parë Chernomorets Burgas (4-0, 1-3), ndërsa u eliminua në turin e dytë nga Dinamo e Bukureshtit: fitoi në Tiranë 1-0 dhe humbi në Bukuresht, 2-0.
Në ballafaqimin e fundit për Ligën e Kampioneve, atë në sezonin 2002-2003, Dinamon arriti të eliminojë në turin e parë lituanezët e FBK Kaunas. Fitoi në transfertë 3-2 dhe barazoi në Tiranë 0-0. Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondbi e Danimarkës: humbi në Tiranë 4-0 dhe në Danimarkë 1-0.
23.07.2008
DINAMO Dinamo humbi 2-1 me Modricën edhe pse shënoi golin e parë. Me dy humbje në të dy takimet, kampionia e Shqipërisë u eliminua qysh në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve.
FILIPI - Një talent i ri shqiptar po rritet me shpejtësi në futbollin italian. Një lloj “Ervin Skele” i ri, me të njëjtat karakteristika e nuhatje për gol. Mesfushori i ri shqiptar Brian Filipi ka fituar zemrat e stafit teknik të Ravenës, tifozëve të saj, por dhe vëmendjen e shtypit italian. Është gazeta italiane “La Voce”, që shkruan se “për të riun Filipi, sezoni i ri premton shumë”. Lezhjani 19-vjeçar, së bashku edhe me futbollistin tjetër Xherbino Polo, ishin edhe autorët e dy golave të parë të Ravenës për këtë sezon, në një ndeshje të zhvilluar para disa ditësh.
28.07.2008
AGOLLI - Ansi Agolli është zyrtarisht i huazuar te Tiranës. Ish-mesfushori i majtë i Ksamaksit e Lucernës në kampionatin zviceran ka mundur më në fund të bindë drejtuesit e skuadrës së tij aktuale, finlandezët e Vaasan, për t’i dhënë lejen e kalimit të rekordmenët e Shqipërisë, Tiranës.
SHIROKI - Boshnjakët e Shiroki Brijeg tashmë kanë mbërritur kryeqytetin shqiptar pas një udhëtimi gati dhjetë orë me autobus. Kundërshtarët e Partizanit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA u akomoduan në hotel “Eklips” në periferi të Tiranës. Nuk është shumë entuziast Ivan Kataliniçi për Shirokin e tij në prag të ndeshjes me Partizanin, por detyrohet të pranojë gjërat ashtu siç janë. “Këto ndeshje të kupave evropiane vijnë në momentin më të keq, - tha ai për “Dnevni Listin”, - por kjo është gjendja.
Nga ana e tij Partizani e ka kaluar tri herë turin e parë eliminator: sezonin 2004-2005, kundër Birkirkarës në Kupën UEFA; sezonin 2003-2004, kundër Makabi Netanjahut në Kupën Intertoto dhe sezonin 1970-1971, kundër Advitabergs në Kupën e Kupave.
30.07.2008
VLLAZNIA - Me fitoren 2-1 në transfertë me sllovenët e Koperit, Vllaznia i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në turin e dytë të eliminator të Kupës UEFA. Dy golat e Xhevair Sukajt i japin një garanci të madhe skuadrës shkodrane, që mund të kualifikohet edhe nëse humbet 0-1 në “Loro Boriçi”. Takimi Vllaznia-Koper do të gjykohet nga irlandezi Antoni Butimer..
PARTIZANI -“Shanset para ndeshjes për kualifikim mund të jenë të përafërta, por mendoj se më e rëndësishme është ajo çka ne do të japim në fushë dhe le t’ia lëmë asaj të flasë”. Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, edhe pse me veshjen zyrtare të Partizanit (një bluzë e kuqe me stemë) shfaq një ftohtësi diplomatike për të “respektuar” edhe homologun e tij te Shiroki Brijeg, Ivan Kataliniç në konferencën për shtyp. Partizani në ndeshjen e parë e realizoi një gjysmë të tillë (0-0),
TARE - Igli Tare e ka marrë seriozisht punën e re, pasi vari këpucët në gozhdë. Drejtori i dyfishtë i Lacios: teknik e sportiv, është duke ndjekur skuadrën në grumbullimin e saj. “Jam i kënaqur të punoj për një klub prestigjioz si Lacio. Drejtor sportiv në të ardhmen? Akoma nuk mendoj për këtë pozicion. Tani kërkoj të fitoj eksperiencë, roli i drejtorit sportiv është delikat”.
E Diele, 04 Janar 2009